Teksa ka nisur zyrtarisht procesi i votimit në të gjithë vendin për Zgjedhjet Lokale 2019, në zona të ndryshme ka raportime dhe për problematika. Burime bëjnë me dije për Faxweb se në Qv 162 vau dejes, në fshatin Stajkë, nuk është shpërndarë ende baza materiale.
Kjo zonë ka qenë një nga më problematiket, pasi disa ditë më parë u dogjën dhe një pjesë e materialeve brenda KZAZ-ve, përplasje e cila çoi dhe në shkarkimin e kryetarit të Bashkisë Zef Hila.
Në zgjedhjet që mbahen sot, për herë të parë pa opozitën dhe në një klimë tensionesh, kanë të drejtën e votës e kanë 3,536,015 shtetas shqiptarë, ndër ta, 132.788 zgjedhës votojnë për herë të parë; 51 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49 % femra.
Kujtojmë se këto zgjedhje janë të paprecedenta, ku në 31 bashki janë me një kandidat të vetëm. Prej 6 muajsh opozita që ka djegur dhe mandatet ka protestuar vazhdimisht, dhe ka tentuar që të pengojë proceset zgjedhore, veçanërisht në Bashkitë që janë drejtuar nga përfaqësuesit e saj.
E megjithatë mbrëmjen e djeshme Lulzim Basha iu bëri thirrje të gjithë mbështetësve të tij që të distancoheshin nga dhuna, dhe të denonconin çdo rast shkeljesh. Duket se kali i betejës i opozitës do të jetë pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, për të legjitimuar kauzën e saj.