Niazi Jaho: Duhen ndryshime në Kushtetutë që Prokuroria të jetë e pavarur, efektive dhe e standarteve

396
Jam i bindur se një reformë e thellë dhe cilësore, që të jetë efektive dhe e qëndrueshme, kërkon ndërhyrje në Kushtetutë. Synohet që zgjidhjet të jenë të përsosura, por praktika te ne dhe në vende të tjera, ka vërtetuar, se kjo nuk mund të arrihet. Ky është një proces i gjatë, që nuk lind thjesht nga dëshira, por kryesisht nga nevoja. Nuk është fjala për arnime, që në disa raste të venë në gjumë dhe krijojnë eufori, por për masa radikale, efekti i të cilave, të ndihet më shpejt dhe të jenë rezultative. Në këtë vështrim, duket edhe sot aktuale dhe fjalët historike të Beniamin Franklindit, kur në vitin 1787, domethënë 228 vjet më parë, në Konventën që u votua Kushtetuta e SHBA thoshte: “Është mahnitëse që po i afrohemi kaq shumë përsosmërisë, dhe rekomandonte që çdo anëtar i Konventës, që mund të kishte objeksione, duhet të dyshonte sadopak në pagabueshmërinë e tij”. Nuk ka dyshim se organet e prokurorisë kanë arritur disa rezultate në veprimtarinë e tyre. Por vjen një moment (ndoshta ky moment ka ardhur më parë), që duhen bërë ndryshime, jo si qëllim në vetvete, por sepse e dikton praktika. Në kuadrin e një diskutimi, edhe sikur të isha njohës i mirë i këtij problemi, jam në pamundësi të zgjatem dhe të bëj analiza. Prandaj mendova të evidentoj vetëm faktet e mëposhtme, që edhe pse janë të rëndësishëm, kanë disi karakter të përgjithshëm. 
1.Para 5-6 vjetësh, kur një gazetar u bënte pyetjen ish Prokurorëve të Përgjithshëm: “Se tek ne flitet se ka zyrtarë dhe funksionarë të lartë të korruptuar”, përgjigja ishte e shkurtër: “Na pengon imuniteti, që ata gëzojnë”, ndërsa drejtues të maxhorancës dhe opozitës kishin deklaruar mëse një herë, se Kuvendi do të miratonte këërkesat e Prokurorit të Përgjithshëm dhe do të autorizonte ndjekjen penale. Në vitin 2012 u ndryshua neni 73 i Kushtetutës. Për ndjekjen penale nuk kishte nevojë për autorizimin e Kuvendit. Këto 3 vjetët e fundit, për këtë nuk ka patur asnjë pengesë. Pse nuk veprohet? Këtë nuk e di dhe nuk më pëlqen të supozoj dhe as të merrem me çështje dhe persona të veçantë.  

2. Në vitin 2009 u miratua ligji që disa e thërrasin “Ligji antimafia”. Kanë kaluar prej asaj kohe më tepër se 5 vjet. Me aq sa jemi informuar, nëpërmjet medias, me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë, nuk kemi dëgjuar të jenë bërë sekuestrime, apo konfiksime të pasurive që nuk justifikohet burimi i tyre dhe që ka dyshime të majftueshme për veprimtari të kundraligjshme dhe kriminale. Theksojmë se ligji këo veprime nuk i kushtëzon me vënien në lëvizje të procesit penal. Prokuroria i drejtohet me kërkesë Gjykatës së Krimeve të Rënda, thirret ai që pretendon se është pronar i ligjshëm dhe barra e provës i takon atij për të vërtetuar burimin e kësaj prone. Me supozime të zhveshura nuk duhet të konkludohet, por në rastin konkret supozimet mendojnë se kanë një farë baze. Në këtë drejtim, ka përshtypjen se ka patur ngurime, pa përjashtuar edhe ndonjë rast të dobësive në zbulim të ndikimeve, apo të ndërhyrjeve të padrejta. 

3. Para disa ditësh, nga një institut në Bazel të Zviçrës, (për këtë u informuam nga media) në bashkëpunim me OKB, KE dhe Bankën Botërore u pulikua një studim lidhur me goditjen e krimit të pastrimit të parave. Vendi ynë renditej i fundit ne rajon. Nëse janë ose jo të sakta këto të dhëna, nuk mund të shprehemi. Por përmbajtja e këtij raporti, ndoshta do të duhej më tepër reflektim për të vlerësuar në mënyrë kritike si paraqitemi me këtë problem. Këto dhe fakte të tjera, duke patur parasysh edhe praktikën e derisotshme, të imponojnë nevojën e ndryshimeve në Kushtetutë dhe në legjislacion.

Prokuroria si organ kushtetues
Kam mendimi se e tillë, Prokuroria, organ kushtetues duhet të jetë edhe në të ardhmen. Vetëm ajo duhet të ketë të drejtën e ushtrimit të ndjekjes penale dhe të mbrojtjes në gjykatë të akuzës në emër të shtetit. Ajo, gjithashtu, duhet të vazhdojë të funksionojë pranë gjyqësorit në aspektin e organizimit dhe jo të varësisë nga gjyqësori. Ka mendime se prokuroria duhet të jetë pjesë, ose në vartësi të Ekzekutivit. Të tjerë janë shprehur që varësia të jetë nga pushteti legjislativ. Ka edhe ndonjë që mendon se Këshilli i Prokurorisë të jetë një nga dhomat e KLD, ose e fuzionuar me të. Prej kohësh kam patur dhe kam mendimin se, në kushtet konkrete të vendit tonë, një prokurori e pavarur nga të tre pushtetet duhet të zbatojë vetëm Kushtetutën dhe ligjin, madje, qysh në vitin 2001 dhe në vazhdim jam shprehur publikisht kundër kontrolleve dhe inspektimeve të Ministrisë së Drejtësisë në organet e Prokurorisë. A kanë ndonjë bazë, ndonjë argument, këto mendime? Po kanë dhe po i përmend. 

A. Në vitin 1995 3 anëtarë të Komisionit të Venecias janë thirrur nga qeveria shqiptare për të shfaqur opinionet e tyre lidhur me legjislacionin e ri të miratuar në ato 4-5 vitet e para. Veç të tjerave, në opinionet e tyre të botuar në gjuhën shqipe, qysh në vitin 1995, ata e konsideronin pozitive faktin që në ligje nuk ishte parashikuar ushtrimi i kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë në organet e prokurorisë. 
B. Legjislacioni Europian, siç dihet, është ndarë në dy sisteme. Në njërën prokuroria është tërësisht e pavarur nga legjislacioni dhe ekzekutivi (ku përfshihemi edhe ne), ndërsa në tjetrin Prokuroria është në varësi të njërit, apo tjetrit pushtet, duke patur kështu një pavarësi të një shkalle disi të kufizuar, por në të njëjtën kohë me tendencën për ta zbatuar, apo reduktuar këtë shkallë varësie. Në tetor të vitit 2000, Komiteti i Minsitrave të Këshillit të Europës, pas analizës të gjendjes së prokurorive publike miraton Rezolutën përkatëse. Midis të tjerave, në këtë rezolutë nuk rekomandohet njehësimi, apo harmonizimi i këtyre modeleve, sepse adoptimi i këtij, apo atij modeli, kushtëzohet nga faktorë të ndryshëm. E rëndësishme është të respektohen parimet. 
C. Dy herë është propozuar shkarkimi i ish Prokurorit të Përgjithshëm dfhe argument kryesor i dy raporteve që u përgatitën nga komisionet hetimore me propozimin për shkarkimin e tij, i referoheshin të dhënave të raporteve të Ministrisë së Drejtësisë, lidhur me kontrollet e ushtruara në organet e prokurorisë. Si në vitin 2006, edhe në vitin 2008, Gjykata Kushtetuese që e ka shqyrtuar këtë çështje, është shprehur se bazueshmëria e ligjshmërisë së vendimeve që merr prokurori mund të vlerësohet vetëm nga prokurori më i lartë, ose nga gjykata për ato çështje që parashikohen në ligj. 
Ja çfarë duhet rishikuar në Kushtetutë për Prokurorinë
Do të sygjeroja të rishikoheshin ato pjesë të neneve 148 dhe 149, ku bëhet fjalë për ushtrimin e funksionit të centralizuar, procedura për emërimin dhe shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe ajo e emërimit të prokurorëve të tjerë. Të rishikohej gjithashtu edhe mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, si edhe kuorumi për emërimin dhe shkarkimin e tij. Nëse do të pranoheshin këto sygjerime dhe në këtë drejtim do të bëheshin ndryshimet përkatëse, kuptohet se ato do të duhej të reflektoheshin ne ligj. 
A. Ushtrimi i funksionit të centralizuar të prokurorisë, në mënyrë të veçantë i Prokurorit të Përgjithshëm, mendoj se është shoqëruar me disa fenomene negative, siç mund të jenë” pritshmëria e urdhërave dhe udhëzimeve të shkruara apo verbale të Prokurorit të Përgjithshëm, në majft raste ka ndrydhur iniciativën dhe vetveprimin e prokurorëve më të ultë. Në këtë drejtim, ky centralizim i tepruar deri në një farë mase ka dobësuar si kontrollin vertikal, edhe atë paralel. Ka dobësuar, gjithashtu, edhe kërkesën e llogarisë, centralizimin e tepruar dhe të dhënies së llogarisë. Centralizimi i tepruar ka lënë jashtë vëmendjes, për të mos thënë se ka ndikuar negativisht për të mos vlerësuar dhe për të mos u zbatuar detyrim ligjor i parashikuar në nenin 6 pika i të ligjit organik të prokurorisë, ku thuhet se: “Prokuroria vë në dijeni opinionin publik për veprimtarinë që kryen”. Duke u shprehur kundër një centralizim të tillë, nuk jam për mungesën e kontrollit të domosdoshëm. 
B. Lidhur me procedimin e emërimit dhe të shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të prokurorëve të tjerë, kam mendimin se ky mund të ishte ndryshimi më kryesor dhe ndoshta edhe më i diskutueshëm. Kam mendimin se do të ishte në interes të një prokurorie vërtet të pavarur, me drejtues dhe punonjës të aftë profesionalisht dhe me integritet më të besueshëm dhe me objektiv me zgjidhjen e çështjeve, nëse me kompetenca të tilla do të ngarkohej Këshilli i Prokurorisë.

Po si do ta konceptoja unë realizimin e këtyre kompetencave? 
Së pari, do të sygjeroja që shumica e anëtarëve të Këshillit të ishin nga prokurorë të zgjedhur në bazë të kritereve ligjore.
Së dyti, Në përbërjen e këtij këshilli të përfshiheshin edhe ekspertë të tjerë, me përvojë të ndershëm dhe me integritet, por jo nga ekzekutivi, legjislativi dhe Presidenti. 
Së treti. Propozimin për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Këshilli me të gjitha të dhënat përkatëse të parashikuara në ligj, t’ia dërgonte Presidentit të Republikës, i cili në raste të veçanta, por të motivuara, mund të mos e miratonte këtë propozim. 
Së katërti. I njëjti propozim të bëhej edhe për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, por ai duhet të dërgohej Kuvendit, i cili duhet të kishte të njëjtën të drejtë si Presidenti, që të mos e miratonte këtë propozim.
Së pesti. Këshilli i Prokurorisë, mbështetur në kritere ligjore, duke u konsultuar paraprakisht me Prokurorin e Përgjithshëm dhe në rast nevoje, edhe me të tjerë (duke shmangur çdo konflikt të interesit) të kishte kompetencën e emërimit dhe shkarkimit të prokurorëve të tjerë. Siç shihet, kompetencat e mëposhtme të Këshillit të Prokurorisë e bëjnë atë të jetë vendimmarrës, madje të vendosë për çështje të rëndësishme. Kjo, sipas mendimit tim, do të justifikonte sanksionimin e tij në Kushtetutë, si organ kushtetues. Nëse këto sygjerime do të merreshin në konsideratë, dikush mund të shprehte shqetësimin se në këtë mënyrë do të zhbëhej roli i Prokurorit të Përgjithshëm. Këtij shqetësimi do t’i përgjigjem: Jo, nuk do të zbëhet, sepse në këtë mënyrë ai do të ushtronte të drejtat dhe detyrimet e tij ligjore në mënyrë më efektive, më objective dhe të pandikuara. Madje, do të thosha se centralizimi i tepërt që përmenden më lart, e dëmton funksionimin e tij. Plotfuqishmëria e Prokurorit të Përgjithshëm mund të çonte atë edhe padashur në veprime subjective dhe arbitrare. E shikoj të nevojshme të përmend se Këshillit të Prokurorisë, me ligje mund t’i ngarkohej gjithashtu edhe kompetenca të tjera, siç mund të jenë, psh, masat disiplonore ndaj prokurorëve, etj. 
C. Për efekte të garancisë (ose sigurisë) me detyrë të Prokurorit të Përgjithshëm, gjë që do të ndikonte edhe në një pavarësi më të madhe të tij, do të sygjeroja zgjatjen e mandatit të tij nga 5 vjet, që është sot, në 7 ose në 9 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje. Ndërsa parlamenti ta miratonte dhe ta shkarkonte Prokurorin e Përgjithshëm me votim të cilësuar, me 3/5 e votave të të gjithë deputetëve. Me Kushtetutën në fuqi, Prokurori i Përgjithshëm mund të zgjidhet dhe të shkarkohet edhe me votat e 36 deputetëve, gjë që është krejtësisht e papranueshme, sepse kështu ai mund të zgjidhej dhe shkarkohej edhe nga një pjesë e maxhorancave parlamentare. Ky është një emetim kushtetues, që është lënë prej shumë vjetësh, pa u korrigjuar. Madje, mund të përmendet se kur ky problem është ngritur për emërtimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, është refuzuar me arësyetimin absurd se votimi i cilësuar mund të ishte bllokues. 
Sigal