Ngrehu o Skënderbe nga varri,  të shikoshë si shitet dhalli …!

61
  • Speciale nga Ilmi Qazimi: Si qytetar i këtij vendi ku Heroi Kombëtar Skënderbeu po përdoret për reklamim dhalli, ku Babai që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në historinë e tërë shekujve, përdoren për të  reklamuar shitjen e kosit apo Mbretëresha Teutë për qumështin ,   pyes: A ka shteti institucione këtu apo jo? A ka organe të caktuara për të ruajtur nderin kombëtar, figurat dhe  emblemat e kombit?
  • Është një turp i madh për ata që e kanë miratuar këtë lloj reklame. Është injorim i dënueshëm me ligj. Është një njollë kombëtare, që Mbretëresha Teuta, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail Qemali, Shote Galica, Nënë Tereza, Adem Jashari të përdoren për të reklamur bashkë me dhallin edhe qumshtin pluhur që vjen nga Serbia e Rusia.

 Si qytetar i këtij vendi ku Heroi Kombëtar po përdoret për reklamim dhalli, ku Heroi tjetër i Popullit që shpalli pavarësinë e Shqipërisë në historinë e tërë shekujve, përdoren për të  reklamuar shitjen e dhallit (apo kosit apo qumështit), shpërdorohen duke  reklamuar shitjen e nënprodukteve të qumështit si dhalli, pyes: a ka qeveri këtu apo jo? A ka qeverisje, a ka organe të caktuara për të ruajtur nderin kombëtar, figurat dhe  emblemat e kombit?

Sigal

Reklama po bën hatanë, si më këtë anë e matanë. A nuk e keni vënë re se reklamat që poston personalisht kryetari ynë i qeverisë dhe ndonjë sektor tjetër i mirëpaguar i kësaj pune, janë aq të fuqishme sa shkulën vendit gjithë ata bosa ( të mesëm e të vegjël) të mbarë globit që po ‘ulërijnë’ nga gëzimi: ‘ku paskemi qenë që nuk kemi shkuar më parë tek këto perla natyrore ku janë të përzjera natyrshëm deti, mali, fusha, pylli, asfalti, kafshët dhe zhavori?’

Reklamat dhe kryetari i qeverisë

Kryeministri ynë, që siç dihet, në fund të fundit, është babai i tërë katundit, ka deklaruar ku ulur e ku në këmbë, ku me maskë e ku me kaskë, se Shqipëria do bëhet i pari vend në Europë. Jo vetëm për turizmin ala-Rama, por do të ketë aeroporte e aerodrome, baza ushtarake detare, tokësore, ajrore dhe kombinate armëprodhuese. Do të ketë multimiliardierë e pasanikë të tjerë, më shumë të huaj dhe fare pak shqiptarë, por ama do të jetë vend me shumë vende të para në Europë! Askund nuk thotë gjë ai se çfarë mirqenieje do të realizojë praktikisht kjo qeveri për këtë popull që e ka zgjedhur! Askund nuk tregon se çfarë prodhimi industrial e bujqësor do të realizohet këtu që të rritet edhe punësimi, edhe vlerësimi në pagë të lartë të atyre, që prodhojnë të mirat materiale! Këto janë jashtë ‘axhendës’ kryeministrore. Duke dëgjuar këto deklarata, thua ti se historia e Shqipërisë nis me Edi Ramën!? Neise! Nuk po na del koha që t’i numërojmë sukseset sidomos ato që lidhen me seksin, hashashin dhe pastrimin e parave. Në tërë këto maja polarizuese, ka dalë në pah se fshatrat tona po mbeten vetëm gërmadha, se qytetet po zjejnë nga euforia për të hyrë në Europë duke ndërruar përbërjen demografike nga monokomb të ndarë (nga Amerika dhe Europa) në  dy shtete dhe të shpërndarë me shumicë në gjashtë të tjerë, në popullsi multietnike. Këto janë kulme të politikës së qeverisë sonë tash 15 vite dhe të qeverisë paraardhëse të atij me dhe pa vulë partie, që lebetitet në një ballkon pa hije. Por realisht vetëm futbolli do na çojë në Europë 30 vjet përpara politkës!

Tashmë, siç e kemi thënë edhe më parë, kemi arritur një fitore të paimagjinuar: Shqipëria është bërë një vend i fuqishëm borgjez! Mos u shqetësoni nga fjala borgjez! Është paraadhësja e paharruar e fjalëve “kapitalist modern”. Bie në sy më shumë akoma se, një nga faktorët që ka shpënë kombin tonë në të tilla lartësi ka qenë edhe reklama e shoqëruar me konceptin themelor të sistemit kapitalist: gjithçka është mall dhe shit-blihet. Kur themi gjithçka duket të kuptohet se nuk përjashtohet asnjë, asgjë, askund dhe asnjëherë. Dhe reklama është ajo që bukurprezanton për ta shitur, apo për ta blerë. Madje kemi marrë vesh që edhe Hëna është duke u shitur nga bosët amerikanë që e kanë blerë. Ne që ndjekim shembullin amerikan si majmuni, (nuk fyej askënd, sepse kjo është e vërteta më vrasëse) si shqiptarë qenkemi bërë  të njohur për shitblerje mallrash. Realisht bota e stërmadhe imperialiste nuk na ka njohur asfare deri në vitin 1946. Ishin vitet e sistemit komunist që shumica e “G-ve” na njohu, ngase Enver Hoxha u vuri kufirin te thana armiqve dhe lejoi hyrjen vetëm të miqve. Por ama na njohën mirë të gjithë se kush ishim në ato vite e çfarë po bënim ndaj na prezantuan si gogol tek popujt e tyre, aqsa një oficer spiunazhi pyet një shefin tonë të  informacionit ekonomik ‘përse ne e paskemi shitur dikur… Alaskën!?’

Që të dalim në temën tonë. Madje-thonë ata, turistët që vijnë-edhe njeriu shqiptar është mikpritës. Shumë prej tyre thonë edhe fjalinë: “ruajuni nga turizmi masiv se ka pasoja!?” Ç’e do se qeveria nuk dëgjon nga ky vesh! Janë reklamat e kryetarit ato na nxorën Rinasin aeroportin  e parë në Ballkan për numrin e turistëve të hyrë e të dalë. Kjo na mjafton e tepron. Reklamat më atdhetare të deritashme janë ato për kampionatin europian të futbollit dhe janë aq të plotmerituara, paçka se ka edhe biznes jo të pastër brenda tyre.

Është një turp i madh dhe injorancë, për ata që e kanë miratuar këtë lloj reklame. Është injorim i dënueshëm me ligj. Është një njollë kombëtare, që Mbretëresha Teuta, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail Qemali, Shote Galica, të përdoren për të reklamur shijen e dhallit. Është një lloj abuzimi tejet ekstrem: të imponosh shijen e dhallit duke e krahasuar atë me titullarët tanë përfaqësues  më të lartësuar nga shekujt

Kush i miraton dhe kujt i shërbejnë të tilla reklama kombfyese?

Në mes të këtij qershori 2024, nëpër trotuare të kryeqytetit  po na shpojnë sytë shumë e shumë reklama të gjithfarllojshme. Të bukura, moderne, me dhe pa përmbajtje të shëndoshë, por sidoqoftë të gjitha  janë suksesive në shërbim të morisë së bizneseve dhe investimeve  mbi nëntëdhjetë përqind të huaja dhe disa të tjera shqiptare në interes të pandalshëm të zhvillimit kapitalist të vendit tonë të vogël e të shkërmoqur, si ekonomikisht, psikologjikisht, por sidomos nga ana demografike. Se për qeverisje serioze këtu nuk bëhet më fjalë qysh nga viti 1992 e sidomos  në këto 15 vjetët e fundit.

Midis atyre reklamave ka edhe disa, jo pak, të cilat për mua dhe shumë shqiptarë të tjerë, janë më fyeset që kemi parë ndonjëherë. Ja shikojeni: një lloj  palopikture kompjuterike e Heroit tonë Kombëtar ku janë kombinuar në mënyrën më amorfe e abstrakte 12 ngjyra  për të nxjerrë portretin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Mjekra gri dhe e bardhë, veshët të kuq, sytë dhe vetullat të zeza, përkrenarja e bardhë, goja e verdhë, mustaqet të kuqe, në mollza  bashkohen roza, e kuqja, e verdha, kafja, portokallia. Mbi supe i kanë hedhur një flamur të kuq, që lidhet me dy butona si pulla bojë vrarëlije. Poshtë mjekrës në një platformë të gjelbër të errësuar shkruhet ‘madhërishëm’ me një stil arkaik fjalia epike primitive:”Plot histori; shije legjendare që sfidon kohën”. Mbi këtë portret -i thënçin- që pretendohet të jetë ai i  Heroit tonë Kombëtar, të cilin rruzulli tokësor prej gjashtë shekujsh, e njeh si hero mbi heronjtë, shkruhet fjala shqipe “Dhallë”; dhe më lart djathtas saj ekspozohet në formë vezake, emërtimi me pesë shkronja i kompanisë që prodhon këtë produkt. Kjo reklamë është montuar në një xhamllëk katërkëndësh i lartë dy metro e gjysmë dhe i gjerë një metro e gjysmë i ngulur në trotuar.

Më tej në një xhamllëk tjetër të këtij lloji katërkëndësh ngulur në trotuar, na del portreti i pikturuar akoma më keq i Ismail Qemalit duke “reklamuar ” përsëri dhallë. Por mund të ishte edhe qumësht apo gjizë. Më poshtë, po në një të tillë objekt reklamues del Mbretëresha ilire Teuta, dhe e vetmja e tillë në historinë shumë shekullore iliro-shqiptare, pasuar nga heroina Shote Galica duke “tregtuar”, dhallë! Por mund të ishte duke  reklamuar, apo të nënkuptohet nga shikuesi blerës, edhe kos, gjalpë, djathë, salcë…

Si qytetar i këtij vendi ku Heroi Kombëtar po përdoret për reklamim dhalli, ku Heroi tjetër i Popullit që shpalli pavarësinë e Shqipërisë në historinë e tërë shekujve, përdoren për të  reklamuar shitjen e dhallit (apo kosit apo qumështit), shpërdorohen duke  reklamuar shitjen e nënprodukteve të qumështit si dhalli, pyes: a ka qeveri këtu apo jo? A ka qeverisje, a ka organe të caktuara për të ruajtur nderin kombëtar, figurat dhe  emblemat e kombit? Po pse pak, mundësi të tjera ka për reklamime të produkteve  bulmetore shqiptare? Nuk po flas fare se kjo reklamë është false, sepse kjo kompani dhe tërë të tjerat si motra të saj, më shumë përdorin lëndë të parë miellin industrial sesa qumësht lope reale; mbasi sytë i kemi në vend. Ku janë këto qindramijra lopë, dele e dhi) apo larg qoftë, deve e pela), që prodhojnë këto miliona ton qumësht, kos, dhallë, gjizë, bozë!??

Është një turp i madh dhe injorancë, për ata që e kanë miratuar këtë lloj reklame. Është injorim i dënueshëm me ligj. Është një njollë kombëtare, që Mbretëresha Teuta, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail Qemali, Shote Galica, të përdoren për të reklamur shijen e dhallit. Është një lloj abuzimi tejet ekstrem: të imponosh shijen e dhallit duke e krahasuar atë me titullarët tanë përfaqësues  më të lartësuar nga shekujt, historinë, bëmat, famën, emrin që kanë marrë ata deri në përmasat e mitit të merItuar dhe të legjendës shqiptare. Po kush është dhalli more të gjithë ju trudhallë, që kini ideuar, përpunuar, miratuar dhe kini guxuar për të nxjerrë në treg si reklamë emrin e Skënderbeut së bashku me dhallin? Lexoni këto dy rreshta: “ Në fjalorin shqip-shqip të gjuhës sonë , botim i Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë viti 1980, faqe 399, thuhet:”Dhalli është pjesa  që mbetet nga qumështi i ardhur, nga kosi ose nga ajka, pasi rrihet dhe i hiqet gjalpi. Me këtë lloj produkti bëhet edhe lakror që quhet dhallanik, gatuhet edhe bukë misri që quhet dhallëtor.” Historikisht “nëpër disa qytete shqiptare është shitur edhe nëpër rrugë dhallë i ftohtë dhe ai që e kryente këtë punë quhej dhallëshitës.”

Sqaroj se dhalli si një produkt i posaçëm i skajshëm për nga mungesa e yndyrës dhe vlerave, dhe pa ndonjë autoritet para kosit dhe gjalpit. Dhalli përdoret edhe në gjuhësinë shqipe me disa aforizma apo fjalëurti si vijon:“M’u bë koka dhallë”. Kjo ka këto kuptime: Jam shumë i hutuar, nuk di nga t’ia mbaj, më kanë mbuluar shumë punë e detyra; nuk di nga ta nis e ku ta bitis. “Mos u bëj si luga në dhallë.” Kjo përdoret kur ti je bërë i besdisshëm, i mërzitshëm me ato që thua dhe ato që bën;“Dhallë mor’i shkretë dhallë, unë hidh ujë e ti i bardhë.” Kjo fjali tregon vlerat e vërteta të dhallit, i cili si pije freskuese, afërsisht si uji, e vlen që të përdoret.“Ngjyeje bukën me dhallë”. Kjo fjali përdoret kur je aq i varfër sa e njom kafshatën  e bukës me dhallë, i cili nuk ka asnjë yndyrë, por sidoqoftë buka bëhet e kapërcyeshme. “Si pleshti në dhallë” ose “si miza në dhallë”. Kjo përdoret kur dikush ia fut kot, flet kuturu, pa u menduar, pa kuptim e pa lidhje. Pikërisht kjo fjalë popullore do t’u shkonte më shumë për shtat ju që kini bërë këtë reklamë nga pronari i kompanisë, i cili bën vaki që të mos dijë gjë!) deri te ai që e afishoi në bulevard. Por unë dyshoj se këtu ka edhe prapamendim ogurzi. Bëhet fjalë për Heronj të Kombit e jo për një, le të themi dhe të në falë, aktor estrade. A e dinit këto ju që u është bërë mendja dhallë nga paraja dhe pangopësia për pasuri? E dimë që pushteti kapitalist të korrupton, por  të paktën e të paktave ruani emblemat e kombit, se çdo gjë ka një kufi!