Me ndihmën e Dritan Agollit, oligarkët përfitojnë tri kontrata me vlerë 10. 2 milionë lekë. Këto kontrata janë pjesë e Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik, i cili është financuar nga Banka Botërore me vlerë 63.8 milionë euro.
Pas përplasjeve dhe hatërmbetjeve në vitin e kaluar, duket se Bashkim Ulaj i ka rregulluar marrëdhëniet me “qeverinë e tenderëve”. Kompania e tij po përfiton tenderë njeri pas tjetrit pa u lodhur fare. Këtë herë me ndihmën e Dritan Agollit, biznesmeni Ulaj ka përfituar tri kontrata me vlerë 10. 2 milionë lekë. Këto kontrata janë pjesë e Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik, i cili është financuar nga Banka Botërore me vlerë 63.8 milionë euro.
Sikur e shohim në dokumentin më poshtë, Banka Botërore po e financon këtë projekt për të përmirësuar infrastrukturën në disa qytete turistike si Saranda, Gjirokastra, Berati.
Pasi paratë bien në duart e Dritan Agollit, nisin shpërdorimet, ndërsa Banka Botërore rri e vështron! Në tenderin e publikuar shohim se Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka harruar qëllimin parësor të projektit dhe po fokusohet tek “çështja” se, cilin nga miqtë oligarkë duhet të favorizojnë! Kështu, tri kontratat e radhës i janë dhënë firmës 4 AM sh.p.k. e regjistruar në emër të Ardit Metaliaj. Por që pronari i vërtetë është Bashkim Ulaj sipas /gijotina.
Kontrata
Më poshtë do të rendisim një nga një të tria kontratat që kapin vlerën 10.2 milionë euro. Kontrata e parë ka në objekt “Punime civile për Zhvillimin e Integruar Urban të Sarandës, Paketa 2″. Vlera e kësaj kontrate është rreth 4.9 milionë euro fituar nga kompania 4 AM sh.p.k.
Kontrata e dytë ka në objekt të saj “Plani i Lëvizshmërisë dhe Projektimi i Detajuar i Investimeve të Projektit të Përmirësimit të Integruar Urban të Gjirokastrës, Paketa 1”. Vlera me të cilën është fituar kjo kontratë është 315 milionë lekë.
Kontrata e tretë ka të njëjtën objekt si kontrata e dytë dhe fituesi është i njëjti, 4AM me ofertë 306 milionë lekë. Ajo që bie në sy në këto dokumente është se, të tre tenderët janë fituar nga Ulaj, edhe pse kanë marrë pjesë firma të njohura si “Salillari” dhe “Fusha shpk”. Sikurse duket, këtë herë Dritan Agolli i ka “sakrifikuar” dy miqtë e tij Pëllumb Salillari dhe Shkëlqim Fushaj. Vetëm për të rregulluar raportet e Ulajt me qeverinë.
Projekti
Dritan Agolli tregoi edhe njëherë që është “shërbëtor” i Ramës dhe oligarkëve, duke përdorur buxhetin e shtetit.
Ndërkaq, vlen të shtojmë se Projekti për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik nisi zbatimin në vitin 2017 me një financim 68 milionë dollarë. Atëherë ishte parashikuar fillimisht të zgjaste deri në vitin 2022. Por më pas u rishikua dhe iu shtua një financim i ri duke parashikuar tashmë mbylljen në 31 korrik 2025. Në total financimi pas rishikimit të projektit arriti në 105 milionë USD. Kështu për 2 vitet e ardhshme, Ulaj do të shijojë marrjen e 10.2 milionë eurove. Në këtë mënyrë, duke i joshur me tenderë pronarët, qeveria blen ndikimin.






















