E moshuara vdes para Bashkisë, e pastrehë nga Vangjush Dako

535
Sigal

Kryebashkiaku i Durrësit organizon festivale ndërkombëtare të filmit me fondet e buxhet të pamiratuar

Bashkia e Durrësit organizoi ditët e fundit Festivalin e 6-të Veror Ndërkombëtar të Filmit. Programi është i varfër, pothuajse dështim. Vetëm tre filma konkurrues: 55-minutshi “Aktori që i ngriti vetes monument” i Kliton Nesturit më 3 tetor; 30-minutshi “Dita e fundit e Loro Shestanit” i Sokol Kerajt më 5 tetor; 113-minutshi “Diana” i gjermanit Oliver Hirshbigel (Hirschbiegel), prodhim i vitit 2013.  Por ajo që karakterizoi, në të gjitha ditët e shfaqjes të këtij festivali ndërkombëtar të filmit, ishte mungesa e plotë e spektatorëve. Kaq i dështuar ishte ky organizim, saqë sipari i këtij Festivali Ndërkombëtar i Filmit, nuk u organizua në Durrës, por në Tiranë,  në ambientet e një prej kinemave të kryeqytetit, për të gjetur ndonjë mundësi më të madhe, që të mbushin sallën, meqë në Durrës, as punonjësit e Bashkisë së Dakos, nuk morën mundimin që të shkonin në festival.

Dako organizon festival filmi me fonde të buxhetit të pamiratuar

Edhe pse jemi në gjysmën e muajit tetor, ende nuk është  miratuar në Këshillin Bashkiak të Durrësit, buxheti i vitit 2013 për Bashkinë. Jo vetëm kaq, por ende nuk është miratuar as paketa fiskale e Bashkisë.  Nëse doni ta imagjinoni çdo të thotë që të funksionojë për një vit Bashkia e Durrësit pa u miratuar buxheti dhe paketa fiskale e vitit 2013, imagjinoni një makinë, e cila është lëshuar pa frena nga një tatëpjetë e madhe.  Kjo gjendje, sipas burimeve nga anëtarë të Këshillit Bashkiak, ka ardhur pasi,  Kryebashkiaku Dako nuk është i interesuar.  Tjetër arsye nuk mund të gjendet që të justifikojë këtë precedentë. Por, kjo anomali e madhe, nuk e ka penguar aspak Kryebashkiakun Vangjush Dako, që  të organizojë festivalin e Filmit Veror Ndërkombëtar në Durrës, duke harxhuar fonde, sa të dojë ai, pa i dhënë askujt llogari. Madje, ky rast, që Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako organizon festivale ndërkombëtare të Filmit, me fonde të një buxheti të pamiratuar, është i përsëritur, pasi edhe në 2012-n, Dako harxhoi mbi 80. milionë lekë fonde, përsëri nga buxhet i pamiratuar për Bashkinë e Durrësit. Ndërsa për shumën që është harxhuar për organizimin e Festivalit të 6-të Ndërkombëtar Veror të Filmit në Durrës nga Kryebashkiaku Vangjush Dako, askush nuk është në gjendje- apo nuk dëshiron të pohojë- të thotë një shumë, edhe pse kontaktuam me shumicën e organizatorëve. Një fond për të organizuar një Festival Ndërkombëtar Filmi, nga një buxhet i pamiratuar i Bashkisë, një shumë që nuk është bërë publike sa është, sa transparencë mund të ketë? Për shkak të sherreve në këshillin bashkiak midis së djathtës dhe së majtës, nuk u arrit që “qeveria” e Vangjush Dakos,  të financonte një festival ndërkombëtar filmi, i cili sivjet u katandis “kokoshi një thelë”.

 Vdekja e një gjysheje të braktisur

Disa dhjetëra metra larg Bashkisë së Durrësit, e braktisur nga çdo përkujdesje shoqërore, e nxjerrë me forcë nga shtëpia ku jetoi mbi 55 vjet, vdes në të ftohtit e tetorit, një gjyshe 87 vjeçe. Sikur qindarkat që u harxhuan nga dreka që organizoi Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, për pritjen që dha në një nga hotelet më luksoze, për qeverinë e re të Ramës, të ishin dhënë për ndihmë sociale për gjyshen 87 vjeçare, për ta strehuar diku me qira, sot ajo do të jetonte. Ndonëse Festivali i 6-të Ndërkombëtar Veror i Filmit, u zhvillua në salla të boshatisura në Durrës, drama e vërtetë, që mësuan durrsakët ishte vdekja e gjyshes 87 vjeçare, e braktisur edhe nga ndihmesa sociale e Bashkisë. Mbase ndonjë regjisor me ndjenjë njerëzore, në festivalin e ardhshëm, atë dramë të vërtetë, do ta realizojë në art, në film, për të sensibilizuar qytetarët, që të kuptojnë se gëzimet e organizimit të festivalit ndërkombëtar të Filmit nga Kryebashkiaku  Vangjush Dako, u eklipsuan nga fatkeqësia e vdekjes së gjyshes 87 vjeçare, aty, në lulishten përballë Bashkisë së Dakos. Që të jemi të drejtë, me të drejtën, mbase duhet t’i shprehim një falënderim Bashkisë së Durrësit, që mbuloi me fondet e saj, pagesën e arkivolit të gjyshes 87- vjeçare si edhe shpenzimet e varrimit të saj. Thua, të jetë një pendesë ndërgjegje nga  Bashkia, e cila,  pagoi, më në fund,  shpenzimet e varrosjes, për atë ndihmesë të mohuar, që nuk dha, për të jetuar gjyshja 87 -vjeçare e zbuar forcërisht nga shtëpia ku jetoi 55 vjet? Apo, Kryebashkiaku Dako,  e ka më të lehtë- qoftë edhe për buxhetin bashkiak, që  të harxhojë lekët për përcjellje në varreza,  të atyre njerëzve që i  braktis, sesa t’i ndihmojë  ata, kur kanë nevojën më të madhe për të …mbijetuar?