Nis sistemimi i qendrave të fshatrave të Komunës së Lukovës

492
Sigal

SARANDË/ Komuna e Lukovës në bregdetin jonian të Sarandës, ka nisur sistemimin e qendrave të fshatrave të sajë. Dy fshatrat e parë që i janë nënshtruar këtij rikonstruksioni, janë Nivicë-Bubar dhe Piqerasi. Kështu kryetari i kësaj komune, Vladimir Kumi, i cili doli fitimtar përballë tre rivalëve në garën elektorale dhe si kandidat i pavarur, po nis të realizojë premtimet e tij elektorale për krijimin e një performancë infrastrukturore bashkëkohore të fshatrave që janë nën juridiksionin e kësaj komune turistike, duke i dhënë impakte të reja dhe asete të fuqishme zhvillimit të turizmit në këtë zonë, e cilësuar si perla e bregdetit shqiptar. Punimet e filluara në Nivicë-Bubar dhe Piqeras për sistemimin e qendrave të këtyre fshatrave bëhet në kuadër të projektit “Rehabilitimi i shesheve dhe rrugëve përreth” të këtyre fshatrave. Në fshatin Nivicë-Bubar këto punime sistemuese dhe rikonstruktuese kapin vlerën e rreth 17 milionë lekësh (të reja), ndërsa në Piqeras arrijnë shifrën e rreth 80 mijë eurosh. Sipas burimeve nga Komuna e Lukovës, këto punime të saponisura do të përfundojnë brenda muajit dhjetor 2013. Sistemimi i qendrave të fshatrave do të realizohet me blloqe betoni dhe së bashku me qendrat e fshatrave do të realizohet edhe sistemimi dhe rregullimi i rrugëve të brendshme dhe të varrezave, kjo edhe me kontributin e vetë komunitetit. /Agron Mema

Në Piqeras vidhen automjetet që kryejnë punimet

Por kanë dal edhe problemet e para penguese. Ndërsa në Nivicë-Bubar punimet po ecin mbarë, në fshatin Piqeras nuk ndodh kështu. Sipas kryeplakut të këtij fshati, Spiro Gjezo, në vazhdën e vjedhjeve të shumta që po ndodhin në këtë fshat dhe të denoncuara edhe në shtyp, por pa zgjidhje dhe pa autor, pre e grabitjes kanë rënë edhe automjetet që kryejnë punimet. Përsëri heshtje ndaj këtij fenomeni në Piqeras. Megjithatë, punimet sistemuese do të përfundojnë brenda afatit.