Pandemia, si mjet për rrëmbimin e pushteti, ëndrra e një udhëheqësi diktatorial

349
Sigal

Pandemia si mjet për rrëmbimin e pushtetit, ëndrra e një udhëheqësi diktatorial

Autokratët e shohin katastrofën si mundësi për shfrytëzim. Bota është e shpërqendruar dhe publiku ka nevojë për shpëtim

E gjithë bota tashmë është përqendruar te COVID-19. Ndoshta ishte rastësi që Kina zgjodhi pikërisht këtë moment për të forcuar kontrollin e saj në zonën e kontestuar të Detit të Kinës Jugore, për të arrestuar protestuesit demokratë më të njohur në Hong Kong dhe për të manipuluar Ligjin Themelor të Hong Kongut.

Por ndoshta nuk ishte rastësi, shkruan The Economist. Sunduesit në të gjithë botën e kanë kuptuar se tani është koha e përkryer për të bërë gjëra të papranueshme, duke qenë të sigurt se pjesa tjetër e botës nuk do t’i vërejë. Shumë prej tyre po shfrytëzojnë pandeminë për të rrëmbyer më shumë pushtet.

Veprimet e Kinës në Hong Kong janë veçanërisht shqetësuese. Që kur Britania ia ktheu territorin Kinës në vitin 1997, Hong Kongu qeveriset sipas metodës “një vend, dy sisteme”. Në përgjithësi, populli i Hong Kogut gëzon të drejtën e fjalës së lirë, kuvendit të lirë dhe sundimit të ligjit. Kompanitë e huaja janë ndier gjithmonë të sigurta atje, prandaj edhe Hong Kongu është një qendër kaq e rëndësishme financiare.

Por Partia Komuniste e Kinës prej kohësh dëshiron të shtypë kulturën e protestës në Hong Kong. Neni 22 i Ligjit Themelor (një lloj mini-kushtetute) ia ndalon qeverisë kineze të ndërhyjë në politikën e brendshme të Hong Kongut. Ky rregull gjithmonë është nënkuptuar të përfshijë edhe Zyrën e saj Ndërlidhëse në Hong Kong. Por më 17 prill, kjo zyrë, që është organi kryesor përfaqësues i Kinës në territor, tha se nuk ishte e detyruar t’i përmbahej nenit 22. Kjo tregon se po planifikon të zgjerojë fushatën e saj për të kufizuar liritë e Hong Kongut.

Tentativa e Shi Xhin Pinit për të rritur gradualisht pushtetin e tij në Hong Kong, është veçse një nga shumë përpjekjet e këtij lloji. Në të gjithë botën, autokratët dhe autokratët e mundshëm, kanë nuhatur një mundësi të paparë. COVID-19 është një situatë emergjente si askush tjetër. Qeveritë kanë nevojë për mjete shtesë për ta përballuar atë. 84 qeveri kanë miratuar ligje emergjente që i japin kompetenca shtesë pushtetit ekzekutiv. Në disa raste, këto fuqi janë të domosdoshme për të luftuar pandeminë dhe do të hiqen pas përfundimit të saj. Por në shumë raste të tjera, ato nuk janë të domosdoshme dhe nuk ka gjasa të hiqen më vonë. Vendet më të rrezikuara janë ato ku rrënjët e demokracisë janë të cekëta dhe kontrollet institucionale janë të dobëta.

Marrim rastin e Hungarisë, ku kryeministri Viktor Orban, është përpjekur të dëmtojë ekuilibrin e pushtetit për një dekadë të tërë. Sipas një ligji të ri mbi koronavirusin, tani ai mund të sundojë me dekret. Kryeministri është bërë praktikisht një diktator dhe do të mbetet i tillë derisa Parlamenti të revokojë fuqitë e tij të reja. Duke qenë se ky Parlament kontrollohet nga partia e tij, kjo gjë nuk do të ndodhë së shpejti. Hungaria është një anëtare e Bashkimit Europian, pjesë e klubit të demokracive të pasura, e megjithatë po sillet si Togo ose Serbia, ku udhëheqësit kanë marrë përsipër fuqi të ngjashme me të njëjtin pretekst.

Kudo, njerëzit janë të frikësuar. Shumë dëshirojnë të ndihen të sigurt. Ushtarët e Wuhan-it po rrëmbejnë mjete shtrënguese që i kanë dashur gjithmonë – sipas tyre, me qëllimin për të mbrojtur shëndetin publik. Grumbullimet e mëdha të njerëzve mund të jenë burim infeksioni; ato po i kufizojnë edhe qeveritë më liberale. Autokratët janë të kënaqur që tashmë kanë një justifikim kaq të respektueshëm për ndalimin e protestave masive, të cilat gjatë vitit të kaluar kanë tronditur Indinë, Rusinë dhe një pjesë të madhe të Afrikës dhe Amerikës Latine.

Pandemia u përdor si një arsye për të shtyrë zgjedhjet në Bolivi, ose për të vazhduar votimin në një kohë kur opozita nuk mund të kryejë fushatë, si në Guineja. Rregullat e bllokimit mund të zbatohen edhe në mënyrë përzgjedhëse. Presidenti i Azerbajxhanit kërcënoi haptazi se do t’i përdorte ato për të “izoluar” opozitën. Edhe paratë e ndihmës mund të shpërndahen në mënyrë përzgjedhëse. Në Togo, është e nevojshme një kartë identiteti si votues, me të cilën nuk janë të pajisur shumica e mbështetësve të opozitës që bojkotuan zgjedhjet e fundit. Pakicat mund të përdoren si fli. Partia qeverisëse e Indisë po kërkon mbështetjen e hinduve duke i portretizuar myslimanët si vektorë të Covid-19.

Për të luftuar virusin, duhet zbuluar se kush është i infektuar, duhen gjurmuar kontaktet e tyre dhe duhen izoluar. Kjo do të thotë se njerëzit janë të prirë të pranojnë cenimin e privatësisë në një shkallë më të lartë se në kohë normale. Demokracitë me masat e duhura mbrojtëse, si Koreja e Jugut apo Norvegjia, nuk ka gjasa ta abuzojnë shumë këtë pushtet. Por regjime si Kina dhe Rusia po instalojnë me padurim pajisje të teknologjisë së lartë për të spiunuar praktikisht të gjithë, dhe ato nuk janë të vetmet. Ligji i ri i emergjencës në Kamboxhia nuk vendos kufizime në këtë mbikëqyrje.

Informacionet e rreme për sëmundjen mund të jenë të rrezikshme. Shumë regjime po e përdorin këtë truizëm si një justifikim për të ndaluar “lajmet e rreme”, me të cilat shpesh nënkuptojnë kritikat e ndershme. Të akuzuarit për “përhapjen e gënjeshtrave” në Zimbabve rrezikojnë 20 vjet burg. Kreu i një komiteti të COVID-19 nën drejtimin e Khalifa Haftarit, një shefi ushtarak libian, thotë: “Ne i konsiderojmë të gjithë ata që na kritikojnë si tradhtarë”. Jordania, Omani, Jemeni dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ndaluar shtypjen e gazetave, me pretendimin se mund të transmetojnë virusin.

Duke gjykuar nga çka është raportuar deri tani, udhëheqësit me tendenca diktatoriale në çdo kontinent, po shfrytëzojnë COVID-19 për interesat e tyre personale. Por duke qenë se gazetarët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut nuk kanë mundësi të shprehen, askush nuk e di nëse abuzimet e raportuara janë edhe më të rënda. Sa disidentë janë burgosur për “shkeljen e rregullave të karantinës”?

Nga shumat e mëdha që po mobilizohen për të luftuar pandeminë, sa është vjedhur nga udhëheqës të tillë dhe servilët e tyre? Një studim i fundit nga Banka Botërore zbuloi se flukset e mëdha të ndihmës për vendet e varfra përkuan me daljet masive të parave në vendndodhje të sigurta me kompani dhe banka të fshehta – dhe kjo ndodhi para se autokratët të përdornin COVID-19 për të përqendruar pushtetin e tyre. Janë të nevojshme kontrolle më të forta.

“Tani është shëndeti mbi lirinë”, thotë kryeministri autokrat i Tajlandës, Prayuth Chan-ocha. Në fakt, shumë prej veprimeve shtrënguese ndaj lirisë të ndërmarra nga regjime të tilla, janë negative për shëndetin publik. Censura bllokon rrjedhën e informacionit, duke penguar përgjigjet ndaj virusit të bazuara në prova. Po ashtu, lejon lulëzimin e korrupsionit. Zbatimi i njëanshëm i distancimit social shkatërron besimin te qeveria, që është i nevojshëm që njerëzit të zbatojnë rregullat.

Mizorë, por të paaftë

Ku do të na çojë kjo situatë? COVID-19 do t’i bëjë njerëzit më të varfër, më të sëmurë dhe më të zemëruar. Koronavirusi nuk mund të përmbahet nga propaganda dhe policia sekrete. Edhe pse disa udhëheqës e shfrytëzojnë pandeminë, paaftësia e tyre për t’u marrë me vuajtjet e popullit do të rrëzojë mitin se regjimet e tyre janë të padepërtueshëm.

Në vende ku familjet vuajnë nga uria, ku policët e pajisur me shkop detyrojnë njerëzit të izolohen dhe ku njëanshmëria dhe abuzimi i pushtetit rrënojnë ekonominë, ka gjasa që kjo të çojë në humbjen e kontrollit nga regjimet. Megjithatë, tani për tani, shenjat tregojnë të kundërtën. Autokratët e paskrupullt po shfrytëzojnë pandeminë për të bërë atë që kanë bërë gjithmonë: të rrëmbejnë pushtet në kurriz të njerëzve që qeverisin.