Një nisme në arsim, së cilës ka nisur ‘t’i pikojë çatia’ që në muajin e parë

778
Ermion Dulla

Me hir e me pahir, nisma “3 lëndë per 6 orë”, tashmë është një projekt që ka marrë jetë, me synimin për rritjen e cilësisë mësimore. Pavarësisht se, ende efektiviteti i saj nga mësuesit vihet në pikëpyetje. Bile, tani pas një muaji për shumë prej tyre, kjo nismë iu ngjan “një vërë në ujë”. Të paktën shumë mësues me përvojë mbi 30 vjeçare në sistemin e arsimit pohojnë se, “kjo nismë kërkon një ndryshim të plotë të të gjithë kurikulës lëndore, ose do të rezultojë një dështim ekzemplar”. Problemi është se, kjo nismë nisi të zbatohej pa asnjë përgatitje paraprake, pa i vënë në dijeni mësuesit, të cilët e mësuan vetëm në ditët e para të janarit nga kryeministri dhe Ministrja e Arsimit gjatë takimeve që organizonin me mësuesit pas festave të vitit të ri. E vërteta është se, sistemi arsimor tashmë në këtë Shqipërinë tonë haptazi duhet thënë se është i shkatërruar. Ndaj kjo nismë ka marrë jetë në mënyrën më qesharake. Pasi as mësuesit vetë nuk e dinin se çfarë do të bënin. Ndërsa tani po e shohin se, pa ndryshuar kurikulën nisma “3 lëndë për 6 orë” është e dështuar. Vetë mësuesit tregojnë se, “nisma gjatë këtij muaji po tregon se, niveli i përvetësimit të njohurive të reja ka rënë ndjeshëm. Brenda 2 orëve nxënësve u jepen dyfish njohuri të reja brenda ditës. Kër deri tani, veçanërisht në rajonet rurale, ata mezi përvetësonin njohuritë e reja që u jepeshin në një orë. Fakti i dyfishimit të njohurive të reja për lëndët me një orë në javë, që tashmë jepen një herë në dy javë, i ka larguar nxënësit nga puna me këto lëndë. Kënaqësia e nxënësve është vetëm për orët e dyta si atë të fiskulturës me 3 orë në javë, me të cilën vërdallosen duke luajtur me topa me lecka që i përgatisin vetë. Pasi shteti, veç rritjes së orëve të fizkulturës nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë për bazën materiale që kërkon kjo orë mësimi. E vërteta është se, pesha e çantës së nxënësit është lehtësuar, por jo ngarkesa mësimore. Bile ka ditë, kur ngarkesa mësimore është rritur. Kështu ndodh në rastet, kur janë 6 orë mësimi me lëndët e para, si matematikë, gjuhë, apo gjuhë e huaj. Në raste të tilla mbingarkesa ka sjellë që nxënësit në të tilla ditë, t’ia gjejnë anën duke mos shkuar fare në mësim. Për raste të tilla na tregojnë mësues që punojnë në shkollat rurale, ku vështirësitë të tilla janë më të pranishme. Nisma e re e zbatuar po tregon se, nënvlerësimi i mësuesve për vënien e saj në jetë, ka evidentuar sa e drejtë ishte ankesa e shumë mësuesve, se pse, ta mësonim këtë nismë nga media dhe jo nga Ministria e Arsimit. “Ne vetëm zgurdulluam sytë kur mësuam për këtë nismë. Ndërsa askush nuk na la të hapnim gojën. Ne e dimë se sot ne vlerësohemi si skllevërit e vetëm të mbetur në këtë fillim shekulli”,- thonë mjaft mësues që e shohin nismën më shumë si një rrugë përfitimi nga disa se, një mundësi për rritjen e nivelit cilësor të mësimdhënies, kur në këtë vendin tonë nuk shpenzohet më shumë se 2,5 për qind e prodhimit të përgjithshëm bruto. Kur ende rreth 25 për qind e shkollave në shkallë vendi janë të paelektrifikuara, kur shumica e shkollave nuk kanë asnjë lloj laboratori, kabineti, apo biblioteke. Në këto kushte është e kotë të flasësh për rritje të nivelit të mësimdhënies. E vërteta është se, sistemi arsimor, vazhdon të mbetet i zhytur në reforma të njëpasnjëshme, por pa i dhënë drejtimin e saktë që duhet të marrë. Edhe kjo nismë vetëm e rrumpallos edhe më shumë. Ja, bie fjala, nisma ka marrë jetë, po asnjë prej mësuesve nuk e di cili është autori i vërtetë i kësaj nisme që nisi të zbatohet në mes të vitit shkollor? Në mënyrën më groteske, mësuesve u ka rënë barra ta zbatojnë gjithë nismën ashtu siç dinë e siç munden ta zbatojnë. Janë ata që e kanë vënë re se indirekt nxënësit vetëm mbingargohen me njohuri të reja brenda ditës. Janë ata që japin alarmin e mbingarkesës brenda ditës të nxënësve. Dhe kjo mbingarkesë, i largon nxënësit edhe më shumë nga libri dhe njohuritë e reja që u jepen brenda ditës. E vërteta është se nisma ka lehtësuar çantën e nxënësit, po ka rritur normën e marrjes së njohurive të reja brenda një dite. Një gjë e tillë është evidentuar nga vetë mësuesit që e kanë ndjerë gjatë punës së tyre me nxënësit, veçanërisht me ata mesatarë dhe të dobët. E vërteta është se mësuesit nuk dinë të ankohen. (e thamë më sipër se, ata tashmë janë kthyer në skllevër). Ashtu sic janë kthyer drejtuesit e këtij sektori në agallarë, të cilëve kushedi ç’u pjell mendja nesër. Sepse prindër, mësues e nxënës ende e mbajnë mend projektin grotesk të ndëshkimit të nxënësve me karton të verdhë, një projekt që çuditi dynjanë, por që fatmirësisht u la mënjanë shpejt. Gjithsesi, gjithë komuniteti mësues, prindër, nxënës e kanë mësuar tasdhmë se, në arsim gjithçka që mund të ndryshojë kërkohet të bëhet mbi baza studimore dhe jo të ndryshojë si deri tani që ndryshon si t’i teket njërit apo tjetrit. Këtë ende nuk e kanë kuptuar agallarët që e drejtuan arsimin në mënyrën më idioteske gjatë këtyre afro 30 viteve. Aq sa edhe kjo nisma më e fundit kërkon detyrimisht ndryshime thelbësore të kurikulës së teksteve shkollore që t’i përafrojnë me “3 lëndë në 6 orë”. 
Sigal