Paraja, bankat dhe shoqëria

868
Sigal

Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë

Një libër i veçantë dhe unik në historinë monetare dhe bankare gjatë zhvillimit të epokave të shoqërisë

Ky libër është një udhëtim historik e ekonomik në sistemet monetare qe kanë mbisunduar dhe kanë administruar jetën ekonomike e financiare globale, si dhe në vende apo në territore shqiptare. I shkruar si një bashkëpunim i dy prej profesorëve më të shquar të fushës së historisë monetare dhe financiare shqiptare, me një gjuhë të qartë dhe shpjegime të dhëna lehtësisht të kuptueshme për të gjithë, ai është një kontribut i çmuar për t’u lexuar, studiuar e kuptuar më mirë historinë monetare dhe bankare, jo vetëm për profesionistët e arkeologjisë, numizmatikës, historisë dhe ekonomisë, por edhe për studiuesit e rinj dhe lexuesin e gjerë.

Ky libër vjen për lexuesit në një kohë mjaft të veçantë dhe të rëndësishme, si një domosdoshmëri e kërkuar nga zhvillimet dhe ngjarjet ekonomike që e kanë dominuar ekonominë botërore këto 10 vitet e fundit, mbas krizës financiare globale. Aktualisht ekonomia botërore vazhdon ende të vuajë pasojat e krizës financiare të vitit 2008, ku rimëkëmbja prej saj vazhdon ende edhe në ditët e sotme. Kështu ekonomia botërore vazhdon të karakterizohet nga norma të ulëta interesi, inflacioni i ulët, rritje ekonomike anemike, papunësia e lartë, mungesë e oportuniteteve si dhe rritje e lartë e pabarazisë sociale e ekomomike, që janë pasoja të dukshme të krizës në jetën e njerëzve dhe të bizneseve. Zhvillimit financiar dhe rritja ekonomike e vendeve ecin të dy paralelisht me njëra-tjetrën në afatin e gjatë prandaj, është e rëndësishme që të studiohet dhe të bëhet analizimi i tyre në kohë dhe në vende të ndryshme, për të parë se si ato kanë ndikuar njëra-tjetrën si autoritete të ndryshme monetare, në periudha të ndryshme, kanë vepruar ndaj zhvillimeve të caktuara monetare e financiare.

Libri “Paraja, banka dhe shoqëria… Bashkëudhëtimi historik që nga fillesat deri në kohët moderne”,është një udhëtim historik e ekonomik në sistemet monetare që kanë mbisunduar dhe kanë administruar jetën ekonomike e financiare globale, si dhe në vendet apo në territore shqiptare. Ky udhëtim shtrihet larg nga territoret shqiptare për të ndjekur zhvillimet e sistemeve dhe reformat monetare të fuqive ose të perandorive të mëdha, që duke pasur në konsideratë edhe historinë e Shqipërisë, kanë administruar gjithashtu edhe jetën ekonomike të territoreve shqiptare. Në këtë këndvështrim libri bëhet një përshkrues i plotë jo vetëm i historisë monetare dhe financiare të ekonomisë globale, por edhe asaj shqiptare. Vet përfshirja e territoreve shqiptare në perandoritë kryesore të kohës krijon mundësinë për diskutimin e të gjithë sistemeve kryesore që kanë përcaktuar zhvillimin e globit, duke bërë të mundur kështu një mbulim të plotë të gjithë sistemeve monetare, financiare e atyre ekonomike që kanë përcaktuar karakteristikat e tyre.

Libri ndalet dhe trajton me qartësi momentin e lindjes së parasë. Ai e vendos paranë, sistemin monetar dhe atë financiar në piedestalin e arritjeve, si një nga shpikjet më të mëdha të njerëzimit. Ky zhvillim i rëndësishëm teknologjik ka mundësuar përparimin e racës njerëzore për të njohur, pushtuar dhe shfrytëzuar botën në favor të dijes dhe zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Kjo shpikje në dukje e thjeshtë dhe e natyrshme është një nga mjetet bazë që përmes natyrës së vet dhe efekteve të tjera pozitive i ka dhënë mundësinë racës njerëzore të shfrytëzojë e të përdorë burimet dhe pasuritë natyrore, idetë, shpikjet, inovacionet dhe të gjithë kapacitetet njerëzore për zhvillimin e të mirave dhe shërbimeve për përmirësimin e jetës dhe garantimin e sigurisë ekonomike e financiare. Ajo i ka hapur rrugë specializimit të punës duke e bërë një faktor bazë në lehtësimin e tregtisë dhe procesit të globalizimit jo vetëm në fushën e tregtisë dhe shkëmbimeve financiare por dhe të gjithë aspekteve të zhvillimit njerëzor e social. Përmes fuqisë dhe zhdërvjelltësisë së parasë dhe sistemeve monetare e financiare perandoritë, kulturat dhe ideologjitë dominuese të kohës si romaket, osmanet, bizantinët, etj., kanë mundur të shtrijnë fuqinë, gjuhën, ligjin, artin, arkitekturën dhe zakonet e tyre në shkallë globale. Madje të drejtojnë zhvillimin ekonomike e social të botës që i rrethonte sipas karakteristikave dominuese të shoqërive të tyre, duke lënë një trashëgimi të pasur që vazhdon të influencojë edhe jetën tonë.

Por libri në sajë të përshkrimit kronologjik të ngjarjeve nëpër shekuj na kujton por njëkohësisht na fton të mos harrojmë se çdo sistem përballet me problemet e veta. Për më tepër nëpërmjet përshkrimit të sistemeve të ndryshme leximi i tij të krijon mundësinë për të vlerësuar metodat e mirë apo keq administrimit monetar dhe pasojat e tyre në zhvillimin ekonomik.

Libri ka përshkruar mjaft mirë natyrën dhe funksioneve të parasë, duke i vendosur dhe i ilustruar këto karakteristika përmes zhvillimeve të rëndësishme të shoqërisë njerëzore, si dhe rolit të saj në ndërtimin dhe funksionimin e sistemit monetar e financiar deri në atë ekonomik e shoqëror. Duke theksuar rëndësinë e sistemit monetar e financiar, forcës, qëndrueshmërisë dhe zhdërvjelltësisë së tij në forcën, qëndrueshmërinë dhe jetëgjatësinë e perandorive, shteteve dhe marrëveshjeve e bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar si dhe prosperitetin e shoqërisë njerëzore.

Historia është një dëshmi e faktit se sistemet monetare mund të garantojnë besueshmëri vetëm nëse ato respektohen dhe nuk manipulohen. Fatkeqësisht ky manipulim, bëhet shpesh nga vet lojtarët që duhet të garantojnë sistemin. Monedhat dhe sistemet monetare në mënyrë të përsëritur kanë rënë pre e dëshirave dhe e pamaturisë së autoriteteve të cilët i kanë parë këto sisteme si mundësi për financimin e luftërave dhe deficiteve të larta buxhetore, duke shkaktuar inflacion e paqëndrueshmëri monetare e financiare. Duke ndjekur deficitet e larta dhe senjorazhin si burime shtesë të ardhurash, autoritetet kanë shkelur rregullat mbi të cilat bazohet sistemi dhe në këtë mënyrë kanë prekur vet besueshmërinë e tij duke shkaktuar inflacion dhe paqëndrueshmëri. Fenomene këto jo të reja që në fakt trashëgohen nga e kaluara dhe ashtu sikurse në të kaluarën reflektojnë sjelljen e pakujdesshme të autoriteteve dhe dëshirën e tyre për të dominuar.

Sjellja e papërgjegjshme vazhdon të mbetet një prej problemeve kryesore me të cilat përballet sistemi monetar e financiar edhe në ditët e sotme. Flirtimi me deficitet publike, borxhin publik dhe atë privat përtej niveleve te përballueshme nga të ardhurat ishte një nga arsyet kryesore që nxiti dhe shkaktoi krizën financiare të 2008 e me pas krizën e borxhit të eurozonës që vazhdon të mbetet një plagë për euron edhe sot e kësaj dite. Kjo krizë është një dëshmi e faktit se përfitimet afatshkurtra behën gjithmonë në kurriz të stabilitetit afatgjatë makroekonomik e financiar.

Sa më i komplikuar e gjithë përfshirës është sistemi monetar e financiar aq më i lehtë është manipulimi i tij. Prandaj agjentët ekonomikë duhet që të jenë të edukuar financiarisht që të mos bien pre e mashtrimeve me qëllim përfitimin nga palët e treta. Në këtë kuptim edukimi financiar merr një rëndësi të veçantë sidomos në kushtet e reja. Kjo jo vetëm për publikun por edhe për autoritetet të cilët duhet të përcaktojnë rregullat e ndërveprimit për të garantuar sigurinë e konsumatorëve dhe të sistemit financiar së bashku me stabilitetin e çmimeve e atë ekonomik. Ky punim tregon se krizat financiare botërore nuk janë fenomene të reja apo që i përkasin vetëm kohës tonë. Ai rikujton se edhe në të shkuarën këto kriza janë shkaktuar nga kreditimi i papërgjegjshëm dhe pa standard e duhura, konfliktet e luftërat apo edhe nga vetë “shthurja” e autoriteteve apo qeverive të ndryshme pse jo edhe nga bankat qendrore.

Libri tregon se dëshira për prosperitet dhe stabilitetit ekonomik janë forcat kryesore që kanë motivuar në zhvillimin e parasë, formave te saj dhe si rrjedhojë të sistemeve monetare. Ndryshimet, inovacionet apo përshtatjet që janë motivuar nga këto qëllime, kanë mbetur në histori dhe kanë kontribuar në prosperitetin e shoqërisë njerëzore. Ndryshimet dhe inovacionet e nxitura nga nevojat për mbulimin e deficitet, luftërave apo keq menaxhimit ekonomik kanë pasur një jetëgjatësi afatshkurtër. Ato kanë dështuar duke i thelluar me tej problemet të cilat u përpoqën të zgjidhin.

Për me tepër libri “Paraja, Banka dhe shoqëria” është një dëshmi se ashtu si vet shoqëria edhe kjo shpikje (paraja) është në ndryshim e mutacion të vazhdueshme për tu përshtatur kushteve të reja që krijon shoqëria. Shpesh ky ndryshim është rrjedhojë e gjenialitetit të individëve të veçantë e herë të tjera i detyrohet ndryshimeve të nevojshme që kanë shërbyer si rrugëdalje nga kufizimet apo oportunitetet që kanë përcaktuar kushtet e kohës. Pavarësisht kësaj, me çdo ndryshim e zhvillim e mutacion që ka pësuar paraja dhe sistemi financiar, i kanë dhënë një hov të ri tregtisë,shkëmbimit, inovacionit dhe shpërndarjes se tij, por edhe zhvillimit social e shoqëror artistik etj. Aktualisht jemi duke përjetuar një fazë të re zhvillimi të parasë dhe sistemit financiar. Inteligjenca artificiale, përparimi në fushën e komunikimit dhe teknologjisë së informacionit, lindja, zgjerimi dhe përfshirja e rrjeteve sociale dhe teknologjive që i mundësojnë ato, automatizimi, etj janë bërë së bashku dhe po nxisin atë që gjithnjë e më shumë po i referohemi si revolucioni i katërt teknologjik. Në këtë sistem të ri edhe paraja po pëson një ndryshim të rëndësishëm, duke ndryshuar formën, përmbajtën, duke rritur shpejtësinë, shtrirjen e mbulimin gjeografik përtej kufijve shtetërorë dhe jashtë kontrollit të autoriteteve dhe institucioneve qendrore. Paraja elektronike dhe “cripto currency” janë nocione të reja por që duket se po përkrahen shpejt në shkallë globale. Këto zhvillime i ngjajnë një mutacioni gjenetik, pasojat e të cilit janë ende vështirë që të parashikohen, por historia e treguar në libër tregon se efektet do të sjellin pa diskutim ndryshime që kanë kapacitetin të prekin jo vetëm paranë dhe sistemin monetar por përmes tij, tregtisë dhe ndërveprimit të instrumenteve të sistemeve të reja financiare që mund të ndikojnë tregtinë e financat e madje gjeopolitikën. Madje duket sikur këto ndryshime kanë filluar të bëhen prezentë duke hapur rrugën për një epokë të re të zhvillimit e ekonomik e social në shkallë globale, duke i krijuar vend e hapësirë globale edhe për vendet në zhvillim. Risitë teknologjike anash kalojnë strukturat aktuale infrastrukturore të tregjeve financiare duke shkuar përtej tyre dhe duke u bërë më gjithëpërfshirëse në mënyrë globale dhe të njëkohshme për të favorizuar përdorimin e burimeve natyrore, kapaciteteve humane, si dhe tendencat demografike të këtyre ekonomive në zhvillim. Trajtimi i shtrirë në kohë dhe hapësirë i parasë, sistemeve monetare, autoriteteve ndërkombëtare dhe globale që nga krijimi i tyre e deri tani bën të veçantë dhe unik këtë libër, duke i dhënë mundësi lexuesve nga faktet, përshkrimi dhe ndërlidhja e këtyre fenomeneve nga kohët e lashtat e deri tani.

Paraja, bankingu dhe ndikimet e tyre në shoqëri janë tema që ngjallin interes dhe kuriozitet të përhershëm. Për shekuj me radhë paraja dhe bankat kanë qenë faktorë të rëndësishëm në të gjithë aspektet e zhvillimeve e globale. Sigurisht këto ndikime janë ndierë më shumë në tregti dhe ekonomi, por edhe në përcaktimin e identiteteve kombëtare, religjioneve dhe dominimit të perandorive të mëdha, pjesë e tri prej të cilave kanë qenë edhe territoret Shqiptare. Paraja, një prej shpikjeve më të mëdha të shoqërisë njerëzore, u përdor fillimisht si një mjet matës me funksione mjaft bazike duke ndryshuar dhe u sofistikuar ndër shekuj në njësi monetare komplekse si i njohim në ditët e sotme. Ky studim shumë i vlefshëm dhe tërheqës tregon historinë e gjatë të sistemeve monetare të cilat sigurisht që kanë dhënë ndikim të padiskutueshëm në historinë e disa prej vendeve e kulturave më të rëndësishme të botës dhe sigurisht edhe në atë të vendit tonë, duke dhënë një tablo të plotë e deri më sot të munguar në titujt e studimeve monetare dhe bankare vendase për sa i përket historisë monetare e bankare që ka vepruar në këto troje para krijimit të Shtetit Shqiptar.

Përmes një shpjegimi të hollësishëm të historisë së lindjes së parasë e sistemeve monetare, greke, romake, bizantine, otomane dhe atyre mesjetare evropiane, studimi tregon ku dhe kur ato lindën, u formuan dhe si u zhvilluan, rolin e tyre në zhvillimin e shoqërisë dhe si ato u përhapën, i mbijetuan krizave apo ndryshuan gjatë viteve. Duke përshkruar ngritjen dhe rënien e këtyre sistemeve monetare, libri tregon se si zhvillimet e tyre mund të prekin edhe problematika më të gjera historike, si karakteristikat e perandorive të ndryshme, tregtisë, migrimit dhe personalitetit të mbretërve dhe sundimtarëve dhe se si ato mund të kthehen në barometra të ardhmërisë politike të kombeve. I mbushur me fakte dhe histori interesante dhe i ilustruar me imazhe të zgjedhura me kujdes, libri “Paraja, banka dhe shoqëria”, është një burim ndriçues informacioni mbi rolin vendimtar që kanë luajtur sistemet e ndryshme monetare në historinë e Kontinentit Evropian dhe rrjedhimisht edhe në atë të vendit tonë.

Ky botim sjell në vëmendjen e lexuesit rëndësinë e madhe që ka njohja dhe kuptimi i historisë monetare e bankare. Ai do t’i shërbejë studiueseve të fushave të ndryshme, si numizmatë, arkeologë, historianë por mbi te gjitha vetë ekonomistëve. Shpesh herë, ne ekonomistët dhe sidomos monetaristët, kemi tendencën të përqendrohemi vetëm në funksionet ekonomike të parasë, apo ato ngushtësisht teknike dhe nuk tregojmë interes të mjaftueshëm për aspektet më të gjëra të saj, si ato sociale, institucionale dhe psikologjike. Këto çështje nuk janë çështje që duhet t’u interesojnë vetëm akademikëve. Diskursi ekonomik ende argumenton mbi matjen dhe kontrollin e ofertës monetare dhe marrjen e masave të ndryshme. Këto diskutime dhe masat e mara nga autoritetet monetare kanë ndikim në mirëqenien materiale të shoqërive, kjo është edhe më e prekshme në ditët e sotme, falë zhvillimeve teknologjike dhe formave të ndryshme të parasë të cilat ndryshojnë me rritëm të shpejtë.

Për të gjitha këto arsye, punimi “Paraja, banka dhe shoqëria”, vjen për lexuesin si një shtjellim i plotë i sistemeve monetare dhe bankare që kanë vepruar apo dhënë ndikim të qenësishëm në historinë e Shqipërisë në etapa të ndryshme historike, nga antikiteti deri në ditët tona.

I shkruar si një bashkëpunim i dy prej profesorëve më të shquar të fushës së historisë monetare dhe financiare shqiptare, me një gjuhë të qartë dhe shpjegime e të dhëna lehtësisht të kuptueshme për të gjithë, ai është një kontribut i çmuar për të lexuar, studiuar dhe kuptuar më mirë historinë monetare dhe bankare, jo vetëm për profesionistët e arkeologjisë, numizmatikës, historisë dhe ekonomisë por edhe për studiuesit e rinj dhe lexuesin e gjerë