Fermerët nesër në protestë, BB-Qeverisë: Formalizo bujqësinë

401
Sigal

Sabina Veizaj – Agropërpunuesit në amulli! Nesër protesta e radhës në qytetin e Lushnjes.


Banka Botërore është dakord me qeverinë për skemën e re të rimbursimit të TVSH-së, por i sugjeron qeverisë të formalizojë sektorin, pasi sipas saj, bujqësia është sektori më informal në vend.

Qeveria po diskuton skenarin e rimbursimit të fermerit në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ende asgjë zyrtare deri më tani. Fermerët shprehen me mungesë besimi për këtë lloj skenari, pasi sipas tyre është i provuar më parë dhe ka dështuar. Ata e shpjegojnë mosbesimin lidhur me kriteret që kërkohet për këtë formë rimbursimi. Për fermerët ka problematika të thella që nuk zgjidhen shpejt (si për shembull matrikullimi), por rimbursimi është emergjent. Pasi, përpunuesit kanë vendosur që duke nisur nga 1 prilli të ulin çmimin për litër qumshti që u blejnë fermerëve.

Teksti i një fermeri ndaj reagimit të Ministrisë së Financave

Sipas tyre, ulja e çmimit prej 14%, po aq sa masa e rritur e TVSH-së me paketëne re fiskale, është llogaritur mbi një çmim mesatar prej 40 lekësh për litër/qumësht.
Sipas përpunuesve, kjo lëvizje për momentin nuk ka ndikuar në çmimin fundor tek konsumatori, por nëse nuk do të ketë një reagim të shpejtë nga qeveria, do të mendohet edhe ndryshimi i çmimit fundor.

Qeveria, nga ç’është shprehur javën e kaluar përmes zyrtarëve të Ministrisë së Financave, duket stoike në qëndrimin e saj. Këtë e konfirmon edhe qëndrimi i Bankës Botërore me të cilën pa dyshim qeveria është konsultuar.

E pyetur nga Gazeta “Si” për shqetësimin e ngritur nga agropërpunuesit, Banka Botërore ka sqaruar se “Baza tatmore në vendin tonë është shumë e ulët dhe bujqësia është një nga ato sektorë që vuan nga një informalitet shumë i lartë; nga mungesa e regjistrimit të fermerëve në skemë.

Në komunikimin tonë me autoritetet ne kemi theksuar dy gjëra, rritjen e bazës tatimore, pra pranimin e më shumë fermerëve në skemë dhe së dyti rritjen e transparencës për politikën fiskale të aplikuar.”

Deri në fund të vitit 2017 rezultojnë 36.520 fermerë të pajisur me Numër Identifikimi të Personit të Tatueshëm, NIPT, sipas shifrave të publikuar nga INSTAT. 
Mendohet që fermerët që kryejnë aktivitetin në vend, të jenë më shumë se dy-fishi i atyre që deklarohen zyrtarisht.

Një ditë më parë, kreu i Albanian Food Industry, Alban Zusi ka kryer një takim me përfaqësues të Bankës Botërore në Tiranë, por me sa duket situata mbetet ajo që njohim.
Qeveria nuk ka ende asnjë reagim konkret në lidhje me situatën, as me sugjerimin e Bankës Botërore, por ajo që dihet me siguri është se agropërpunuesit do ta vazhdojnë luftën e tyre.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, të mërkurën më tre prill në Lushnje do të ketë një manifestim paqësor të të gjithë përfaqësuesëve të zinxhirit të sektorit; nga fermerët deri tek përpunuesit.

Ajo që ata do të vazhdojnë të kërkojnë është barazimi i TVSH-së në blerje me TVSH-në në shitje.