Oligarkia që udhëheq bandat e  pronave, përgjak drejtësinë

73
Sigal

Dhunohet barbarisht në mesin e Tiranës avokati Sokol Mëngjesi. Identifikohen 4 banditët që sulmuan me leva hekuri avoaktin , që sapo kishte lënë djalin në kopsht , pak metra nga vendi ku disa vite më parë u ekzekutua edhe një bankier i njohur. Pas vrasjeve ende pa autor të juristëve Kleanthi Koçi në Tiranë, Av. Rafik Gurra në Elbasan ky është një tjetër rast kriminal ku vrasës me pagesë , ikin në drejtim të paditur. Orë pas ore me ngjarjen, reagimin e profesionistëve dhe paralajmërimi i avokatëve për bojkotimin e gjyqeve nëse nuk arrestohen kriminelët

Dhuna kriminale ndaj Sokol Mëngjesit është shpërfaqja e radhës e goditjes së krimit dhe bandave ndaj njerëzve të ligjit dhe qytetarëve të përkushtuar në profesionin e tyre

Ishte ora tetë e gjysmë e mëngjesit. Zotëria solli djalin në kopsht dhe kur po dilte nga kopshti (djali ishte futur brenda), tek dera – nuk e pashë fiks kur e qëlluan, por zotëria u shtri te dera e kopshtit. Kam parë momentin që zotëria ishte i shtrirë”

Sulmet ndaj avokatëve cënojnë jo vetëm integritetin e tyre fizik dhe profesional, por edhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë

Nëntitull: Identifikohen 4 autorët e sulmit me levë ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, kishte lënë djalin në kopsht në zonën e ish bllokut në Tiranë

Ditën e djeshme katër persona me leva e sende të forta dhunuan avokatin e njohur, Sokol Mëngjesi. Sulmi ndodhi rreth orës 08:50 në zonën e ish-bllokut në Tiranë, sapo avokati kishte dalë nga kopshti nr 31, ku kishte çuar djalin e vogël. Avokati që njihet dhe si një nga avokatët e ish kryeministrit Sali Berisha u dhunua nga tre persona në një zonë të populluar dhe të mbuluar nga kamerat e sigurisë. Nga ajo çfarë kanë filmuar kamerat e sigurisë autorët kanë qenë të pamaskuar por të veshur me kapele dhe me rroba të zeza. Autorët i janë afruar Mëngjesit dhe fillimisht e kanë qëlluar me shpulla. Avokati duket se i ka njohur autorët pasi fillimisht komunikon me ta dhe më pas ata e kanë qëlluar edhe me sende të forta. Policia thotë se ka identifikuar njërin prej autorëve dhe ka ushtruar kontroll në banesën e tij, por nuk e ka gjetur. Sulmi duket se ishte planifikuar pasi autorët dinin lëvizjet që pedagogu i Fakultetit të Drejtësisë kryente çdo mëngjes dhe e kanë pritur që ai ta linte fëmijën në kopsht. Mësohet se Mëngjesi ka fraktura në kokë dhe dëmtime të tjera në trup. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, avokati është futur në intubim dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës. Ai po merr ndihmë nga aparaturat mjekësore për oksigjen. Në spitalin e Traumës e vizitoi Argita Malltezi vajza e ish-kryeministrit Berisha dhe kreu i policisë së Tiranës Tonin Vocaj. Mëngjesi prej 2010 është pedagog në Departamentin e së Drejtës Penale të këtij fakulteti. Ndërkohë ushtron dhe profesionin e avokatit duke mbrojtur ish kryeministrin Sali Berisha në dosjen e aferës së privatizimit të sport klub Partizanit për të cilën po hetohet për akuzën e korrupsionit. Pas ngjarjes të parët që kanë reaguar kanë qenë anëtarë të familjes ‘’Berisha”, avokat i të cilëve është dhe Mëngjesi. Ata kanë drejtuar gishtin e fajtorit tek qeveria. Ndërkohë vajza e Berishës e vizitoi dhe spital. Po ashtu reagime të shumta ka pasur nga institucionet e drejtësisë dhe nga anëtarë të kabinetit qeveritar.

Si ndodhi ngjarja dhe kush janë autorët që dhunuan barbarisht avokatin?

Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur gjatë ditës së sotme, ku u dhunua avokati Sokol Mëngjezi. Autorët e dyshuar janë shtetasit Romario Tabaku, Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia. Në foton e mëposhtme shihen dy prej tre personave që dhunuan avokatin Sokol Mëngjesi, sulm i ndodhur në orën 8:30 minuta të mëngjesit. Autorët shihen duke u larguar me vrap, pasi e kanë lënë pa ndjenja avokatin Mëngjesi.

Nga pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë përreth duket që autorët i janë afruar Mëngjesit dhe fillimisht e kanë qëlluar me shpulla. Në kamera duket se avokati i ka njohur autorët pasi fillimisht komunikon me ta më pas ata e kanë qëlluar edhe me sende të forta. Përveç 4 autorëve të identifikuar dhe shpallur në kërkim, policia ka shoqëruar edhe organizatorin e këtij sulmi, Dritan Nano 50 vjeç. Po ashtu policia vë në dispozicion 20 mijë euro kush jep informacion që çojnë në kapjen e tyre. Një grua që ka qenë dëshmitare e skenës së rëndë. Ajo thotë se Mëngjesi është sulmuar në derën e kopshtit, ku kishte lënë djalin e tij të mitur. Dëshmitarja shprehet se Mëngjesi ka qenë i shtrirë në tokë, deri në mbërritjen e punonjësve të policisë dhe ambulancës. Gruaja tregon që Mëngjesi ka qenë në gjendje të pavetëdijshme, ndërsa i rridhte gjak nga pjesa e pasme e kokës. Shkak për rrahjen e avokatit Sokol Mëngjesi është bërë një gjyq pronash dhe pakënaqësitë e njërës palë për punën e tij. Drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj në konferencë për median deklaroi se avokati është goditur për shkak të detyrës. “Avokati ka përfaqësuar në një proces civil ligjërisht në shkallë të parë dhe në apel, një familje e cila kishte të trashëguar një pronë në Tiranë, proces që është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës me studion ligjore “Alterum shpk”. është shoqëruar Dritan Nano, i cili u ndalua si organizator i ngjarjes kriminale” tha Vocaj.

Kush është avokati Sokol Mëngjesi që u dhunua barbarisht nga bandat?

Sokol Mëngjesi është diplomuar në vitin 2004 në Fakultetin e Drejtësisë Democritus në Greqi. Po në Greqi, nga viti 2004 deri në vitin 2006 ka ndjekur Masterin Shkencor në të Drejtën Penale dhe Kriminalistikë, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti Democritus. Në po të njëjtin universitet ka marrë edhe titullin ‘Doktor i Shkencave’ Juridike në mars 2010. Në korrik 2016 Mëngjesi ka marrë titullin akademik ‘Profesor’. Në Universitetin Democritus ku ka mbaruar studimet akademike, Mëngjesi ka qenë pedagog i Jashtëm në Departamentin e së Drejtës Penale në periudhën nëntor 2005 deri Janar 2008. Në periudhën Shtator 2004 deri Janar 2008 ka punuar si asistent avokat pranë Av. Prof. Dr. Stefano Pavlu, Selanik – Greqi. Mëngjesi ka qenë dekan në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe prej 2010 është pedagog në Departamentin e së Drejtës Penale, Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Nga viti 2009, Mëngjesi ka marrë licencën e avokatit nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë Shqipëri, ndërsa është edhe një prej mbrojtësve të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai është gjithashtu avokat edhe i Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos në çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Të hetohen me përparësi aktet e dhunës ndaj Sokol Mëngjesit

KShH është njohur me anë të medias për aktet e rënda të dhunës ndaj Prof. Sokol Mëngjesit, Pedagogut të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, njëkohësisht me profesion Avokat. Këto akte kanë ndodhur teksa po dilte paraditen e sotshme nga kopshti ku kishte shoqëruar fëmijën e tij. Jeta e kujtdo është e çmuar dhe shteti ka detyrimin pozitiv për ta mbrojtur atë. Askush nuk ka të drejtë të kryejë akte të dhunshme, që dëmtojnë shëndetin dhe vendosin në rrezik jetën e kujtdo. Akte të tilla përveç se të dëmshme, krijojnë një perceptim të rrezikshëm për shoqërinë dhe rendin publik, se jeta dhe shëndeti ynë është e pasigurt. Vlen të theksohet se solidariteti ndaj akteve të tilla të dhunshme që prekin dhe kërcënojnë figurën, jetën dhe shëndetin e funksionarëve dhe profesionistëve të sistemit të drejtësisë apo çdo profesionisti nuk mjafton. KShH në mënyrë të përsëritur ka bërë thirrje për hetime të gjithëanshme, efektive dhe të zhvilluara në kohë të arsyeshme si dhe dënim të fajtorëve. Si rrjedhojë, KShH është i mendimit se organet e drejtësisë, të ndihmuara në kohë nga autoritetet e specializuara ligjzbatuese mund të kontribuojnë pozitivisht në parandalimin efektiv të përgjithshëm e të posaҫëm të këtyre veprave penale.

Politika dhe institucionet e drejtësisë reagojnë për dhunimin e avokatit

Avokati i Popullit ka reaguar në lidhje me dhunimin barbar të avokatit Sokol Mëngjesi. Përmes një njoftimi, ky institucion shkruan se ky akt është një sulm i rëndë ndaj profesionit të avokatit dhe sistemit të drejtësisë në tërësi, duke minuar parimet themelore të drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës. Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë reagoi pak orë pas dhunimit barbar të avokatit Sokol Mëngjesi në Tiranë. Në reagimin e saj DHASH, kërkon nga autoritetet që të zbardhin ngjarjen, ndërsa shton se dhuna ndaj Mëngjesit, nuk është një rast i izoluar duke sjellë në vëmendje dhunimin e një avokati në Lezhë. Sipas Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, kërcënimi i avokatëve, sidomos për shkaqe që lidhen me ushtrimin e detyrës jo vetëm cënon rëndë misionin e avokatit në ushtrim të profesionit të tij, por krijon situata të vështira që duhen të vlerësohen maksimalisht.

Vajza e ish-kryeministrit, Argita Malltezi vajti në Spitalin e Traumës, aty ku është shtruar avokati i babait të saj, Sokol Mëngjesi. Në një prononcim për mediat, Malltezi tha se avokati është sulmuar për shkak të detyrës, duke shtuar se nuk ka komunikuar dot me të për shkak se ishte në reaminacion. “Avokati u sulmua për shkak të detyrës. Kush e njeh Sokolin e di sa njeri korrekt është. Nuk ka asnjë konflikt tjetër. Ai është në reanimacion nuk e takova dot, por fola me familjarë dhe mjekë. Duhet të presim për të parë gjendjen e tij,”- tha Malltezi.

Zëdhënësja e Rithemelimit, Floriana Garo tha se autorët janë urdhëruar nga Edi Rama për të sulmuar avokatin e Berishës, dhe siç thekson – kryeministri do të mbajë përgjegjësi personale për këtë akt.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla iu përgjigj duke thënë se policia po e ndjek rastin me prioritet, por edhe vetë ai personalisht.

Dhuna ndaj juristit Sokol Mëngjesi, mori vëmendjen edhe të deputetëve në komisionin parlamentar të Ligjeve. “Të kërkojmë që autorët e kësaj dhune të vihen para përgjegjësisë penale, në rast të kundërt.., ku s’ka sundim të ligjit, qytetarët po bëjnë vetëgjyqësi”, -tha deputeti opozitar Asllan Dogjani. “Organet të hetojnë dhe të nxjerrin para përgjegjësisë fajtorët pa arritur ne në konkluzione. Dhuna është e papranueshme”, u shpreh Klotilda Bushka, kryetare e Komisionit të Ligjeve.

Vrasja e juristit Kleanthi Koçi, hapi ‘siparin’ e goditjes së njerëzve të ligjit për problemet me prona

“Kishte 2-3 çështje të mëdha, një në Stamboll, në Turqi, njërën në Vlorë me dy mbiemra, që unë i njihja edhe si familje kush ishin në Vlorë, bëhej fjalë për ca pasuri te ‘uji i ftohtë’, këto ishin në përgjithësi”

Një ngjarje mjaft e rëndë tronditi Tiranën mbrëmjen e 21 shkurtit të vitit 1999. Një nga juristët më të njohur, kryetari i Dhomës së Avokatisë, Kleanthi Koçi, mbeti i plagosur rëndë pas një atentati që u organizua ndaj tij. Në sheshin Skënderbej, shumë pranë 15-katëshit, dikush i afrohet, i thotë diçka dhe e qëllon 3 herë me pistoletë në trup. Mjekët dhanë shpresa për jetën dhe e nisën atë për kurim në Itali. Por pas disa minutash fluturim, Kleanthi Koçi ndërroi jetë nga një atak në zemër, më 28 shkurt. Para se të vdiste, kur policët i kishin treguar atij disa fotografi, përgjigjja e avokatit ka qenë: Do t’ua tregoj, kur të dal nga spitali. Kjo ka çuar në idenë e ripyetjes të të gjithë njerëzve të afërm të tij, sidomos kolegëve që duhet të kishin dijeni për ndonjë problem në detyrën si avokat. Një tjetër element jo pak i rëndësishëm ishin edhe çështjet gjyqësore që kishte në shqyrtim Kleanthi Koçi. Sipas të dhënave, që nga momenti që ai doli si avokat, kishte marrë vetëm dy çështje penale.  “U takuam dhe duhet të ketë qenë ora 10, apo diçka më shumë, rreth orës 10. Kur ndaheshim meqë shtëpitë i kishim po aty afër dhe u ndamë në drejtime sipas shtëpive. Pa shkuar në shtëpi, kanë ardhur ca çuna të rinj dhe më thanë: “ore Kleanthin e goditën me pistoletë”. Nuk kishte ndonjë shqetësim, pothuajse 90% të çështjeve ne i ndiqnim bashkë, dija dhe problematikën e tyre, nuk kishte ndonjë konflikt”, tregonte shoku i tij, Riza Hicka, Avokat. Koçi i mbijeton sulmit dhe për 3 javë merr mjekime në spital. Aty, ai është pyetur nga hetuesit dhe se Koçi e kishte njohur autorin, por kishte deklaruar se do të fliste pasi të dilte nga spitali. “Ai u vra, në mes qytetit të Tiranës, në afërsi të hotelit 15-katëshit, u vra në kushtet që ka patur thonë njerëz rreth e rrotull tij, në vendin ku u vra ai dhe për fatin e keq asnjëherë nuk u zbulua, nuk u tregua, nuk u tha asgjë me rëndësi për vrasjen e tij”, Fehmi Abdiu, ish – gjyqtar. Gjendja e tij shëndetësore u përmirësua ndjeshëm. Madje, ai u ngrit në këmbë. Nuk dihet se në çfarë rrethanash u vendos që ai të nisej në Itali për kurime të tjera, pasi mjekët kishin deklaruar se kaloi rrezikun. “Ministria e Drejtësisë e Italisë çoi një avion ta merrte. Dhe avioni vjen në Rinas. Në Rinas ndodhi diçka që e mora vesh më pas, ish shefi i policisë në Rinas që u vra më pas, Gani Mluashi, ishte shef në Rinas, ndonëse ky piloti avionit i thoshte ma lë se doktori s’kishte vizë, se udhëtohej me viza në atë kohë. Ma lër se e marr përsipër unë, se në Itali i përgjigjem unë, e marr përsipër unë, ai e vonoi 3-4 orë”, tregon Riza Hicka, Avokat. Sapo avioni ngrihet, fatkeqësisht Kleanthi Koçi pëson një komplikacion dhe ndërron jetë. Vdekja e tij e papritur ngriti shumë pikëpyetje dhe hipoteza në shtypin e kohës. “Unë jam interesuar dhe kam lexuar aktin e ekspertimit të Italisë, s’ishte vdekje nga zemra. Plaga që kishte marrë në bark s’kishte lidhje”, tregon Riza Hicka, Avokat. Kush i trembej Kleanthi Koçit dhe pse e donin atë të vdekur? Pasi u bë avokat, ai pati pak çështje penale në dorë. Koçi, kryesisht po trajtonte dosje që lidheshin me konflikte pronësie. Dhe kjo ishte pista kryesore ku aso kohe hetuesit janë fokusuar. “Kishte 2-3 çështje të mëdha, një në Stamboll, në Turqi, njërën në Vlorë me dy mbiemra që unë i njihja edhe si familje kush ishin në Vlorë, bëhej fjalë për ca pasuri në ujë të ftohtë, këto ishin në përgjithësi, ishte dhe kjo e famailjes Pazari këtu”, tregon Riza Hicka, Avokat. Si avokat, ai qëndronte larg simpative politike. Kleanthi Koçi i kishte shërbyer Nexhmije Hoxhës, por edhe Leka Zogut. Vrasja e tij mbetet ende mister sot e kësaj dite. Në atë kohë, ishte një krim, që tronditi rëndë mbarë opinionin. Ishte i pari njeri i rëndësishëm i drejtësisë që ekzekutohej.