Pa punësim nuk ka familje të sigurtë, as të ardhme për fëmijët

488
Sigal

Studentët e Infermierisë në Universitetin “Fan Noli” Korçë

Pa punësim nuk ka familje të sigurtë, as të ardhme për fëmijët
Nga Vepror Hasani

Kërkesat e studenteve të qarkut Korçë për të studiuar për infermieri të Përgjithshme ose Mami në Universitetin Fan Noli të Korçës, janë rritur së tepërmi, për shkak të mungesës së punësimit brenda vendit dhe pasiguria e familjes për shkak të varfërisë e cila lë pas fëmijë me probleme që rriten mes vështirësive të shumta

Gjatë viteve të fundit kërkesat e studenteve të qarkut Korçë për të studiuar për infermieri të Përgjithshme ose Mami në Universitetin Fan Noli të Korçës, janë rritur së tepërmi. Numri i të regjistruarve ka qenë gjithnjë jashtë të gjitha parashikimeve.Mendohet që edhë në vitet e ardhme vala e regjistrimeve të jetë në këtyre përmasa. Po cilat janë arsyet që nxitin të rinjtë për t’u regjistruar në degën e infermierisë e cila ofron dy programe: Infermieri të përgjithshme dhe Mami. Përgjigjen e marrim nga vetë studentët e Universitetit “Fan Noli”.

Pa punësim, nuk ka familje të sigurtë

 

Arsyet që japin studentët janë pothuajse të njëjta: Pa punësim nuk mund të ketë familje të sigurtë, as të ardhme për fëmijët që vijnë nga familje të tilla. Mjerimi dhe varfëria gërryejnë jetën bashkëshortore, sjellin konflikte që zgjatin pambarimisht, fëmijët rritën në një ambient ku nuk ka qetësi dhe shpresë; jetojnë pa një të ardhme, ata janë të detyruar të përballen me stresin dhe ankthin e së nesërmes. Pamundësinë e tyre ekonomike fillojnë ta ndjejnë në çdo hap që hedhin: në klasë apo në shkollë me shokët, në shoqëri apo në kafe, kudo që gjenden shohin dhe kuptojnë se mundësitë e tyre janë minimale. Sot gjithnjë dhe më shumë dëgjohet të flitet për zgjidhje martesore, për konflikte mes bashkëshortëve, për plagosje dhe vrasje, për urdhërmbrojtjeje, për nxjerrje të bashkëshortit nga banesa, për ashpërsim të ligjeve etj etj. Të gjitha këto vijnë nga varfëria, ashpërsimi i ligjeve nuk e forcon familjen, përkundersa shton numrin e zgjidhjeve të martesës. Dy bashkëshortët janë të detyruar të durojnë njëri-tjetrin vetëm për hir të fëmijëve, por sado të zgjasë kjo mënyrë jeetse, gjithnjë e ka një fund. Zgjidhja martesore bëhet e pashmangshme, për fëmijët nis një jetë tejet e vështirë, edhe shkollimi I tyre nuk do të jetë I lehtë.

Ja pse përzgjedhim Infermierinë

Kjo është arsyeja që përzgjedhim Infermierinë e Përgjithshme ose Maminë, pohojnë studentët e regjistruar në këto dy degë, sepse këto programe studimesh të japin mundësinë të punësohesh jashtë vendit: në Gjermani, Austri, Zvicër apo gjetkë, sepse në Shqipëri nuk ka punë e për rrjedhojë nuk ka as të ardhme. Një i ri në ditët e sotme nuk synon vetëm një punë që së paku t’i japë aq të ardhura sa ta përballojë jetën normalisht, por edhe krijimin e një familje të lumtur, pa grindje dhe konflikte, pa zgjidhje martesore në mes të rrugës dhe pa frikën se familjen duhet ta mbajë sepse po ashpërsohen ligjet! Ndaj çdo vit numri i studentëve që regjistrohen në degën e infermierisë, rritet nga viti në vit. Infermierinë e shohim si mundësinë më të mirë për t’u përballur me jetën. Për këtë arsye, synojmë të arrijmë rezultate sa më të larta, që të jemi të sigurtë për një vend pune, të aftë për të zotëruar profesionin tonë, të dënjë për tu shërbyer qytetarëve evropianë dhe falenderimet e tyre të jenë mirënjohja jonë që na kanë pranuar të vihemi në shërbim të tyre. Jashtë vendit mundësitë e kualifikimit janë shumë më të mëdha, në krahasim më Shqipërinë, ku një mjeku i caktohen disa fshatra për tu shërbyer në ditë të caktuara.

Numri i të regjistruarve 663 studentë

Aktualisht numri i studentëve të regjistruar në degën Infermieri e Përgjithshme dhe Mami në Universitetin “Fan Noli” është 663 vetë. Siç e vumë në dukje edhe më sipër, numri i kërkesave për këto dy degë ka ardhuar në rritje, madje ka patur raste kur kërkesat e studentëve kanë qenë më të larta se kuotat e shpallura nga Universiteti “Fan Noli”. Në këtë universitet

ofrohen dy drejtime studimi: në nivelin Bachelor për Infermieri të Përgjithshme, e cila është çelur që nga viti 1994, dhe për Mami, (çelur në vitin 2005), ofrohet ai i nivelit master me të cilin studentët përfitojnë 60 kredite. Për këtë vit akademik në këto dy programe studimi, janë regjistruar 663 studentë: 90 në vitin e parë, ku 60 janë në drejtimin Infermieri e Përgjithshme dhe 30 në Mami; në vitin e dytë 28 në Infemieri e Përgjithshme dhe 25 në Mami, dhe në vitin e tretë 81 studentë në Infermieri e Përgjithshme dhe 25 Mami. Pra, kërkesat gjithnjë në rritje vijnë për shkak të mungesës së punësimit brenda vendit dhe pasiguria e familjes për shkak të varfërisë e cila lë pas fëmijë me probleme që rriten mes vështirësive të shumta.