Një dekadë, 11 vrasje e 5 të zhdukur në Sarandë: Detaje nga hetimet për Sulovarin e Thodhorin

88
Sigal

Nga një qytet i qetë turistik, droga dhe konfliktet e pronave për investimet në turizëm, duket se e kanë kthyer Sarandën në një qytet me kriminalitet të lartë. Dosja hetimore e dy të zhdukurve, Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit, tregon se pistat kryesore lidhen pikërisht me çështjet e sipërpërmendura. Nga ana tjetër, raportet e institucioneve të drejtësisë tregojnë se në 10 vitet e fundit kanë ndodhur 11 vrasje dhe pesë persona janë zhdukur, ku gjysma e ngjarjeve nuk janë zbardhur ende.

Investimet strategjike, që kanë çuar në konflikte për çështje pronësie si dhe droga, duket se e kanë shndërruar Sarandën nga një qytet të qetë turistik, në një qytet me probleme të theksuara të krimit.

Këtë e konfirmojnë detajet e nxjerra nga dosja hetimore për dy personat e zhdukur në prill të këtij viti, Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit. Sipas Dosjes, nga dosja rezulton se pistat e mundshme të zhdukjes së tyre lidhen me trafikun e kokainës, tokat e pa azhornuara dhe investimet strategjike në sektorin e turizmit. Në vendimin për caktimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit S. B, por edhe nga dëshmia në media e një prej personave që mund të ketë dijeni mbi ngjarjen, flitet për përdorim të kokainës dhe tregtim të saj nga personat që ende rezultojnë të zhdukur.

Gjithashtu rezulton se Leonard Thodhori lëvizte i armatosur me pistoletë në Sarandë dhe po i armatosur ka lëvizur edhe në aksin Sarandë – Kardhiq.

Dosja e zhdukjes së dy personave ka nxjerrë në skenë problemin e pronave pa dokumentacion në Sarandë, çka ka çuar shpesh në konflikte. Edhe pas 33 vitesh, zona si Çuka rezultojnë ende të pa azhornuara në ASHK dhe tokat aty janë pa çertifikatë pronësie.

Një të tillë e pretendonte edhe Leonard Thodhori e kjo tokë mendohet si pikënisje e konfliktit.

Nga ana tjetër Fatmir Sulovari rezulton ish-pronar i një diskoje në Ksamil, për të cilën familjarët e tij thonë se është prishur nga shteti për shkak se toka aty dhe rreth saj është dhënë për investim strategjik nga qeveria.

Por raportet e kriminalitetit kanë ndryshuar ndjeshëm dekadën e fundit e sidomos 5 vjeçarin e fundit në Sarandën në dukje të qetë.

11 persona janë vrarë dhe 5 të tjerë janë zhdukur 10 vitet e fundit në trekëndëshin Sarandë-Ksamil-Konispol e nga këto 50 % nuk janë zbardhur, kryesisht ato ku motivi mund të lidhet me larje hesapesh apo hakmarrje.