Nis “fshesa” në hipoteka e dogana

1023
Sigal

Denoncimet e mediave dhe ankesat e qytetarëve vejnë në lëvizje ingranazhin e testimit. Ja detajet

Nis “fshesa” për të gjithë punonjësit e regjistruesit e hipotekave në vend. Ankesat e shumta të qytetarëve të zhgënjyer dhe denoncimet e mediave ndaj skandaleve të shumta të regjistruesve dhe administratës së hipotekave në mbarë vendin, kanë sjellë në marrjen e këtij vendimi nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Që këtej e tutje, testi do të jetë mënyra e vetme për punësimin e administratës në hipotekat e vendit, i cili do i japë një herë e mirë fund punësimeve nepotike, politike, apo dhe atyre në këmbim të parave. Kjo reformë do të jetë e detyruar të ndiqet, për të sjellë një herë e mirë ndarjen nga sistemi i antivlerave, i përdorur për një kohë të gjatë. Testimi do të jetë mënyra e vetme për t’i prerë rrugën korrupsionit dhe për të ndërtuar një sistem transparent konkurrence dhe vlerësimi, sipas meritës dhe duke e bërë të pamundur, që përmes rrugëve të tjera dikush të kapërcejë tjetrin. Testi do të zhvillohet pas “pastrimit” nga elementë që do të rezultojnë shkelës të ligjit, pas një auditimi që pritet të përfundojë këto ditë. Për këta punonjës do të procedohet edhe penalisht. Fillimisht, në testim do të futen të gjithë punonjësit aktualë të hipotekave në vend dhe më pas të rinjtë që kërkojnë të jenë pjesë e administratës së hipotekave. Procesi mendohet të fillojë javën e fundit të dhjetorit dhe të përfundojë nga mesi i janarit.

Testimi

Ndërkohë është menduar edhe për testimin. Burime konfidenciale bëjnë me dije për “Telegraf” se fondi i pyetjeve është përgatitur nga pedagogë të Juridikut, Magjistraturës dhe specialistë të Ministrisë së Drejtësisë. Ndryshe nga testimet e tjera që janë zhvilluar deri më tani, kandidatët për punonjës të hipotekave do të testohen me anë të tezave. Kjo për të eliminuar nxjerrjen e tezës apo dhe kopjen. Pra, çdo kandidat që do i nënshtrohet testimit do të ketë një tezë më vete, i cili do të përzgjidhet nga vetë kandidati, nëpërmjet një shorti në prezencën e një komisioni. Tezat do të përbëhen nga një grup pyetjesh të përzgjedhura nga fondi i pyetjeve të hartuara nga pedagogët e Juridikut, Magjistraturës dhe specialistëve të Ministrisë së Drejtësisë.

Korrigjimi

Korrigjimi do të kryhet nga një komision i posaçëm me ekspertët më të mirë të Ministrisë së Drejtësisë. Përdorimi i bar-kodeve do të bëjë të pamundur identifikimin e kandidatit me testin duke eliminuar në këtë mënyrë të gjitha ndërhyrjet e mundshme apo abuzimet që mund të bëhen. Në bazë të rezultateve do të bëhet edhe punësimi i kandidatëve. Klasifikimi nga ky testim do të jetë baza mbi të cilat çdokush do të mund të marrë një detyrë në sistemin hipotekor.

Testim, edhe në administratën doganore

Gjithashtu testimi mendohet të bëhet edhe për punonjësit e doganave. Doganat dhe hipotekat janë dy institucionet e shteti shqiptar ku korrupsioni ka bërë fole. Nëse do të shohësh lidhjet e një politikani me pushtetin, mjafton të shkosh në dogana dhe hipoteka dhe me patjetër do të gjesh tek punonjësit e rekrutuar njerëz të afërt të tyre, fis e farë, por dhe miq me të cilët ndajnë shumëçka. Reforma e punësimit nëpërmjet testimit është trendi i ri i qeverisë, mënyrë kjo për të shtruar bazën e një administrate shtetërore të përhershme.