Nga 41 mijë vaksina, erdhën 2 mijë. Qeveria bën premtime boshe, në garë “lypësash” për të siguruar dozat.

182
Sigal

10 750 dozave të vaksinës anticovid për muajin janar dhe 30 250 doza të tjera  për shkurtin nuk sillen në Shqipëri

 

Në datën 2 shkurt nisi injektimi i dozës së dytë të vaksinës anticovid, nga kontigjenti prej 1170 vaksinash që u raportuan se mbërritën një ditë më parë. Këto shifra janë shumë herë më të ulëta se ato të premtuara nga kryeministri Rama, i cili kishte premtuar mbërritjen e mbi 10 mijë dozave që në javën e tretë të janarit. Nga ana tjetër edhe zotimet e autoriteteve për nisjen e vaksinimit të qytetarëve, duken jo realiste për sa kohë nuk është vaksinuar as 1/10 e personelit mjekësor që konsiderohet i vijës së parë të rrezikut.

Javën e kaluar, zëvëndësministrja e shëndetësisë Mira Rakacolli garantoi se në datë 2 shkurt do të niste vaksinimi me dozën e dytë anticovid.“Fillon doza e dytë me 2 shkurt”- tha ajo.

Mbrëmjen e 1 shkurtit u njoftua ardhja e 1170 dozave në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Paraditen e kësaj të marte, në 2 shkurt nisi injektimi i dozës së dytë  të vaksinës për personat që dozën e parë nisën ta marrin nga 11 janari e në vazhdim. Ky proces vijon në mjediset e stadiumit Air Albania për personelin mjekësor

Me një llogaritje të thjeshtë, nga 1170 doza që erdhën në 1 shkurt, do marrin dozën e dytë të vaksinës anti-covid 975 individët (mjekë dhe infermierë që u vaksinuan duke nisur nga 11 janari).

1170 (doza të mbërritura në 1 shkurt) -975 (individë që do marrin dozën 2 =195 doza të mbetura

Ekspertin e shëndetësisë Erion Dasho konfirmon se një numër prej jo më shumë se 195 individësh do të përbëjnë kontigjentin e ri të të vaksinuarve.

“Nga 1170 doza që erdhën, do marrin dozën e dytë dhe 975 mjekë dhe infermierë që u vaksinuan me datë 11 janar. Madje do shtoja që janë me vonesë për marrjen e dozës. Pra, na ngelen 195 doza, pa hequr 50 doza për mjekët e Kosovës që në rast se vijnë ta bëjnë, ne ngelemi me145 “doza të reja.”-shprehet Dasho.

Me këtë ritëm vaksinimi, duket sfidues zotimi i autoriteteve shëndetësore për nisjen e procesit të vaksinimit edhe për qytetarë të kategorive të rrezikuara, paralelisht me stafin mjekësor, brenda muajit shkurt. Të paktën kështu kanë deklaruar zëvendësministrja Rakacolli dhe kreu I Urgjencs Kombëtare, Skënder Brataj. “Me përfundimin e vaksinimit të 5 mijë të parëve ku përfshihet personeli mjekësor, do të nisë edhe vaksinimi i qytetarëve”-tha zoti Brataj.

“Vaksinimi i qytetarëve do të nisë brenda muajit shkurt”-shtoi zonja Rakacolli.

Sipas kësaj të fundit, deri në atë datë (26 janar 2021) janë vaksinuar 500-600 mjekë, pra një e dhjeta e atyre që duhet të vaksinohen, para se të nisë procesi edhe për qytetarët.

Sesa i arritshëm do të jetë ky zotim, varet edhe nga sasia e dozave që do të mbërrijnë.

Por fakt është se premtimi i kryeministrit Rama në 1 janar se në fillim të javës së tretë të janarit do mbërrinin 10 750 dozave të vaksinës anticovid, nuk u përmbush.

Brenda muajit shkurt, po sipas deklarëtës së kryeministrit do mbërrinin edhe 30 250 doza të tjera.

Rritet numri i të infektuarve, 942 raste të reja dhe 5 viktima

Janë kryer 3856 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 942 qytetarë.Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki:199 raste në Tiranë, 80 në Durrës, 57 në Elbasan, 52 në Vlorë, nga 39 raste në Shkodër, Lushnje, 33 në Lezhë, 32 në Fier, 30 në Krujë, 29 në Kavajë, 26 në Kamëz, 25 në Sarandë, 22 në Kukës, 17 në Patos, nga 16 raste në Gjirokastër, Shijak, 14 në Librazhd, nga 12 raste në Berat, Dibër, nga 11 raste në Korçë, Rrogozhinë, Gramsh, Kuçovë, 10 në Kurbin, nga 9 raste në Mallakastër, Vau i Dejës, Divjakë, nga 8 raste në Pogradec, Peqin, Skrapar, nga 7 raste në Mirditë, Mat, Bulqizë, nga 6 raste në Delvinë, Malësi e Madhe, Prrenjas, nga 5 raste në Tepelenë, Cerrik, nga 4 raste në Pukë, Ura Vajgurore, Belsh, 3 në Devoll, nga 2 raste në Has, Tropojë, Përmet, Selenicë, Memaliaj, Kolonjë, Poliçan, Këlcyrë, Konispol, nga 1 rast në Roskovec, Klos, Vorë, Pustec, Dropull.Në 24 orët e fundit janë shëruar 455 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 48,377 që nga fillimi i epidemisë.
Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 405 pacientë, 25 në terapi intensive nga të cilët 10 pacientë janë të intubuar.Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 5 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19 në spitalet COVID. 2 qytetarë nga Tirana, 2 qytetare nga Lushnja, 1 qytetare nga Tepelena, të moshave 43-87 vjeç.