Një telefonatë më njoftonte të mblidheshim diku, te Rruga Bardhyl, aty pranë shtëpisë ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës, në respekt të kujtimit të tij. Të parin kërkova Kadriun (Paze) shokun më të afërt të Maksit, po ai, si gjithmonë në Itali, atje ku banon me familjen. Dhe, së bashku me Shpëtimin (Meçe), vendosëm të shkojmë, se na dukej sikur do ta takonim, tani pas një viti.

Ndërkohë, më kaluan para syve ata dhjetëra specialistë bujqësie, agronomë, ekonomistë, veterinerë e zooteknikë, inxhinierë pyjesh e mekanike e deri bujq të thjeshtë, që për afro 40 vjet, së bashku me kolegët, kishim bërë kujdes t’i kujtonim nëpërmjet faqeve të revistës “Bujqësia…”, organ i vjetër i Ministrisë së Bujqësisë. Po, sot, thashë me vete. U mbush një vit e askush s’u kujtua të lerë diçka të shkruar (qoftë edhe për arkiv) për Maksin e shumë të tjerë, kur ndahen nga jeta, që me ndërgjegje ia kushtuan bujqësisë. Nejse, ky është një shqetësim që hapet shpesh midis kolegësh: “Të vlerësohen e respektohen edhe ata që ia kushtojnë jetën bujqësisë, të paktën sa ata të sektorëve të tjerë të kulturës dhe ekonomisë” . E, këtu s’shkon të ndalemi gjatë për këtë “pakujdesi”. Do të shkruaj diçka thashë, po a do të “çaj” dot për ta botuar, se shtypi i ditës mbushet me ku di unë çfarë edhe për një këngëtar, që s’e ka njohur kush në kohën e tij, shkruhen faqe të tëra. Po edhe këtë “e zgjidha”. Kemi një koleg gazetar, thashë, specialist bujqësie, që drejton një gazetë me emër e që i vlerëson edhe specialistët e bujqësisë. Dhe vendosa që këto dy fjalë për Maksin t’i botoj në këtë gazetë. Maksi Laha lindi në shkurt të vitit 1952. I ati, Zijai, i ardhur nga Prizreni dhe e ëma, Asija, nga Berati, lindën e rritën tre fëmijë, me virtytet tona më të mira, të ndershëm e punëtorë, ashtu siç ishin edhe ata vetë. Në vitin 1973, pasi kreu gjimnazin “Partizani” dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës, Maksin, agronom të sapodiplomuar, e çojnë në Kashar të Tiranës, ku ai e gjeti veten menjëherë. U përshtat aq shumë sa kasharijtë thoshin “Ky agronomi sikur ka lindur në Kashar e jo në Tiranë”. Dhe kjo kishte mjaft kuptim. Maksi filloi të njihte profesionin e agronomit, po njëherësh njihte edhe jetën e fshatit të atyre viteve, hallet e panumërta të fshatarëve. Edukata që kishte marrë e “shtynte”atë të merrej me gjithçka, të interesohej edhe për ecurinë e fëmijëve të tyre në shkollë. Puna dhe përkushtimi i tij bënë që pas pesë vjetësh, të emërohej kryespecialist bujqësie, veç këtë herë shumë më larg nga Kashari, mbrapa Dajtit, në një ekonomi që përfshinte fshatrat Shkallë, Qafëmollë, Derje, Dom, Murth, Selbë e Darshen. Për afro 10 vjet, që iu përkushtua punës si specialist e deri edhe drejtues, mund të flasë e të sjellë kujtime çdonjëri prej banorëve të këtyre anëve. Po, sido që të jetë, të përmbledhura ato thonë: “ Sikur ka lindur në fshatrat tona të Pasdajtit ky Moksi”. Dhe kjo ishte mëse e vërtetë. Ai u përshtat aq shumë me jetën e atyre banorëve, sa ndonjëherë mund “të dyshoje” nëse ishte ai Maks i rritur në rrugët me asfalt e që përfaqësonte edhe ekipin e “Tironës” në atletikë edhe jashtë vendit, apo ishte tjetër. Ishte Maksi që e njihte çdo fëmijë i këtyre anëve, pa përmendur prindërit e tyre, me të cilët ulej e qante hallet, pse jo edhe me gotat e rakisë përpara, me çfarë të ndodhej. Ata e quanin atë si djalin e tyre. Në vitin 1986, puna e Maksit u vlerësua e u “shpërblye”, duke e emëruar në ish-Ndërmarrjen Nacionale të Kullotave, Tiranë, si specialist, po edhe drejtues i saj, deri nga mesi i vitit 1993, kur u “shpërblye” përsëri, duke e emëruar drejtues të Ndërmarrjes së Ujërave, po në Tiranë, ku u kthye përsëri në vitin 2006, pas një “ndërprerjeje”, si shumë të tjerë, nga “reformat” që tek ne s’po kryhen kurrë. Aty, tek Ujërat, e gjeti edhe viti 2009, kur Maksi u nda nga jeta.

Vitet kur filluan proceset demokratike, Maksin e gjetën mes punonjësve të Ndërmarrjes së Kullotave dhe, që në ditët e para, ai e pa veten midis shumë e shumë prej atyre që kërkonin ndryshimin e sistemit. U përfshi në atë lëvizje, pasi ai e njihte mirë jetën, e njihte mirë qytetin, po njihte mirë edhe fshatin, e dinte se shumë halle nuk zgjidheshin po kërkoheshin ndryshime të thella politike e ekonomike. Dhe, për çdo veprim që kryente, ai ishte i ndërgjegjshëm dhe ishte i bindur se gjithçka do të shkojë për mirë. Po, … ja, zemra e tij, që kishte kaluar edhe një infarkt, pushoi së punuari dhe Maksi u nda, duke lënë shumë në pikëllim. La djalin e vajzën, Kitin e Adën, la Dianën, motrën që e donte aq shumë, la vëllanë, Torin e nipin, Laertin, la të afërm, miq e shokë të panumërt. Po të gjithë do ta kujtojnë me dashuri e respekt. Se njerëz si Maksi nuk harrohen kurrë.






















