Nga Gjelishti te Carlo Bolino, zbardhet skema e qarkullimit të miliardave/ Dokument

396
Sigal

Partia Demokratike ka vijuar me denoncimin e asaj që e konsideron si skema e korrupsionit mbi transferimin e parave të tenderave të fituar nga Igli Gjelishti në llogaritë e Carlo Bolinos.

Partia Demokratike ka publikuar skemën korruptive të tenderave qeveritarë për kompaninë Web & Communications Development dhe kush janë përfituesit e vërtetë të miliarda lekeve të shqiptarëve.

“Ne disponojmë te dhënat për faturat e kompanisë së Igli Gjelishtit nga shtatori 2019 deri në mars 2020.

Vetëm për periudhën 7 mujore kompania në fjalë, Web & Development Communication i ka transferuar kompanisë C-7-Kommunication Systems 899.959.250 lekë dhe kompanisë Media Content 52.894.800 leke.

Nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania C-7-Kommunication Systems është në pronësi te MTSC shpk ose Report TV i Carlo Bolino.

Ndërsa kompania Media Content është në pronësi te FFM Group shpk e cila është 80% në pronësi të Alba Malltezit, bashkëshortes së pronarit të report TV, Carlo Bolino”, tha Endri Hasa, ish-deputet i PD.

Sipas tij, Edi Rama nëpërmjet AKSHI-t dhe Igli Gjelishtit i ka kaluar Carlo Bolinos vetëm në 7 muaj afro 1 miliardë lekë nga taksat e shqiptarëve.

“Pyetja që lind është se përse këto para kanë përfunduar në llogaritë e kompanive të Bolinos?!

Carlo Bolino ka marrë miliarda lekë nëpërmjet tenderave publike të qeverisë se Edi Rames për të bërë makiazhin e propagandës qeveritare.

Duke përdorur këto kompani dhe shumë të tjera si to, Carlo Bolino është bërë përfitues i parave të taksapaguesve shqiptarë.

Kjo është skema e transferimit të afro 1 miliard lekëve në xhepat e Carlo Bollinos për llogari të Edi Ramës.

Kjo skemë tregon qartë mënyrën se si Edi Rama nëpërmjet tenderave fiktivë transferon miliarda leke në xhepat e miqve te tij dhe mediave qe bëjnë propagandën e rilindjes”, tha Hasa.

Ai shtoi se SPAK është para një tjetër prove për të treguar se është një institucion i krijuar nga drejtësia e re për të luftuar korrupsionin.