Drejtoria e Rezervave të Shtetit, nxjerr në ankand 1 kg oriz, 1 kg sheqer, 1 qese makarona!

688
Drejtoria Qendrore e Rezervave të Shtetit, me një urdhër absurd të firmosur nga kreu i saj, “ustai i menaxhimeve” Irfan Dashi, në datën 14 shtator 2015, ka shpallur publikisht një ankand qesharak! Bëhet fjalë për shitje mallrash konsumi, të sekuestruara nga subjekte që kanë shkelur ligjin, të cilat pas sekuestros ligjore, magazinohen në depot e rezervave të shtetit, por jo në depot e rezervave të zonave ku këto mallra sekuestrohen, por në depot e drejtorive që “projekton” Dashi, i cili që prej 2 vitesh po “prin” me kapadaillëk e maskë “ndershmërie” ndërmarrjen gjigande të Rezervave të Shtetit të Shqipërisë, për të cilën flitet se po bëhet “viktimë” e pazareve dhe babëzisë së skemave abuzive të tij e të klanit të tij që ka mbledhur “me kokrra” në drejtorinë qendrore dhe në drejtoritë ku ka “bereqet”, si në rastin e rezervave të Korçës, në emër të së cilës është shpallur edhe ankandi komik i datës 14 shtator 2015! 

Është për të qeshur, por edhe për të qarë, me këta drejtues të rezervave të shtetit që e kanë katandisur këtë ndërmarrje gjigande “për t’i qarë hallin”, duke zhvatur me letra e pa letra, me ankande për thërrimet e me ankande me letra fiktive të firmosura me urdhër në zyrat e “Fanes”, për shitje mallrash me vlera të mëdha monetare. Në ankandin komik, Dashi rezervave të shtetit ka nxjerr në shitje… 1 kilogram oriz me çmim 90 lekë, një kilogram sheqer me çmim 85 lekë dhe një qese makarona me peshë 450 gram me çmim 35 lekë, ose me vlerë totale 210 lekë të reja. Këto mallra që do të shiten me ankand, sipas njoftimit publik, gjenden në depot e rezervave të Korçës, të ruajtur me çelësat e depove, që me urdhër të drejtor Fanes, për “siguri malli” i mban drejtor Gëzimi, pasi më parë ka “ruajtur” jo vetëm magazinat, por edhe qershi e rrush me të cilët ka bërë raki për… të qerasur drejtor Fanen! Mos u çuditni, por ky ankand është shpallur në “Buletinin e Prokurimeve Publike” Nr. 36, datë 14 shtator 2015, me Nr. Reference 5/A2015, ankand që do të zhvillohet në datën 5 tetor 2015, ora 11.00 (pasi drejtor Gëzimi mbaron mësimin në kolegjin privat ku jep mësim). 

Pjesa komike dhe “çmenduria” e këtij ankandi absurd për rekord “GINES”, që ka si objekt prokurimi 1 kilogram sheqer, një kilogram oriz dhe një qese makarona 450 gram me vlerë totale 210 lekë të reja, qëndron në faktin se që të marrësh pjesë në ankandin me vlerë totale sa 1 kilogram gjizë, duhet të respektosh procedurën financiare për tú pranuar në ankand. Konkretisht, për të fituar tenderin “Fane” me vlerë 210 lekë të reja, duhet paguar 1000 lekë të reja tërheqje dokumentesh të ankandit, 1200 lekë të reja sigurim kontrate, 1200 lekë të reja sigurim oferte dhe pastaj afro 15 mijë lekë të reja shpenzime noteriale e administrate me dokumente që vërtetojnë se je firmë serioze dhe e sigurt për të përballuar ankandin. Nuk mund të themi atë që thuhet në zyrat qendrore të rezervave, që Irfani kontrollon dhe “menaxhon” edhe kokrrat e orizit, por një pyetje mund të shtrohet për ministrin Tahiri: deri këtu lejohen këta drejtor të babëzitur, sa për të përfituar, japin bëjnë ankande edhe për shitjen e… 1 kilogrami oriz?!
Sigal