Nga thyerja e ‘arrestit shtëpiak’ te vjedhjet dhe kanosja, 4 të arrestuar në Tiranë

22
Sigal

Policia e Tiranës ka arrestuar 4 persona, për vepra të ndryshme penale. Mes të prangosurve, njëri prej tyre është arrestuar për thyerje të masës së ‘arrestit shtëpiak’, të tjerë për plagosje dhe kanosje.

NJOFTIMI I POLICISE

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin V. H., 35 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë elektricist, pasi në fshatin Kus, gjatë kryerjes së punës së tij, i ka kërkuar ndihmë shtetasit E. A., 34 vjeç, i cili në momentin që i ka dhënë ndihmë 35-vjeçarit, është rrëzuar dhe për pasojë është dëmtuar. 34-vjeçari ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin A. R., banues në Tiranë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 kapën shtetasin në kërkim L. U., 24 vjeç, banues në Kamëz, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 4 muaj e 15 ditë burgim, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 ndaluan shtetasin F. Z., 43 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me dy muaj burgim, për veprën penale “Kanosja”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjjthshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.