Nis skandali i CEZ-it, 15 orë pa energji gjysma e Vlorës

549
Sigal

STINA E DIMRIT/ Banorët e lagjes “Pavarësia”: CEZ-i na mashtroi për investimet. Nuk do të paguajmë faturat

Shirat e para në Vlorë, kanë sjellë shqetësime tek qytetarët veçanërisht në dy aspekte: Mungesa e energjisë elektrike dhe bllokimi i rrugëve nga ujërat. Problem ka pasur edhe në shëtitoren kryesore të qytetit, ndërsa në brendësi të blloqeve, është penguar edhe lëvizja e qytetarëve. Sidoqë ndërmarrja e shërbimeve publike ka punuar me orar të pandërprerë, problemet vijnë nga gjendja e rrugëve. Gropat që ndodhen nëpër rrugica, mungesa e investimeve dhe kanalizimeve, është një shkak më shumë, që përmbyten rrugët. Blloku “Isa Buletini” është më problematik në qytet, ndërsa rruga që të çon në qendrën shëndetësore të lagjes “Pavarësia”, ka shfaqur problematikën, që është e pranishme prej 20 vjetësh. Shumë nga qytetarët që kanë shkuar për tu vizituar, apo edhe për të marrë mjekimin e muajit, janë detyruar të paguajnë taksi, për ta kryer këtë shërbim.

Kaos në qarkullim

Rikonstruksioni i Sheshit të Flamurit, vazhdimi i punës në trotuaret e rrugës kryesore, ka bërë që qarkullimi të futet në kaos të plotë. Bllokimi i hyrjes në shesh, devijimi në krah të BKT, në një rrugicë problematike, nuk e ka zgjidhur përfundimisht problemin, pasi Konsullata Italiane, ka vënë traun në oborrin përpara godinës duke bllokuar kalimin në drejtim të qendrës së qytetit, ku ndodhen institucionet kryesore për të zgjidhur nevojat e qytetarëve: Bashkia dhe Këshilli i Qarkut. Kaosi do të marrë rrugë vetëm kur të përfundojë investimi i Sheshit të Flamurit, që ka ngecur edhe për shkak të shirave.

Protesta

Shirat e para në qytetin-port, CEZ lë në errësirë banorët e lagjes “Pavarësia. Nga ora 1 pas mesnate dhe deri në orën 15:00, të së nesërmes, banorët e kësaj  lagjeje, janë zhytur në errësirë të plotë. Sidoqë shtrihet në pjesën më të populluar në Skelë, këta konsumatorë, janë më të “persekutuarit” e CEZ. Ata jo vetëm ndeshen me ndërprerjen e herëpashershme të energjisë, por edhe kur është e pranishme në banesat e tyre, ka ndriçim të dobët. Shirat e para që ranë në fund-javë, sollën ritualin e përhershëm: që është bërë gangrenë për konsumatorët: Mungesën e energjisë elektrike për më shumë se 12 orë.

Faturat  

Duket lagja që ka emrin simbolik “Pavarësia” dhe megjithëse presin të festojnë 100 vjetorin e Pavarësisë Kombëtare, do të vuajë edhe këtë vjeshtë e dimër për energji elektrike. Pas mungesës së energjisë, fill pas rënies së shiut të parë, qytetarët janë irrituar dhe u kanë kërkuar drejtuesve të Kesh-it në Vlorë, të bëjnë investimin e munguar. Në rast të kundërt, janë shprehur ata, nuk do të paguajmë faturat mujore të energjisë.

Përgjigja

Duke mos pasur asnjë përgjegjësi përpara konsumatorit, njëri nga drejtuesit e CEZ-it u është përgjigjur konsumatorëve që u ankuan: Nuk ka fonde edhe për këtë vit, për të bërë lidhjen e kësaj lagjeje me 20- mijëshin, se projekti ka mbetur përgjysmë dhe nuk dihet sa kohë të vazhdohet me linjën e 6000-shit, që është më problematike në qytet. Duke ia hedhur fajin kësaj kompanie të huaj, specialistët që drejtojnë Kesh-in në Vlorë, nuk mbajnë përgjegjësi për anomalitë në qytet. Ata nuk i përgjigjen pyetjes, se cila është përgjegjësia e shtetit që ka 26 për qind të aksioneve me CEZ-in?

Mungon energjia, faturat duhen paguar

Në pikat, ku shlyhen faturat e energjisë, do të dëgjosh qytetarët që flasin me zë të lartë, tejet të irrituar. Ka ardhur fatura dyfish, trefish, ndërkohë që konsumi është i njëjtë. Kemi matës në pallat, por ata nuk kontrollohen, faturat bëhen aforfe- shprehen të tjerë. Një fakt të veçantë tregon V.Tena, e cila thotë se i ka ardhur dy herë fatura e muajit dhe se është e detyruar ta shlyejë atë, pasi është titull ekzekutiv dhe fillon kamata. “Më duhet të shkoj tek zyrat që të sqarohem, por atje nuk gjen njeri”- shprehet e shqetësuar pensionistja, bashkëshortja e piktorit të nderuar vlonjat, Skënder Tena. Qytetarë të tjerë tregojnë se edhe kur shkojmë tek zyrat për të kundërshtuar faturën, punonjësit ju përgjigjen: Mos u lodhni kot, fatura është titull ekzekutiv, shkoni dhe e kundërshtoni në gjykatë.

Konsumatorët i drejtohen gjykatës  

Si rrugë të vetme, kur edhe shteti hesht, banorët kanë zgjedhur rrugën e drejtësisë. Në Gjykatën e Faktit në Vlorë, ka një numër të konsiderueshëm çështjes civile, ku dhjetëra qytetarë padisin kompaninë çeke për mashtrimet që ka bërë me faturat dhe veçanërisht vendosja e gjobave në shuma të mëdha, të pajustifikueshme. Nga statistikat e gjykimeve rezulton se në të shumtën e rasteve, gjykata u ka dhënë të drejtë qytetarëve, por as humbja në gjykatë nuk ka kufizuar “dorën” e CEZ për të firmosur gjoba të reja. Ndërkohë që në asnjë rast, gjykata nuk ka ngarkuar CEZ-in për të dëmshpërblyer qytetarët, të cilëve u ka dëmtuar pajisjet shtëpiake, për shkak të luhatjeve të tensionit. Gjykata kërkon fakte, që shkaku i dëmit ka ardhur nga energjia, por kush vjen nga CEZ-i në shtëpi për të bërë proces-verbalin dhe të pranojë se shkaku është luhatja e tensionit.

CEZ-i po rrjep shqiptarët

Si edhe herë të tjera edhe në këtë fillim vjeshte, pas ndërprerjes për 15 orë të energjisë elektrike. Shumë abonentë, janë shprehur se vendosja e gjobës ndaj kompanisë së CEZ-it, do ta shlyejnë shqiptarët, sipas marifeteve që përdor, sikurse janë faturat aforfe, gjobat e pamerituara, ndërprerja e energjisë edhe për ta kursyer atë. Ndaj, ne kërkojmë ndërprerjen e kontratës me kompaninë ceke dhe largimin e saj nga Shqipëria. Nëse nuk do të vendoset kjo, qytetarët do të vuajnë mungesën e energjisë, ndërsa CEZ-i, do të vazhdojë të rrjepë qytetarët- janë shprehur ata. Kjo është situatë pas rënies së shirave të para në Vlorë, që shpëtimin e presin nga rrezet e diellit dhe jo nga dora e njeriut.