Nga Kamza në ‘Xhamllik’, si u kap në rrugë i akuzuari për një sërë krimesh

210
Sigal

Policia e Tiranës ka pikasur dhe më pas ka shoqëruar për në ambientet e kësaj drejtorie një prej emrave më të njohur të skedave kriminale të hartuara prej tyre në vendin tonë.

Sipas të dhënave, në zonën e Xhamllikut, teksa ecte në rrugë i vetëm, një grup i oficerëve të Policisë Kriminale kanë bërë të mundur ndalimin dhe më pas prangosjen e një personi, që sipas tyre, rezultonte të ishte në arrest shtëpie.Pas prangosjes është mësuar se bëhej fjalë për Hektor Xheçukën, të riun e akuzuar për një sërë aktesh, por që rezulton të jetë nën masën e sigurisë së arrestit shtëpiak për një ngjarje të rëndë të shënuar në zonën e Matit në korrikun e vitit 2020.

Grupet e vëzhgimit që gjenden në gatishmëri prej më shumë se 24 orësh kanë pikasur Xheçukën dhe më pas kanë kërkuar edhe ndalimin e tij.

Sipas një burimi policor, gazeta “Panorama” mësoi se ende nuk dihet se cila ka qenë arsyeja e thyerjes së asaj mase nga ana e të pandehurit, por prej faktit që ai nuk ka bërë rezistencë ndaj punonjësve të Policisë ende nuk dihet se çfarë mase mund të merret për të.

Po kush është Hektor Xheçuka?

I prangosuri Hektor Xheçuka njihet me emrin Tori Xheçuka. Ai është i dyshuar si pjesëmarrës në disa ngjarje të rënda kriminale, por rasti më i fundit është shënuar në zonën e Matit, pasi Policia pretendoi se ai kishte tentuar të vriste një person, ngjarje që daton 6 korrikun e dy viteve më parë.

Policia e shpalli në kërkim për atë ngjarje matjanin që jeton në Kamzë, pas dëshmisë së të plagosurit nga ana e tij. Ai dëshmoi se Xheçuka e kishte plagosur në ambientet e jashtme të një restoranti ku po flisnin për një ngjarje të rëndë që i kishte ndodhur vëllait të Xheçukës.

Sipas të dhënave policore, u mësua se personi i plagosur në Mat ishte Enrik Metra, një 28- vjeçar që arriti t’i mbijetonte atij sulmi me armë.

Më pas u tha se Xheçuka u mor i pandehur nga Prokuroria e Matit për akuzën e “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe municioneve”.

Së bashku me të, Prokuroria mori të pandehur dhe Saimir Klosin dhe Xherdi Porjen, që të dy për akuzën e “Moskallëzimit të krimit” dhe “Kryerjes së veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Hektor Xheçuka është arrestuar dhe më pas liruar për vrasjen e Emiljano Boçit, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2018 në Tiranë, një akt për të cilin Xheçuka është liruar pasi Prokuroria nuk mundi ta bindte Gjykatën se kishte prova për fajësimin e tij.

Përveç Hektorit, probleme me drejtësinë ka edhe vëllai i tij, Elsoni, i cili tashmë është i akuzuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit, ngjarje e ndodhur në shkurt 2021 në Fier.