Nuk ka studentë, mbyllen disa degë në universitetet e Gjirokastrës dhe Elbasanit

387
Sigal

Dy universitete në rrethe e nisin këtë vit akademik me tri programe studimi më pak, për shkak se për të disatin vit radhazi nuk janë mbushur kuotat për t’u çelur si degë.

IAL-të e prekura janë “Eqerem Çabej” në Gjirokastër dhe “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, në të cilat mungesa e të rinjve i ka çuar në kolaps.

Tek i pari nuk janë vetëm degë mësuesie ato që janë goditur nga nota e rritur mesatare, por edhe një program i kërkuar shumë së fundmi.

Konkretisht, bëhet fjalë për Teknologji Informacioni, Matematikë Fizikë dhe Gjuha italiane.

Në prag mbylljeje janë edhe degë të tjera të mësuesisë dhe parashkollori, për të cilat ka pasur interes shumë të ulët nga aplikantët e sivjetshëm.

Në rang universiteti ka pasur rritje të pranimeve të reja në masën 16%, kryesisht në Administrim biznes, Turizëm apo degë që i përgjigjen tregut të punës.

Nga mungesa e studentëve është prekur edhe Universiteti i Elbasanit, i cili këtë vit nuk hap programet fizike kompjuterike dhe Gazetari sportive.

Rritja e notës mesatare për pranimet e reja, e veçanërisht për degët e mësuesisë, ka çuar në kyçjen e disa degëve në rrethe sidomos, ndërsa vë në rrezik shumë të tjera.