Nesër Sondazhi i Parë IPR marketing – RTV Ora: Si do të votonin sot shqiptarët?

692
Sigal

IPR Marketing, një nga shoqëritë lider në Itali, e specializuar ne kërkimet, studimet dhe analizat e opinionit publik dhe tregut prej më shumë se 26 vjetësh, me përvojë të suksesshme ndërkombëtare rikthehet në Shqipëri me sondazhin e parë për këtë vit mbi situatën në vend në bashkëpunim me RTV ORA.

Në kulmin e një situate të paprecedent në politikën shqiptare, me dorëzimin e mandateve në Kuvend nga opozita, por që tubohet prej javësh jashtë tij në protesta, me qëndrimin e palëkundur të maxhorancës për të vijuar me zgjedhjet lokale te dekretuara për në 30 qershor, RTV Ora, me president Ylli Ndroqin, në bashkëpunim me IPR Marketing, nën administrimin e Antonio Notos, vijojnë traditën e konsoliduar 12 vjeçare të prezantimit të sondazheve, që masin opinionin publik para e përgjatë fushatave zgjedhore. Për të kulmuar me zgjedhjet dhe EXIT Poll-et.

Përvoja e akumuluar në vite me rezultate të sakta, falë punës profesionale të një prej kompanive më prestigjioze në fushën e matjes të opinionit publik dhe korrektesës e profesionalizmit të RTV Ora, ka krijuar një klimë të fortë besimi ndaj sondazheve që synojnë të informojnë shqiptarët, larg çdo ndikimi partiak a politik, në shërbim vetëm të interesit publik.

Antonio Noto, administrator i shoqërisë me seli në Romë, Napoli e Pozzuoli, do të jetë prezent në prezantimin e rezultateve të para të një serie sondazhesh përgjatë javëve në vijim, të vetmet të besueshme, profesionale e të sakta që kanë shoqëruar zgjedhjet e shqiptarëve në dekadën e fundit, prirjen e tyre te votës drejt forcave politike, apo udhëheqësve të veçantë, duke krijuar traditën më të mirë përballë skepticizmit mbi vërtetësinë e rezultateve. Për të vërtetuar suksesin e kësaj tradite dëshmojnë sondazhet e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, 2013 dhe 2017, si dhe ato lokale të vitit 2015 së bashku me exit-pollet përkatëse.

Të mërkurën e 3 prillit, në ora 22.30 në studion e programit Tempora të Sonila Meços dhe nën komentin e Administratorit të IPR Marketing. Antonio Noto, analistëve dhe opinionistëve të njohur Artur Zheji dhe Dritan Hila, shqiptarët do të njihen me rezultatet e sondazhit të parë për këtë vit, në nivel kombëtar mbi çështjet kryesore të aktualitetit. Çfarë mendojnë shqiptarët mbi situatën aktuale politike, sociale dhe ekonomike?

Në ç’drejtim po shkon Shqipëria?

Cilat janë problemet më emergjente me të cilat ballafaqohen shqiptarët?

Si konsiderohet puna e liderëve kryesorë në vend? Cili punon më shumë në interes të shqiptarëve?

Nëse zgjedhjet, të përgjithshme, apo lokale do të zhvilloheshin nesër cila forcë politike do t’i fitonte ato?

A janë gati shqiptarët të shkojnë në zgjedhje të parakohshme?

A duhet të mbahen zgjedhjet lokale në 30 qershor pa opozitën?

Radio Televizioni Ora dhe IPR marketing Live, të mërkurën e 3 prillit në ora 22.30 do t’ju tregojnë Shqipërinë sipas shqiptarëve, për t’i shërbyer me objektivitet, paanshmëri dhe profesionalizëm vetëm interesit publik.