Pandemia e virusit

506
Sigal

Virusi po afron. Qeveritë i pret një punë jashtëzakonisht e madhe

Në shëndetin publik, ndershmëria ka shumë më tepër vlerë se shpresa. Javën e kaluar u bë tashmë e qartë se sëmundja e re virale, e quajtur Covid-19, e cila goditi Kinën në fillim të dhjetorit, do të përhapet në të gjithë botën. Shumë qeveri kanë sinjalizuar se do të bëjnë përpjekje për të ndaluar sëmundjen. Përkundrazi, ato duhet të fillojnë të përgatisin njerëzit për sulm, shkruan The Economist.

Zyrtarët duhet të hyjnë në veprim kur nuk i kanë të gjitha faktet, sepse për virusin ka shumë gjëra që ende mbeten të panjohura. Parashikohet se 25-70% e popullsisë së çdo vendi të infektuar mund të preket nga sëmundja. Përvoja e Kinës tregon se nga rastet e zbuluara, afërsisht 80% do të përjetojnë simptoma të lehta, 15% do të kenë nevojë për trajtim në spital dhe 5% do të kërkojnë kujdes intensiv. Ekspertët thonë se virusi mund të jetë pesë deri në dhjetë herë më vdekjeprurës sesa gripi sezonal, i cili me një shkallë vdekshmërie prej 0,1%, vret 60 000 amerikanë në një vit të keq. Në të gjithë botën, numri i vdekjeve mund të jetë në disa miliona.

Nëse pandemia merr formën e një gripi shumë të rëndë, modelet tregojnë se rritja ekonomike globale do të jetë dy pikë përqindjeje më e ulët përgjatë 12 muajve, duke arritur në rreth 1%; nëse sëmundja është edhe më e ashpër, ekonomia botërore mund të tkurret. Teksa kjo perspektivë u bë e ditur këtë javë, S&P 500 ra me 8%.

Megjithatë, siç e tregon edhe rasti i Kinës, këto rezultate varen shumë nga fakti se çfarë zgjedhin të bëjnë qeveritë. Provinca Hubei, që ishte origjina e epidemisë, ka një popullsi prej 59 milionë banorësh. Ajo ka më shumë se 65 000 raste të prekurish dhe një shkallë vdekshmërie prej 2.9%. Në të kundërt, pjesa tjetër e Kinës, me 1.3 miliardë njerëz, ka më pak se 13 000 raste të prekurish, me një shkallë vdekshmërie prej vetëm 0.4%.

Zyrtarët kinezë në fillim u përpoqën ta fshihnin lajmin për sëmundjen, një gabim i rëndë, i cili lejoi që virusi të përhapej më gjerë. Por edhe para se sëmundja të ishte përhapur jashtë Hubeit, qeveria vendosi karantinën më të madhe dhe më të rreptë në histori. U mbyllën fabrikat, u ndal transporti publik dhe njerëzit u urdhëruan të qëndronin në shtëpi. Kjo rriti ndërgjegjësimin dhe ndryshoi sjelljen publike. Pa këto masa, Kina tashmë do të kishte regjistruar disa miliona raste dhe dhjetëra mijëra vdekje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë këtë javë e lavdëroi qasjen e Kinës. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ajo është një shembull për t’u marrë nga pjesa tjetër e botës. Çdo karantinë vjen me një kosto – jo vetëm në prodhimin e humbur, por edhe në vuajtjet e atyre që mbyllen brenda, disa prej të cilëve u nënshtrohen trajtimeve mjekësore për arsye të tjera. Ende është shumë shpejt të thuhet nëse kjo sakrificë ia vlen barra qiranë.

Teksa Kina kërkon të ringjallë ekonominë e saj duke zbutur karantinën, ajo mund të goditet nga një valë e dytë infeksionesh. Duke pasur parasysh këtë pasiguri, pak demokraci do të ishin të gatshme të shkelnin individët në masën që e ka bërë Kina. Dhe siç tregon epidemia kaotike në Iran, jo të gjitha qeveritë autoritare janë të afta për ta realizuar. Megjithatë, edhe nëse shumë vende nuk munden ose nuk duhet të kopjojnë Kinën, përvoja e saj nxjerr tre mësime të rëndësishme – duhet biseduar me publikun, duhet ngadalësuar transmetimi i sëmundjes dhe duhen përgatitur sistemet shëndetësore për një rritje të kërkesës.

Një shembull i mirë i komunikimit me publikun është Qendra e Amerikës për Kontrollin e Sëmundjeve, e cila dha një paralajmërim të qartë më 25 shkurt. Një shembull i keq është zëvendësministri i Shëndetësisë i Iranit, i cili shfaqi simptoma të virusit pikërisht gjatë një konference për shtyp, të mbajtur për të treguar që qeveria e kishte nën kontroll epideminë.

Edhe përpjekjet mirëdashëse për ta sheqerosur të vërtetën janë të dëmshme, sepse ato përhapin mosbesim, thashetheme dhe në fund, frikë. Sinjali që sëmundja duhet të ndalet me çdo kusht, ose se është tepër e tmerrshme për t’u diskutuar, vështirëson përpjekjet për t’u përgatitur për ardhjen e pashmangshme të virusit. Teksa qeveritë tregohen të pasigurta, teoritë e konspiracionit që vijnë nga Rusia po mbjellin tashmë dyshime, mbase për të penguar dhe diskredituar reagimin e demokracive.

Koha më e mirë për t’i informuar njerëzit për sëmundjen është para përhapjes së epidemisë. Një mesazh që duhet përçuar është se niveli i vdekshmërisë është i lidhur me moshën. Nëse jeni mbi 80 vjeç ose vuani nga një sëmundje paraprake, jeni në rrezik të lartë; nëse jeni nën 50 vjeç, nuk rrezikoheni. Më pas duhet bindur 80% e të prekurve të ardhshëm me simptoma të lehta, që të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos nxitojnë në spital. Njerëzit duhet të lajnë shpesh duart dhe të mos prekin fytyrën.

Bizneset kanë nevojë për plane vazhdimësie, për të lejuar që stafi të punojë nga shtëpia dhe të sigurojnë zëvendësimin e ndonjë punonjësi jetik, i cili është i sëmurë ose duhet të kujdeset për një fëmijë ose prind. Një shembull për t’u ndjekur është Singapori, i cili nga virusi SARS, një tjetër koronavirus, mësoi se komunikimi i qartë dhe i hershëm kufizon përhapjen e panikut.

Mësimi i dytë që mund të nxjerrim nga Kina, është se qeveritë mund ta ngadalësojnë përhapjen e sëmundjes. Frenimi i epidemisë në shkallë të lartë do të vendoste më pak ngarkesë mbi sistemet shëndetësore, gjë që shpëton jetë. Nëse virusi rezulton të jetë sezonal si gripi, disa raste mund të vonohen deri në dimrin e ardhshëm, një kohë gjatë së cilës mjekët do të kenë mundësinë të kuptojnë më mirë si ta përballojnë sëmundjen. Deri atëherë, vaksina të reja dhe ilaçe antivirale mund të jenë të disponueshme.

Kur vendet kanë pak raste, ato mund të ndjekin secilin prej tyre, duke gjurmuar kontaktet dhe duke i izoluar ato. Por kur sëmundja përhapet në komunitet, kjo masë bëhet e kotë. Qeveritë duhet të përgatiten për momentin kur do të kalojnë në fazën e distancimit shoqëror, që mund të përfshijë anulimin e ngjarjeve publike, mbylljen e shkollave, ndryshimin e orëve të punës etj. Duke pasur parasysh pasigurinë, qeveritë do të duhet të zgjedhin se sa të rrepta duan të jenë.

Ato duhet të udhëhiqen nga shkenca. Ndalimet ndërkombëtare të udhëtimeve duken bindëse, por ato ofrojnë pak mbrojtje sepse njerëzit gjejnë mënyra për të lëvizur. Ato gjithashtu sinjalizojnë se problemi janë “ata” që na infektojnë “ne”, në vend që të kufizojnë infeksionet midis “nesh”. Po kështu, nëse sëmundja është përhapur gjerësisht, si në Itali dhe Korenë e Jugut, karantinat e qyteteve të tëra të stilit të Wuhan-it, ofrojnë mbrojtje të pakët me një kosto të lartë.

Masat mjekësore

Mësimi i tretë është përgatitja e sistemeve shëndetësore për atë që do të vijë. Kjo kërkon një planifikim logjistik të përpiktë. Spitalet kanë nevojë për furnizime me rroba, maska, doreza, oksigjen dhe ilaçe. Duhet t’i ruajnë ato që më parë. Ka shumë gjasa që do të kenë mangësi në pajisje mjekësore, përfshirë ventilatorët. Spitalet kanë nevojë për një skemë, ku të parashikojnë se si të veçojnë pavijone dhe salla të ndara për pacientët me Covid-19, si do të veprojnë nëse stafi sëmuret dhe si do të zgjedhin midis pacientëve nëse janë të mbingarkuar. Kjo punë duhej të ishte bërë tashmë.

Ky virus ka ekspozuar tashmë pikat e forta dhe të dobëta të regjimit autoritar të Kinës. Ai do të vërë në provë të gjitha sistemet politike me të cilat do të bjerë në kontakt, si në vendet e pasura, dhe në vendet në zhvillim. Kina u ka blerë kohë qeverive për t’u përgatitur për një pandemi. Ato duhet ta përdorin atë.