“Më mirë mend, se një barrë argjend”…

1132
Sigal

Nga Sevo TARIFA

Ka njerëz, fjala e të cilëve del para mendjes. Duke e parë këtë raport; mendim-fjalë, L. Tolstoi i ndante njerëzit në dy kategori: “Disa mendojnë përpara dhe pastaj flasin e veprojnë, kurse të tjerët flasin e veprojnë përpara e pastaj mendojnë”. Pikërisht këta të fundit përdorin gjuhën para mendjes, flasin pa menduar dhe arrijnë në shprehje të pista, ofendojnë, fyejnë, shajnë, akuzojnë. Dhe popuj e dijetarë, me fjalët e urta e aforizma të mençura të tyre bëjnë vlerësimin përkatës për dy organe të njeriut: trurin dhe gjuhën, mendjen dhe fjalën.

“Fjalën peshoje, pastaj lëshoje”

Kur flasim ose diskutojmë duket lehtë se cilën shprehin të parën: Mendimin apo fjalën. Kjo duket qartë sidomos në diskutime e debate të deputetëve, në komisioneve e në seanca plenare të Kuvendit. Ka prej tyre që i lejojnë vetes të dalë gjuha para mendjes. Dhe rrokullisin fjalë pa kontroll, pa përgjegjësi. Në raste të tilla dëmin e gjuhës e paguan koka. Kur gjuha livadhis si të dojë e fjala shket si ngjalë, mendja ka mbetur pas, mirëpo kjo ka përgjegjësinë kryesore dhe duhet të prijë. Ndaj vendi i parë i përket mendimit, pastaj gjuhës. Mund të flasësh shumë, pa kursim fjalësh, por sa peshon mendimi që ato kanë brenda, a është mendimi i parë, apo gjuha lëviz e flet pa doganë, pa pasur burim mendjen? “Atje ku ka pak fjalë, ato kanë peshë”. Gjuha s’ka pse të rrotullohet nga të dojë e si të dojë, pa komandën e trurit. “Fjalët janë figura të mendimit. T’i japësh fjalëve më shumë rëndësi sesa të menduarit, është njëlloj si të braktisësh të dashurën dhe të dashurosh figurën e saj”, shkruante Sami Frashëri. Pikërisht se nuk vlerësohen kështu mendimi dhe gjuha, ky ose ai politikan apo drejtues, kur flet, shpeshherë nxjerr gjuhën të parën dhe jo mendimin! Dhe fjala fluturon para mendjes. Ajo ikën si zogu, të cilin jep e merr e s’e kap dot. Po doli gjuha para mendjes, gojore ose e shkruar, vështirë të retushohet. Pamje të tilla duken kur ata që diskutojnë ndizen, ashpërsohen, acarohen, egërsohen. Gjuha e tyre “kocka s’ka, por kocka thyen”. S’ka rëndësi se ku është fjala e keqe, në fillim, në mes apo në fund të diskutimit, rëndësi ka që fjala është e pakulturuar, pa pasur në thelb dhe në ballë mendimin, logjikën, arsyetimin, qoftë verbalisht apo e shkruar. Kështu ndodh kur flet pa menduar. Kur pikënisje nuk ke mendimin, por gjuhën, fjalën. Nuk mbahet parasysh se një fjalë e mirë të ngroh edhe në dimër, kurse një fjalë e keqe të jep të ngjethura edhe në vapën e beharit! “Sikur të gjithë ata që flasin, t’i peshojnë fjalët, edhe ari do të ishte shumë i lehtë”. Me të tjerët fol pak, me vetveten fol më shumë dhe mëso. “Fjala me kandar, kurrë s’bën zarar”. Mendimi, para se të thuhet, duhet të gatuhet, të piqet, të gdhendet, pastaj të lëshohet. “Fjalën peshoje, pastaj lëshoje”. Dhe fala peshohet, kur mendohet para se të thuhet, pra fjala e ka radhën e dyta, pas mendjes.

“Pa nevojë, mos hap gojë”

Çështja e raportit mendim-gjuhë ka preokupuar prej kohësh mendimtarë të mëdhenj të botës, të cilët kanë bërë studime dhe janë shprehur me aforizmat e tyre të thella e të bukura, kanë përcaktuar shkencërisht vendin dhe rolin e mendimit e të fjalës, dy veçori që e dallojnë njeriun nga bota shtazore. Në fjalët dhe këshillat e tyre, në çdo kohë e në çdo vend, lexuesi sheh aktualitet dhe mund të përfitojë për përmbajtjen e fjalës së tij, për oratorinë e tij. Le të hyjmë në disa “grimca”, për të treguar shkaqet pse mendimi është i pari dhe gjuha është e dyta.  Ka njerëz që kur flasin, bërtasin, për të cilët thuhet “kështu e ka ai”, “e ka zakon të flasë me zë të lartë”, “ai ka zë koke”, “flet me zë të fortë, për arsye se vetë nuk dëgjon mirë vetë” etj. Këto “arsye” edhe mund të qëndrojnë për njerëz të veçantë, por problemi është tek shkaqet e vërteta që i bëjnë njerëzit të flasin me arrogancë e të egërsuar e të mos presin mendimin, pastaj të lëshojnë fjalën.. Një shkak na i jep L. da Vinçi, sipas të cilit, ”Atje ku nuk arrijnë argumentet, atje ato gjithmonë zëvendësohen me britma”. Tregohen arrogantë, përdorin dhe forcën, duan të imponojnë tek të tjerët mendimin e tyre. Për këta është fjala e urtë “Mendja prin, forca grin”. Të tillët kanë nevojë për mend, se fjalët i kanë me bollëk dhe i nxjerrin para mendjes. “Po nuk pate mend, mos dil në kuvend”. Ka dhe shkaqe të tjera: disa drejtuesve u pëlqen vetja dhe mendojnë se sido që të flasin, dinë më shumë se të tjerët që do dëgjojnë! Këtyre u ka dalë mendja mbi flokë. Nuk e “shohin” se “Kur mend shkojnë tek maja e flokëve, punët zbresin tek maja e këmbëve”. Madje këta edhe libra nuk hapin për të zgjeruar e pasuruar kulturën e tyre, po edhe kur lexojnë nuk zgjedhin autorë nga të cilët të mësojnë edhe artin e të folurit. Nuk e kuptojnë se “duke lexuar autorët që shkruajnë mirë, mësohesh të flasësh mirë”. Ndaj është e dobët cilësia e fjalës së tyre. Këta flasin e flasin, por ato që thonë i ngjajnë një peme, e cila bën jashtë mase gjethe, por jep shumë pak fruta. Ndaj fjala e urtë thotë “Fjalët janë gjethe, veprat janë fruta”. Vitet vrapojnë. Jeta ecën. Ecin dhe njerëzit. Po drejtuesit? Ka prej tyre që mbeten pas kohës, bazohen vetëm në “fondin” kulturor që kanë. Mendojnë se “i dinë të gjitha”. Dhe shkojnë në mbledhje me ato “që dinë”, pa menduar më parë se ç’të re do të thonë. Dhe flasin gjithnjë të njëjtat gjëra, bëhen “gazi i botës”, të mërzitshëm për dëgjuesit. Nuk e vrasin mendjen që përmbajtja e fjalës së tyre të ketë nivelin e duhur, të ketë përparësi, të jetë rezultat i një përgatitjeje serioze të veçantë. Nuk e zgjedhin fjalën, e cila do të zbukuronte fjalorin e tyre dhe do të kishte më tepër fuqi tërheqëse. Të udhëhiqemi nga fjalët e Sokratit: “Unë di një gjë, që s’di asgjë”! ky mësim e bën njeriun që të mos mjaftohet me ato që di, por të gërmojë e të mësojë gjithnjë. Për një zyrtar nuk është vështirë të marrë lapsin e të përgatisë një diskutim a fjalim. Mund të derdhi në letër fraza e fjalë pa fund. Po cilësia? Po realiteti? Këto çalojnë, sepse kushdo qoftë, para se të shkruaj duhet të kontrollojë veten: sa e njeh problemin që do trajtojë? Çfarë ka lexuar për të zgjeruar horizontin e tij para se të shkruaj. Në ç’gjendje nervore apo mendore është? Njerëz të mëdhenj kanë dhënë jo pak këshilla: “Përpara se të shkruani, mendoni”. “Ajo që është e errët në kokë, del e errët edhe në shkrim”. Ndodh jo rrallë që drejtues a kuadro flasin për çështje që vetë nuk i kanë të qarta si duhet. Japin “mendime” edhe për fusha, me të cilat janë larg. Më mirë fol vetëm për atë çështje që e ke të qartë, ndryshe mos fol. Mos jep mendime për ato që s’je i zoti. Mos mendo se meqë je titullar në një rreth njerëzish, ose je deputet, ti nxjerr nga goja “flori”. Për atë që di shumë, është fatkeqësi nëse nuk di të mbajë gjuhën. Mund të flasësh shumë. pa kursim fjalësh, por sa peshon mendimi që ato kanë brenda, a është mendimi prijës, apo gjuha lëviz pa burim mendjen. Ka politikanë, drejtues apo shefa, të cilët, kur flasin nervozohen, nxehen, rrëmbehen, skuqen, dridhen, grinden. Ka edhe për këta këshilla të veçanta: “Kur fjalët katandisen në grindje, më mirë hesht: kjo nuk do të thotë se e ke pranuar humbjen”. Edhe “stili s’është gjë tjetër, veçse rregulli dhe lëvizja që u japim mendimeve tona”

“Mos fol veresie, se s’të ka hije”

Nuk mungojnë njerëz që flasin shumë dhe bëjnë jo pak përsëritje. Për këta, në sy ose prapa krahëve të tyre pëshpëritet se janë “llafollogë”, ose “llafazanë”. Mirëpo, duke folur gjatë bëhen të mërzitshëm. Është ndryshe kur janë cilësorë, flasin dhe janë të këndshëm. Këta sa herë flasin, dëgjohen me vëmendje e kënaqësi. Në raste të tilla efektet duken. “Ai që flet, mbjell, ai që dëgjon korr”. “Ata që dinë të flasin, shkurt”.“Fjala e gjatë ka kuptim të shkurtër”. (N. Frashëri). “Fol dhe hesht në kohën e duhur”. “Fol kur është nevoja. Pa nevojë, mos hap gojë”. (N. Frashëri). “Kur njeriu flet pak, duket më i mençur”. (Gorki).  Si rregull gjuha shpreh mendimin, por ndodh edhe ndryshe, gjuha nuk pasqyron gjithnjë mendimin. Këtu shfaqen dy dukuri:

Dukuri e parë, kur gjuha flet sipas mendimit, në përputhje me të. Në këtë rast ajo është besnike e të menduarit, sepse thotë ato fjalë që burojnë nga mendja. Pra midis mendimit dhe fjalës nuk ka kundërvënie. Të dyja ecin paralelisht. Madje njeriu i ndërgjegjshëm vepron me energji për të zbatuar ato që thotë dhe jo të lëshojë fjalë “në erë” për interesa të çastit, siç ndodh me premtimet e deputetëve, të cilët kur duan të marrin vota, premtojnë, pastaj heshtin, e quajnë detyrën të mbaruar! Kjo nuk ndodh kur mendimi udhëheq gjithnjë, kur gjuha është nën ndikimin e tij, kur kjo i qëndron besnike mendimit. “Besnikëria dhe mbajtja e premtimeve, janë cilësi që banojnë në thellësi të shpirtit të një njeriu fisnik”. (S. Frashëri)

Dukuria e dytë, kur gjuha “devijon”, largohet nga mendimi; nga e vërteta, kur njeriu të tjera mendon, të tjera shpreh, të tjera thotë, të tjera bën. Mendon ndryshe e flet ndryshe; kur gjuha “dridhet” por jo pa mendimin, madje jo dhe pa zemrën. “Era fryn” nga është interesi. Sot merr një angazhim, nesër ndërron fjalën ose mohon. Po ajo gjuhë që dje pohoi, sot mohon. Në raste të tilla njeriu mohon vetveten. Kur gjuha nuk shpreh drejt mendimin, i shërbehet jo të vërtetës, por gënjeshtrës. Kjo nuk ndodh pa një interes të caktuar jo vetëm moral, por edhe material. Këtu nxjerr kokë dhe zë fill edhe korrupsioni.  Dikur, në shkollat e Tiranës u hap një anketë me pyetjen: “Cilat filma ju pëlqejnë më shumë?”. U mblodhën anketat dhe rezultoi se më tepër “pëlqeheshin” filmat kinezë! Por çfarë rezultoi? Shumë të rinj e të reja thanë se “më pëlqen filmi kinez”, sepse donin që të ishin “brenda” vijës, qëndrimit të vendit, ndërsa në të vërtetë pëlqeheshin filmat italianë. Në një letër anonime që i dërgohej Komitetit të Rinisë, thuhej: mos u besoni këtyre anketave, se nuk është e vërtetë që filmi kinez është më i pëlqyeri! Pra, ndryshe mendohej e ndryshe flitej ose shkruhej. Kështu ndodh edhe me anketa të tjera që organizohen. Do të ishte mirë që raportin mendim-gjuhë ta shohë tek vetja secili, duke filluar në radhë të parë nga ata që i thonë vetes politikanë. Replikat që kryqëzohen në Parlament, fjalët e ashpra që shkëmbehen, ofendimet, mllefet, batutat pa kripë që përdoren, fjalori i pistë, konfirmojnë drejtësinë dhe urtësinë e mësimeve të mençura me vlerë të madhe të popujve dhe të njerëzve të mëdhenj për mendimin dhe fjalën, të cilat njëherazi reflektojnë kulturën e ulët demokratike tek ne, në radhë të parë të politikanëve tanë.