Nis ndërtimi i këndit të lojërave në Kashar, i dyti për nga madhësia

Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit kanë nisur punën për krijimin e një tjetër sheshi pushimi dhe këndi lojërash për fëmijë, këtë herë në Yzberisht, pjesë e Njësisë Administrative Kashar.

Kryetari i bashkisë tha se këndi i lojërave të Kasharit do jetë i dyti më i madhi në kryeqytet, pas atij të ndërtuar te Kodrat e Liqenit, dhe se ai do u shpërbëjë të gjithë fëmijëve të kësaj zone.

Sigal

“Sapo kemi nisur punën për këndin e dytë më të madh të lojërave, pas atij te Liqeni, me shpresë se këtu do të na lejojnë të punojmë, për të pasur një hapësirë të mrekullueshme për fëmijët, por edhe për gjyshet, gjyshërit dhe prindërit. Sigurisht, ky investim, përveç se është një investim direkt për fëmijët, me këndin e lodrave dhe hapësirat sportive, por vjen edhe si një sinjalizim i investimeve që do të vijojmë në Yzberisht”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se investimet në këtë zonë kanë nisur fillimisht me sigurimin e ujit të pijshëm, i cili ka qenë një nga problemet madhore të zonës për vite me radhë, për të vijuar me tej me investimet në urbanistikë.

“Filluam me ujin sepse ai është jetik. Furnizimi me ujë të pijshëm ishte një problem për disa vite, por që tashmë është zgjidhur. Tani kalojmë në investime urbane” theksoi ai.

Me 13 Nentor pastrimi i qytetit

Kryebashkiaku Veliaj ftoi qytetarët që t’i bashkohen nismës së 13 nëntorit për pastrimin e kryeqytetit.

“Dua të ftoj qytetarët e Kasharit, Yzberishtit dhe të gjithë Tiranës, që të na bashkohen në datën 13 nëntor për aksionin e pastrimit të qytetit. Është bukur të protestojmë për gjithçka, por është akoma më bukur që të japim me shembullin tonë mesazhin që besojmë tek ato që themi. Pra, nuk jemi këtu vetëm për të kërkuar pastërti, por që të pastrojmë të parët. U kërkoj të gjithë qytetarëve që të na bashkohen, sidomos këtu në Kashar dhe në Yzberisht, ku ka shumë nevojë, por edhe në të gjitha zonat e Tiranës ku bashkia po bën një punë cilësore. Është e rëndësishme që të gjithë të japim një dorë”, deklaroi ai.

Drejtori i APR-së, Blendi Gonxhe, sqaroi se ky është sheshi i dytë më i madh në Tiranë me një hapësirë rreth 2300 metra katrorë.

“Rregullohen shkarkimet, kabina elektrike që ka zënë rrugën, të gjitha rrugë-kalimet e makinave dhe të këmbësorëve, duke përfituar një shesh. Vazhdon përpjekja jonë që të bëjmë të mundur që jo më larg se 500 metra nga çdo shtëpi, çdo familje, çdo fëmijë, të ketë një mundësi për të luajtur apo çlodhur”,theksoi ai.

Projekti për sheshin e ri rekreativ përfshin shtrimin e plotë të sheshit me pllaka, ndërtimin e një minifushe basketbolli, vendosjen e stolave, koshave, por edhe ndriçimit e gjelbërimit në të gjithë hapësirën e tij.