Nga Rushan Dosti – Përparim Veliu, Heroi i gjallë i tragjedisë së Fekenit: “Heronjë të vërtetë janë ata që shpëtuan jetët e shokëve….Ne ishim thjesht viktima të ortekut!”

Më 6 Shkurt 2026 mbushen plotë 45 vjet kur 11 ushtarakë, 8 studentë dhe tre pedagogë të Shkollës së Lartë Bashkuar të Oficerëve Tiranë, dhanë jetën në luftë me forcat e egra të natyrës duke marrë Statusin “Dëshmorë të Atdheut! Ata do të përkujtohen në mjediset e Akademisë Ushtarake Tiranë, me një ceremoni të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes si dhe do promovohet libri “Dëshmorët e Fekenit” me autorë ish studentë të atij brezi Rushan Dosti dhe Agron. Me këtë rast po sjellim në faqet e “Telegraf” dëshmi të heroit të gjallë të kësaj tragjedie, 68 vjeçarit Përparim Veliu, i cili për 45 vite jeton i paralizuar në Sarandë mbi një karrocë

Në tragjedinë natyrore të 6 Shkurtit 1981, personazhe nuk janë vetëm 11 Dëshmorët e dekretuar me firmë e me vulë, por edhe qindra të plagosur rëndë apo lehtë e dhjetra të tjerë të traumatizuar psikologjikisht. Në listën e 11 emrave Dëshmorë të Atdheut, figurojnë edhe dy emra të tjerë, të cilët mund të ishin shtuar në këtë listë, por u ndëshkuan rëndë duke mbetur përjetësisht të paralizuar. Ata janë Luan Muça nga Peshkopia dhe Përparim Veliu nga Saranda, që të dy futbollistë të ekipit të Shkollës së Bashkuar, djem që të merrnin gjak në vetull….Fatkeqësisht, Luani ka ndërruar jetë, ndërkohë që Përparim Veliu, heroi i gjallë i kësaj ngjarje, vijon jetën e tij në një karrocë prej 45 vitesh, njësoj si një fëmijë që vijon të rritet pafundësisht në një djep druri. Pas 45 vitesh, mundëm të kontaktojmë dhe të flasim me Përparimin pikërisht për ngjarjen më tragjike të jetës së tij, siç ishte orteku i 6 Shkurtit 1981. Ndoshta i lodhur dhe stresuar nga gjithë këto vite të vështira, duke jetuar me një pension qesharak, të cilin e ka përfituar vetëm për shkak të stazhit njëvjeçar, ai nuk ka shumë dëshirë ta kujtoj këtë histori, që siç thotë në krye të bisedës “na ka lodhur me lloj – lloj thëniesh e shkrimesh që herë – herë ngjasojnë me përralla për fëmijët. Gjithsesi Përparim Veliu, nuk mund të mbetet jashtë vëmendjes, aq më shumë kur shkruhet një libër posaçërisht për heronjtë e kësaj tragjedie, ndaj në bisedën e zhvilluar me të, nëpërmjet telefonit zgjodhëm ekstratin e atyre detajeve që ai mban mend dhe i solli si kujtime të tij: “Për ngjarjen e 6 Shkurtit 1981, është folur dhe shkruar shumë, por jo të gjitha ato që janë thënë e shkruajtur janë të vërteta. Kjo sepse ngjarja e Meçekut, meriton një analizë më të thellë, që sipas meje është anashkaluar dhe nuk u bë kurrë ndonjëherë. Personalisht, nuk mund të flas për momentet e goditjes dhe plagosjes, sepse pak gjëra mbaj mend. Do të flas për disa detaje që mbaj mend para dhe pas ngjarjes. Një ditë para se të ndodhte ngjarja, situata meterollogjike ishte e vështirë, për shkak se dëbora kishte ngrirë dhe kishte rreziqe për rrëshqitje në shpate dhe humnera. Madje me një grup shokësh kishim vendosur të pinim ndonjë gotë, sepse edhe pak ditë e përfundonte stërvitja që për ne ishte e fundit. Por askush nuk dinte se ditën tjetër do të ndodhte ajo gjëmë e madhe. Pikërisht kësaj i ruheshim, paditur se poshtë asaj dëbore fshihej ai ortek i zi.  Unë kam qënë bashkë me Aleko Gjonin dhe Xhovalin Kolën dhe shpesh herë flisnim për situatën e vështirë, madje në një moment i thashë Xhovalinit se ky marshim nuk mund të vazhdoj. Mbaj mend që në krye të kolonës ka qënë petagogu i fizkulturës, sampisti i talentuar Mark Mici, një njeri shumë i mirë, të cilit i them: Profesor, kjo që po bëjmë është marrëzi ose injorancë. Nuk mund të shkojmë dot në majë të malit. Çfarë po bëhet kështu?! Marku  dinte, por s’kishte fuqi për të anulluar një urdhër që duhej zbatuar me çdo sakrificë. Edhe ne e dinim, por ishim të detyruar të zbatonim urdhërin. Më pas ndodhi ajo që tashmë nuk mund të zhbëhet dhe humbën gjithë ato jetë njerëzish të pafajshëm. Unë nuk mbaj mend se çfarë ndodhi, sepse goditja që mora ishte fatale. Kisha dhimbje të padurueshme në të gjitha pjesët  e trupit dhe shpinën dhe këmbët komplet të mpira aq sa nuk i djeja se ishin pjesë e trupit tim. Jam përmendur kur më sollën në fjetore dhe aty kam thënë që të mos më preknin se nuk duroj dot dhimbjet. Gjithçka u saktësua në Spitalin Ushtarak në Tiranë dhe më pas gjatë kurimit në Hungari. Për mendimin tim, tragjedia e Fekenit ndodhi dhe për shkak të injorancës së asaj kohe, pasi mund të ishte shmangur. Këtë e them edhe tanë pas dyzet e pesë vjetësh. Unë kam gjykuar dhe gjykoj se heronjtë e vërtetë në atë ngjarje janë ata studentë dhe petagogë që sakrifikuan jetën e tyre për të shpëtuar jetët tona. Mes tyre kishte nga ata që dhanë jetën, por edhe shumë të plagosur. Ne të tjerët ishim thjesht viktima të asaj injorance që përmenda më lartë…. U them me bindje se Aleko Gjoni ka humbur jetën vetëm sepse në moment nuk pati ndihmë…Jo vetëm Lekua, por edhe të tjerë…Jo se mungoi ndihma, por ishte e pamundur të përballoje gjithë atë fluks të plagosurish ku bëja pjesë edhe unë…”

NOA

Tregon Mehmet Rrapo, vëllai i Dëshmorit Pëllumb Rrapo: Përparim Veliu, kjo legjendë e gjallë e Tragjedisë së Fekenit!

Të nesërmen në mëngjesin e 18 gushtit 2025 u nisëm për në Ksamil. Gjatë gjithë rrugës dëgjonim muzikë popullore beratase, për të qënë sa më të përgatitur shpirtërisht…Në Tepelenë, duke parë pamje makabre, male e fusha të shkrumbuara nga flakët e zjarreve të shumta, u mërzita shumë me ato gjurmë të krimit njerëzor, të cilat po më turbullonin shpirtin. Çfarë dreqin kanë me pyjet këta njerëz të ligj?, – ishte pyetja e parë që më erdhi ndërmend. Kjo pamje e trishtë na shoqëroi thuajse deri sa mbërritëm në Sarandë…Isha nisur me pushime, por misioni im ishte takimi me shokun e vëllait tim Pëllumbit, shokë klase dhe specialiteti….

Takimi befasues me Përparim Veliun

Pa mbërritur në Sarandë, në “Qafë Gjashtë”, më merr në telefon shoku im Rushan Dosti.

-Po ku humbe?, – më pyeti.

-Në Sarandë!, – i thashë, kam ardhur për pushime.

-Kalofsh mirë, më tha, por meqë je në Sarandë, gjej pak kohë të takosh Përparim Veliun, fol me të, bëj dhe një foto, sepse më duhet për librin “Dëshmorët e Fekenit”…!

-Po, – i thashë, pa merak,do ta takoj patjetër.

Pasi u sistemuam në hotel dhe pushuam pak, rreth orës 17.30 mora në telefon Përparim Veliun, njeriun e mbijetuar nga tragjedia e 6 shkurtit 1981, njëherësh shok toge me vëllain tim dëshmor, Pëllumbin.

Në anën tjetër të telefonit dëgjova një zë të kthjellët dhe të qartë.

-Mehmet Rrapo jam. Jam në Sarandë dhe dua të takoj!, – i thashë.

-Me kënaqësi, – më tha, por sot nuk mundem se jam i lodhur..

-Kur të mundesh, – i thashë unë. Do të jem disa ditë këtu në Sarandë..

-Shumë mirë, takohemi nesër ora 11.00 paradite tek Bar “Limani”, – më thotë Papi.

Mbasdite dola xhiro në Sarandë me qëllim që të gjeja edhe vendndodhjen e Bar “Limanit”. E gjeta, piva një freskuese dhe u nisa për në hotel. Në mbrëmje i thashë gruas që të shkonte në plazh me vajzën, pasi unë do të takoja  një shokun e Pëllumbit…Natyrisht që gjeta mirëkuptim dhe të nesërmen rreth orës 10.00 u nisa më këmbë për tek Bar “Limani”. U ula në një tavolinë buzë detit, në pritje për të takuar mysafirin e ftuar.

Sapo nisa të konsumoj shishen e dytë të ujit, bie zilja e telefonit. Ishte zëri i Përparimit dhe iu përgjigja menjëherë:

-Këtu tek Bar “Limani “ jam!

-Këtu jam dhe unë, – më tha, ti ku je?!

U ngrita nga tavolina dhe lëviza në drejtim të rrugës që të sillte tek lokali. Sinqerisht që prisja një njeri që do të vinte me paterica ose me karrocë invalidi…Por, nuk ishte kështu. Afër meje qëndroi një autoveturë “Opel”, ngjyrë blu e hapur. U hap xhami i pasagjerit dhe drejtuesi i mjetit më drejjtohet:

-Bashkë folëm në telefon?

-Fola me Përparim Veliun, – i them unë.

-Po, më tha, unë jam!

Nuk di se çfarë ndodhi me mua. Kalova pak çaste shokimi. Lëviza pa vetëdije tek dera e shoferit dhe hapa derën. I dhamë dorën njëri – tjetrit duke u parë sy më sy.

-Më ndihmo pak, – më tha, – ma merr pak karrocën në bagazh! Mora karrocën dhe ia afrova tek dera. Më kërkoi që ta mbaj karrocën në një pozicion që të mos lëvizte dhe për pak sekonda me një lëvizje të shpejt, kërceu në karrocë.

Në këto momente, betohem, që sytë m’u mbushën me lotë. Çdo fjalë dhe veprim, kryer nga Përparimi më befasuan. Vetëm  një njeri i fortë, i zoti, që kishte mposhtur një fatkeqësi natyrore, mund ta bënte këtë. Në moment të kësaj dobësie u ktheva pak majtas dhe fshiva lotët dhe  dëshiroj që Përparimi të mos i ketë parë.

U ulëm në tavolinë dhe Përparimi , si gjithmonë mori kafe ekspres dhe ujë. Këtë e kuptova sepse kamarieri nuk mori porosi, por ia solli atë në moment. Unë mora përsëri ujë. Filluam bisedën për t’u njohur më mirë me njëri – tjetrin. Asnjë nga bisedat tona nuk përfundoi deri në fund, për shkak të përshëndetjeve që i jepnin Përparimit pa përjashtim, të gjithë ata që hynin në lokal.

Kjo do të thoshte për mua, që Përparimi, nuk ishte një njeri i zakonshëm në Sarandë. Përkundrazi. Këtë mendim ma përforcoi edhe një sarandiot, që mori leje dhe u ul në tavolinë, dhe nisi ta pyeste Përparimin për çdo gjë. Duhet ta ketë njeriun e tij, mendova në fillim, por nuk ishte kështu. Ai ishte shok i vjetër me Përparimin dhe respekti e dashuria njerëzore i mbante të lidhur ngushtësish. Gjithsesi vijuam bisedën e lënë kushedi sa herë përgjysëm:

-Si po ja kalon?, – e pyeta. Një pyetje sa e përgjithshme, aq edhe monotone.

-O Meti, – m’u drejtua: Si po ja kaloj unë? Dëshirat s’mu realizuan në jetë!

-Kush janë këto dëshira?, – e pyeta duke buzëqeshur.

-Po ja, më tha: Unë kisha dëshirë të isha kontroll i sigurisë rrugore. Për këtë aplikova për shkollë të lartë, por nuk m’u plotësua dëshira. Përfundova në Shkollën e Lartë të Bashkuar për oficer. Pas shkollës kisha dëshirë të emërohesha në Tiranë ose Durrës, por fati nuk ishte me mua. Më 6 shkurt të 1981 ndodhi ajo qe dimë të gjithë…

-A e mban mend ngjarjen e asaj dite?! – shpejtova ta pyes.

“Po, sikur të ketë ndodhur sot. Unë isha në togën që po ngjitej në Meçek. Kur ra orteku, jo vetëm unë, por të gjithë, e humbëm toruan në momentet e para. Më pas e morëm veten. Mua më gjetën shokët dhe më transportuan për në kamping. Mbaj mend që kam patur dhimbje të mëdha. Në kamping, fillimisht u ngrita poshtë në të ndenjura, por më pas rashë në gjendje kome. Jam përmendur në Spitalin Ushtarak pas disa ditësh. Çastet më të vështira të jetës sime i kalova kur kuptova se isha dëmtuar rëndë dhe s’mund të lëvizja më më këmbë. E përballova me shpresën se diçka e mirë do të ndodhte më pas. Pra, shpresa, më kthehu në jetën normale. Mua dhe shokun tim, Luan Muça, na çuan në Hungari për kurim për disa muaj, por pa rezultat. Ky ishte fati im, o Meti! Jetën duam ta jetojmë siç na vjen!”

-Po ti ku po jeton tani, në Poshnje?, – më pyeti.

-Jo, – i thashë, nuk jetoj në Poshnje. Jetojmë në Durrës..

Pas kësaj, për të mos kujtuar më 6 shkurtin, më pyeti për babain, nënën, vëllezërit dhe motrat. Mbeta i habitur kur më tha:

-“Kam ardhur për vizitë në shtëpinë tuaj në Poshnje në fund të qershorit të vitit 1981.

Prindërit e tu më mbajtën për drekë dhe ja kaluam shumë mirë. Ti Meti, nuk ke qënë atë ditë në shtëpi. Ajo drekë mua më ka mbetur në mendje…Prindërit e tua më respektuan sikur unë të isha Pëllumbi…” Konstatova se Përparimi ishte shumë i kthjellët dhe i saktë në memorje në interpretimin e ngjarjeve.  E informova se në Sheshin në Qëndër të Poshnjes, përveç pllakës me emrin e Pëllumbit tashmë e vendosur, Bashkia Dimal ka miratuar edhe vendosjen e një përmendoreje me bustin e Pëllumbit dhe me pllaka përkujtimore me emrat e dhjetë dëshmorëve të tjerë, shoqëruar edhe me pak histori për ngjarjen e 6 shkurtit 1981. Meqë sivjet është 45 vjetori dhe do të përurohet përmendorja dhe promovohet libri, kemi menduar që pllakën dhe përmendoren ta zbulosh ti si shoku i Pëllumbit, por edhe si legjendë e gjallë e asaj ngjarje të dhimbshme. U ndjeva jo mirë kur ai më thotë: Nuk e përballoj dot. Por mbetem me shpresë se ai do të ndryshoj mendim. Ka ende shumë kohë… Biseda pastaj hyri në një rrjedhë tjetër ku secili donte të dinte se me se merrej njëri apo tjetri. U lumturova kur mora vesh që Përparimi ishte anëtar në Komisionin e Strehimitt ë Bashkisë Sarandë. Kjo do të thotë se komuniteti ku ai jeton ka respekt për të dhe nevojë për gjykimin e tij.

Jeta e Përparimit

Përparimi jeton vetëm në shtëpi, por pak metra më larg jeton dhe motra e tij. Të ardhura ka vetëm një pension, të cilin e ka përfituar nga një vit stazh të kryer pas shkollës së mesme. Ndjeva keqardhje kur mësova se ai nuk përfitonte asnjë trajtim të veçantë nga shteti, për të cilin ai sakrifikoi jetën e tij. Nisa të mendoj dhe njëherësh të pyes: Pse dreqin jemi një shoqëri kaq dembele? Çfarë faj ka bërë ky njeri në moshën 23 vjeçare kur zbatoi një urdhër të Komandës së tij?! Çfarë gabimi ka bërë, o Zot, të lutem na thuaj?! Përse ky njeri, legjendë e një ngjarje të rëndë, që mund të ishte dëshmori i 12 – të i Fekenit, duhet të jetoj me një pension lëmoshë?! Nuk di se çfarë të them…më ther dhimbja në zemër! Me logjikën e një qytetari të përgjegjshëm, por edhe si koleg e shok i Përparimit (Shoku i vëllait tim, është dhe shoku im), do të thosha se ky person, por jo vetëm, të gjithë ata studentë apo oficerë viktima të kësaj ngjarje, nuk janë trajtuar nga shteti i tyre ashtu siç e kanë meritur, dhe një gjë e tillë është për të ardhur keq. Kujtoj me këtë rast një thënie të Çurçillit: “Kultura e një shteti varet si i trajton të burgosurit e vet!”. Të burgosurit, jo dëshmorët dhe heronjtë! Po shteti ynë si i trajton burrashtetasit apo heronjtë e vet?!

Për të mos e lënduar më mikun tim, ndryshova temë dhe e pyeta:

-Ti ishe shok klase me Pëllumbin tonë, mund të më tregosh ndonjë kujtim?

-“Kam shumë kujtime me Pëllumbin, por jo vetëm, me të gjithë shokët e klasës.

Ne kemi shkuar shumë mirë me njëri – tjetrin. Do të tregoj një histori:

Një shoku ynë nga Qerreti i Kavajës ishte me leje në shtëpi dhe kur u kthye, solli raki rrushi. Një darkë u organizuam në tre tavolina pë të pirë ndonjë gotë. Pëllumbi ishte tek tavolina afër meje. Në tavolinën time asnjë nga tre shokët se pinte rakinë, kështu që unë e mbusha gotën time plotë. Çdo tavolinë kishte nga 500 gram raki. Kur pa gotën time plotë, Pëllumbi më tha: Ti pate fatin që ata shokë se pinë rakinë, na jep pak se e pimë ne të tjerët! Mirë i thashë, por me kusht… Çfarë kushti, – pyeti Pëllumbi. Të të jap një dopio raki e ta pish eksi dhe të vesh e të vish dy herë tek dera e fjetinës! Po, tha Pëllumbi dhe zgjati gotën. Unë ia dhashë gotën dopio dhe ai e ktheu eksi si dhe vajti e erdhi dy herë tek dera e fjetinës. Pas disa minutash në fjetinë shfaqet poeti Arben Duka me dy shokë të tjerë. Ai kërkoi që të fikej drita se do të flinin gjumë. Pëllumbi, që kishte më shumë afrimitet me të, i thotë: Ti i ke bërë detyrat e darkës, ndërsa ne tani filluam. Në do të flesh shtrihu dhe mbulo kokën me batanije! Të gjithë qeshëm dhe Arbeni me shokët shkuan për të fjetur. Atë natë kaluam një mbrëmje shumë të këndshme dhe ramë për të fjetur në orët e para të mëngjesit. U zgjuam vetëm kur dëgjuam borinë e zgjimit. Teksa ishim ulur në krevat, Pëllumbi më thotë: Ke ndonjë limon aty se më dogje gjithë natën me raki! Po, more, po, – i thashë, rakinë ma pive, tani do të më hash edhe limonat?! Hapa komodinën dhe i dhashë një kokërr limoni…” I lumturuar nga kjo histoi falenderova Përparimin dhe ia tregova nënës, e cila u ndje shumë mirë. Me këtë rast nëna kujtoi edhe vizitën e tij në qershor të vitit 1981 dhe uroi me gjithë zemër jetë të gjatë për Përparimin.

Përparimi në vështrimin tim

Pasi kishim mbaruar së biseduari disa tema, por jo të gjitha, nisa të bëja një skaner të figurës dhe karakterit të Përparim Veliut, shokut të vëllait tim. Tek ky njeri konstatova një karakter të hekurt, ku fatkeqësia 45 vjeçare, se ka mposhtur, përkundrazi e ka forcuar. Pashë një njeri të vuajtur, por të rregullt si në paraqitje, ashtu edhe në veshje, ku çdo gjë e veshur në trupin e tij ishte e pastër dhe e hekurosur. Pashë një njeri të kthjellët në mendime, ku çdo ngjarje të së kaluarës e kujtonte me një kujtesë të frikshme. Pashë një njeri që kishte lënë shumë gjurmë në komunitetin dhe qytetin ku jetonte, ku çdo qytetar sarandiot që kalonte në rrugë i fliste me përzëmërsi. Një njeri, që edhe sot është i aftë t’i shërbej popullit të Sarandës duke bërë drejtësi në Komisionin e Strehimit ku bënte pjesë. Pashë një njeri, që edhe pse jetonte në kushte jo nomale, kishte mposhtur çdo vështërësi që i kishte afruar jeta. Në shpirtin e Përparimit zbulova njeriun e mirë, por asnjëherë të lodhur. Ai ka ditur t’i dalë zot vetes, duke e zbukuruar jetën e tij si ajo lulja e bukur e Sarandës, ndoshta edhe më bukur. Ai është njeri modest dhe nuk pranon të flas për vete. Ai mendon se të tjerët kanë bërë më shumë se ai. Pra, harron Papi, se sot nuk gjen student apo oficer, të atij kallëpi, që në emër të detyrës të rrezikojnë apo të japin jetën siç bën shokët e Përparimit më 6 shkurt 1981. Përparimi harron se ajo shkollë ishte një vend ku u rritën dhe u edukuan shumë patriotë shqiptarë, të cilët kanë bërë emër në historinë e Shqipërisë. Me bindje e them që edhe Përparimi është një i tillë, ndaj mora guximin të shkruaj këto radhë. Njerëz si Përparim Veliu nuk janë njerëz të zakonshëm, por janë legjenda, heronjë të gjallë. Përparim Veliu në vështrimin tim është një legjendë e gjallë që duhet vlerësuar dhe respektuar. Unë si pjesëtar i kësaj shoqërie, ndihem shumë borxhlli ndaj tij, ndaj e uroj me zemër: Paç gjithë të mirat e kësaj bote, o njeri i mirë, njeriu model i shoqërisë sonë!