Një përshkrim nga ditët e coronavirusit në qytetin e serenatave

532
Sigal

Korça,19 raste me coronavirus, 16 të shëruar plotësisht

Nga Vepror Hasani

Coronavirusi trokiti edhe në dyert e qytetit të Korçës. Të parët që u trishtuan për këtë lajm të keq ishin të moshuarit. Për ta ishte folur shumë, thuhej se virusi rrëmbente jetët e tyre, madje pati edhe thashetheme që thoshin se virusi ishte shpikur për të hequr qafe pleqtë. Pati edhe nga ata që  i besuan të gjitha këto. Ata që u mërzitën nga lajme të tilla ishin të shumtë. Asnjëherë nuk ishte përfolur kaq shumë pleqëria, tashmë pleqtë po u ngjasonin politikanëve sepse për ata thuhen të mira dhe të këqija, të vërteta dhe gënjeshtra, por asnjëri prej tyre se vret mendjen, sepse kjo i ndihmon që asgjë të mos jetë bindëse për ta; kurse gjithçka që thuhej për pleqtë ngjasonte me të vërtetën dhe aspak me gënjeshtrën. Megjithatë, në të gjitha kohrat është besuar se njerëzit e mirë janë triumfatorë. Por shqiptarët kanë një të këqe të madhe, nuk ankohen kurrë, u ka mbetur kjo gjë që nga vitet e monizmit, e kanë të vështirë të thonë mendimin e tyre, sepse janë mësuar të thonë  çfarë mendon i pari i tyre. Thuhet se njerëzit që ankohen më shumë janë italianët dhe asgjë e keqe nuk u ka ndodhur  nga kjo; përkundrazi. Ja çfarë thotë për ta Ëilhelm Muhs: “Italianët ankohen tepër, domethënë jetojnë mirë.”

Pleqtë, a janë vërtet të rrezikuar?

Fillimisht coronavirusi trokti në banesën e një çifti të moshuar: njëri 78 vjeç, tjetri 79; ishin infektuar nga mbesa e tyre që kishte ardhur nga Italia më 8 mars për të parë gjyshërit e saj. Lajmi tronditi më së pari pleqtë, rasti vërtetonte se gjithçka që ishte thënë për ta paskësh qenë e vërtetë, virusi nuk i kursente të moshuarit. Pas tyre u prek nga virusi menaxheri i një lokali, 32 vjeç, vuante nga sëmundjet e mushkrive, gjatë muajit shkurt kishte patur udhëtime në Itali; edhe kjo ngjarje tregonte se të rrezikuar mbeteshin njerëzit me imunitet të dobët. Fill pas kësaj ndodhie, më 23 mars, i prekur nga virusi rezultoi edhe një i moshuar mbi 80 vjeç, fqinj i dy të moshuarve që ishin prekur nga Covid-19, por gjatë kohës së karantinimit, pas testeve të kryera, rezultoi negativ; i moshuari ishte shëruar plotësisht. Shërimi i tij përmbyste gjithçka që ishte thënë deri atëherë për të moshuarit. Më 16 prill, bashkëshortja 80-vjeçare e plakut të shëruar, rezultoi e infektuar, u çua në Spitalin Infektiv të Tiranës. Gjatë kësaj periudhe 23 mars – 17 prill numri i të infektuarve shkoi në 19, ndërsa i të shëruarëve 16, pritet edhe kthimi i tre pacientëve të fundit.

Nuk pati as serenata        

Ndërsa epidemia po bëhej më prezente, në rrugë doli policia dhe ushtria, flitej për urdhëra dhe udhëzime, ndalime dhe kufizime, orare të përcaktuara, dalje dhe kthim në shtëpi pa u kapur në rrugë pas përfundimit të orarit. Vendoseshin gjoba, shoqëroheshin në komisariat. Pleqtë përgjonin nga dritaret, ata nuk mund të dilnin më as në rrugë. Ngjarjet e ditës përshkoheshin nga dramaciteti. Qyteti i serenatave kishte mbetur i heshtur. Nuk ndalohej të këndohej, por jo në rrugë dhe parqe. U tentua disa herë të ngjiteshin në kodrat e qytet, por edhe kjo përpjekje nuk u rezultoi e suksesshme. Policia shfaqej gjithandej. Edhe lajmet flisnin vetëm për ndalesa e kufizime. Mëgjithatë tingujt e kitarave nisën të dëgjohen në oborret e shtëpive. Serenatistët nuk mund të qëndronin dot pa kënduar serenatat. Edhe pse nuk kishte me bare e restorante, këndohëj me shumë ndjenjë këngëa “Sapo dal nga Republika”

Të moshuarit kthehen në shtëpi         

Prilli trokiti me lajme të mira. Tre persona të prekur nga virusi korona; çifti i të moshuarve Yzedini 79 vjeç, i cili vuante dhe nga sëmundjet respiratore dhe bashkëshortja e tij, Sanija 78 vjeç, dolën të shëruar nga Spitali Infektiv; po ashtu edhe Learti. Lajmi i mirë për Korçën u dha nga mjeku infeksionist Pëllumb Pipero. Të shëruarve iu shtua edhe një peson katërt, për të cilin nuk u kemi detaje më shumë. Drejtori i Spitalit Rajonal të Korçës, Litian Broka bëri të ditur shërimin e dy personave të tjerë: të mjekes të Spitalit Rajonal të Korçës dhe të Eqeremit 77 vjeç, numri i të shëruarve shkoi në 7. Nuk vonoi shumë, më 12 prill, numri i personave të shëruar mbërriti në 14. Një ditë më pas, më 13 prill të ardhurve nga spitali iu shtua edhe një person tjetër; gjithsej 15. Aktualisht numri i të shëruarve është 16. Shpresat për t’u rikthyer në qytetin e Korçës shëndoshë e mirë të 19 personat janë maksimale. Pleqtë e Korçës e sfiduan vdekjen.