OKB jep alarmin: 200 mijë shqiptarë janë pa bukë

547
Sigal

Raporti i publikuar së fundmi nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, agjencia për ushqim dhe agro-bujqësi, që i referohet gjendjes së ushqimit nëpër botë për 2018-n, nxjerr në pah të dhëna tejet alarmante. Një ndër to është numri i shqiptarëve të paushqyer. Sipas raportit, ky numër është dyfishuar në harkun e një viti. Aktualisht, OKB vlerëson se numri i shqiptarëve të paushqyer fiksohet në rreth 200 mijë të tillë, nga rreth 100 mijë që vlerësonte në raportin e kaluar. Gjithsesi, raporti tregon se prevalenca e atyre të paushqyer mbi totalin e popullsisë në vendin tonë fiksohet në 5.5%. Kjo është norma më e lartë në rajon pas Serbisë, me 5.6%. Kështu, rezulton se, në Evropë, Shqipëria është e dyta pas Serbisë për përqindjen e popullsisë së paushqyer. Si për ironi të fatit, ndërkohë që numri i atyre të cilët nuk kanë me çfarë të ushqehen është rritur ndjeshëm, po ashtu është rritur edhe numri i shqiptarëve të rritur, mbi 18 vjeç, të cilët vuajnë obezitetin. Këta të fundit vlerësohen të zënë 22.3% të popullsisë së rritur në të dhënat e vitit 2016, ose rreth 500 mijë sipas raportit, nga rreth 400 mijë të vitit 2014.