Nis shembja e banesave/ Policia rrethon zonën te ‘5 Maji’ në Tiranë, ka të shoqëruar

246
Sigal

Forca të shumta policie kanë rrethuar mëngjesin e sotëm zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë, ku pritet të shemben disa banesa, për të cilat pronarët nuk kanë rënë dakord me Bashkinë e Tiranës.

Mësohet se policia nuk lejon as mediat e pranishme aty që të futen në zonën ku do të bëhen shembjet.

Policia ka ndërhyrë me forcë edhe brenda banesave, duke nxjerrë prej aty disa qytetarë, përfshirë fëmijë. Ndërkohë që kanë nisur shoqërimet e para në radhët e banorëve, të cilët e kanë kundërshtuar këtë projekt që nga fillimi dhe prej gati tre muajsh kanë zhvilluar protesta pasi sipas tyre nuk kanë arritur një marrëveshje me bashkinë.

Edhe pse shembja e banesave ishte parashikuar që të niste rreth orës 10:00 të mëngjesit të sotëm, puna në terren ka nisur shumë më herët se orari zyrtar.

Ndërhyrja është bërë që në orën 03:00 të mëngjesit, duke fikur fillimisht energjinë elektrike.

Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit të Tiranës vendosi si afat të fundit ditën e sotme për banorët e “5 majit” që të braktisin banesat e tyre, të cilat do të shemben për t’i hapur rrugë projektit të “Unazës së Madhe”. Banorët kanë paditur drejtorin e IMT-të Tiranë dhe kanë premtuar se do t’i mbrojnë shtëpitë e tyre. Ata këmbëngulin se projekti i Unazës së Madhe është ndryshuar dhe nuk është bërë publik.

Qytetarët kanë kërkuar bisedime me qeverinë dhe bashkinë dhe të kompensohen sipas çmimit të tregut për prishjen e banesave të tyre.

Gjatë ditës së sotme është parashikuar shembja e tre banesave, dhe më pas procesi do të vijojë edhe me godina të tjera në ditët në vijim.