Një vit pas shkatërrimit nga tërmeti, nis projekti i ndërtimit të 75 shtëpive individuale dhe 7 pallateve në Bubq

266
Sigal

Ka kaluar më shumë se një vit nga tërmeti tragjik dhe projekti për ndërtimin e 75 shtëpive individuale e 7 pallateve, ka nisur ditën e sotme zbatimin në Bubq të Krujës.

”Kemi një kompleks të tërë ndërtimesh. Kemi avancuar gati në përfundim me infrastrukturën nëntokësore dhe jemi në fillesat e punimeve mbitokësore. Siç e shikoni, në krah të majtë kanë filluar sot pallatet. Do të jenë 7 pallate për 45 familje”,-tha ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj.

Pjesë e projektit transformues, janë jo vetëm njësitë e banimit, por edhe objektet arsimore. Themelet e shkollës së re “Selman Daci” sapo kanë përfunduar dhe po hidhet pllaka e katit të pare.

Shkolla e mesme e bashkuar “Selman Daci” ka 19 ambiente, 12 klasa, 2 kopshte, 5 laboratorë në shërbim të nxënësve. Ajo do të mirëpresë 300 nxënës”, shpjegon kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi. Ndërsa ministri Ahmetaj njofton se sot ka përfunduar shkolla e parë nga ana e donatorëve.