Nis sot zyrtarisht fushata elektorale në kuadër të zgjedhjeve lokale të 14 majit, ku do të votohet për 61 kryebashkiakët e rinj dhe Këshillat Bashkiakë. Sot nuk pritet që të kemi nisje zyrtarisht të fushatës por do të vijohet si normalisht me takimet elektorale.
Dje OSBE-ODIHR bëri thirrje për paqe, ndërsa presidenti Bajram Begaj kërkon garantimin e procesit të rregullt.
Kreu i shtetit dha mesazhe të forta dhe porosi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor duke i kërkuar institucioneve përgjegjëse që të monitorojnë fushatën elektorale me kujdes dhe të dënojnë çdo fenomen që mund të cenojë procesin zgjedhor, mes tyre edhe shit blerjen e votës. Kujtojmë se dje KQZ hodhi shortin ku u përcaktua renditja e kanidatëve të bashkive në fletët e votimit dhe ata të për këshillat bashkiakë.
Në bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj do të mbajë numrin 4, Pas tij, i pesti, në fletën e votimit renditet Belind Këlliçi i Koalicionit Berisha-Meta ndërsa i 6-ti Roland Bejko i PD zyrtare. Numri 1 do të mbahet nga kandidati i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qorri. I dyti në fletën e votimit është kandidati komunist Marko Dajti, që u fut në zgjedhje me firmën e Flamur Nokës, ndërsa e 3-ta Lajla Përnaska nga PDIU-ja.
Në listën për këshillat bashkiak, shorti renditi të parin koalicionin Meta-Berisha ‘Bashkë Fitojmë’, PS-ja radhitet e dyta, ndërsa mes 40 partish në këtë listë Partia Demokratike me kryetar të komanduar Enkeleid Alibeajn do të mbajë numrin 9, i njëjti numër që e identifikoi atë edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të dy viteve më parë.