Kishte “fiksim” portofolat, arrestohet “xhepisti” në Elbasan

284
Sigal

Një 39-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Shtetit pasi dyshohet për disa vjedhje.

39-vjeçari me iniciale F. Z., banues në Elbasan, u arrestua pas vjedhjes së një portofoli, por mbi të rëndojnë edhe dyshime për vepra të ngjashme.

Në njoftimin zyrtar të Policisë, renditen katër vjedhje të tjera portofoli, telefoni dhe çante ndaj qytetarëve.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Përsëritësi”, për zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të ndodhura në qarkun e Elbasanit.

Arrestohet në flagrancë një 39-vjeçar, i cili ishte kthyer në shqetësim për qytetarët. Zbardhen dhe 4 vjedhje të kryera nga ky shtetas.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e rasteve të ndodhura më parë, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan organizuan dhe finalizuan operacion policor të koduar “Përsëritësi”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

F. Z., 39 vjeç, banues në Elbasan. Arrestimi i tij u bë pasi ditën e djeshme, në lagjen “5 Maji”, Elbasan, i ka vjedhur portofolin shtetases A. D. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas është autor dhe i 4 vjedhjeve të tjera të ndodhura në qytetin e Elbasanit, konkretisht: Më datë 01.02.2021 dyshohet se i ka vjedhur një aparatin celular shtetases V. B.; Më datë 29.01.2021 dyshohet se i ka vjedhur portofolin shtetases L. D.; Më datë 28.01.2021 dyshohet se i ka vjedhur portofolin shtetases M. T.; Më datë 18.12.2020 dyshohet se i ka vjedhur çantën shtetases B. Ll.

Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që dyshohen se janë kryer nga ky shtetas.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.