Vendimi për konsujt, Malaj: Cakaj ka humbur fokusin kombëtar

420
Sigal

Vendimi i ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj për heqjen e targave CD, si Trup Diplomatik, të konsujve të Nderit në Shqipëri ka sjellë edhe reagimin e disa prej tyre. 
Arben Malaj, i zgjedhur së fundmi si konsull nderi i Austrisë për Shqipërinë Jugore e cilëson këtë vendim si një humbje të fokusit të Ministrisë së Jashtme në politikat e saj. 
“Fokusi i zv.ministrit tek lëvizjet në staf, targa apo pasaportat diplomatike e dëmtojnë profilin e një shtetari, dëmtojnë kredibilitetin e MEPJ e cila duket se ka humbur fokusin tek prioritetet kombëtare dhe plotëson axhendën mediatike me lajme të tilla”, shprehet Malaj.
Ish-ministri i Financave në qeverisjen e PS-së me anë të një postimi në Facebook shprehet se personalisht ai nuk e ka makinën me targa “CD”, por para se të bëhej një shou politik në lidhje me këtë çështje duhet të kishte ndodhur një takim mes Cakaj dhe konsujve.

“Përzgjedhja Konsull Nderi është një proces diplomatik shumë burokratik deri në vlerësimin nga shërbimet sekrete të dy vendeve, vendit propozues dhe vendit ku do të ushtroj aktivitetin. Është e vërtetë qe propozimin e nje vendi duhet ta miratojë vendi pritës në këtë rast Shqipeeria. Kisha shpresuar që zëvendësministri i Jashtëm, do të kishe kërkuar takim me shoqatën e konsujve të nderit për ta promovuar këtë mundësi diplomatike për promovimin e vendi tonë, për rritjen e aktiviteteve ekonomike, shkencore e kulturore. Kisha shpresuar se në qoftë se realisht ka një problem me targat, Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ të bënte një takim me kryetarin e shoqatës së konsujve të nderit dhe qartësonte problemin konkret dhe bashkëpunonin për zgjidhjen e tij sa më të shpejtë”, thekson Malaj. 

Për vendimin e Cakaj ka pasur edhe një reagim të Konsulli i Nderit të Shqipërisë në Danimarkë, Përparim Kalo, i cili nuk i ka pritur mirë komentet e ministrit të Jashtëm në detyrë.
Në një email, dërguar Ministrisë së Jashtme, Kalo mohon të ketë kryer ndonjë shkelje, ndërsa i kujton Cakajt nderimin që ka marrë nga Mbretëresha Margreth II e Danimarkës.

“Deklarimi se Konsujt e Nderit paskan bërë “shkelje të habitshme duke u pajisur me targa CD”, është në fakt një deklarim i habitshëm, pasi në asnjë vend të botës shteti nuk mund të konsiderojë shkelje, aq më tepër të habitshme, një veprim apo veprimtari të autorizuar prej vetë shtetit, ose organit të tij përfaqësues. Ndërkohë personalisht konfirmoj se nuk do ta përdor targën CD, por nga ana tjetër kërkoj që ministri të deklarojë publikisht se Përparim Kalo nuk ka bërë shkelje të habitshme, për të kompensuar sadopak dëmin që ka shkaktuar lajmi, i përcjellë me aq bujë në media. Jam i nderuar nga Mbretëresha Margreth II e Danimarkës dhe është e padrejtë të çnderohem nga ministër i komanduar i shtetit tim. Përfitoj nga ky komunikim për t’ju përcjellë nderimet e rastit”, thuhet në emailin që Kalo i ka drejtuar ministrit pas notës verbale.