Nesër sërish në protestë, banorët e Sharrës : Do të vazhdojmë deri në pikën e fundit

263
Sigal

Banorët e Sharrës, të prekur nga ndërtimi i landfillit do të dalin sërish në protestë nesër jo vetëm për të kërkuar kompensimin e tokës që u është zaptuar, por edhe për të denoncuar presionet që u janë bërë për të mos protestuar. Ata paralajmërojnë se do të ngrenë zërin më fort, deri në dëmshpërblimin e plotë.

Është e disata herë që këta banorë ngrihen në protestë për të kërkuar kompensimin për tokën që u mori landfilli. Ata thonë se janë kërcënuar nga njerëz të afërm të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit që të mos dalin në protestë.

“Dhjetëra banorë janë shoqëruar në komisariate dhe janë kërcënuar nga njerëz të afërm të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit. Na ka kërcënuar edhe policia, nuk na japin asnjë rrugëzgjidhje”, thotë organizatori i protestës, I.L.

Banorët shprehen se do të dalin në protestë derisa të na vlerësojnë me lekë për tokat që na kanë marrë.

“Të japë përgjigje Erion Veliaj apo kryeministri, të thonë që jeni të sigurtë! Të paktën të na lënë shtëpitë dhe të na vlerësojnë me lekë për tokat që na kanë marrë”, thotë një banore.

“Do të vazhdojmë deri në pikë të fundit, të na lënë të qetë, na i kanë marrë tokat komplet, po na marrin dhe shtëpitë. Ku do të shkojmë ne?”, thotë një tjetër.

Prej 3 muajsh, banorët e Sharrës po presin një përgjigje nga bashkia e Tiranës dhe Landfilli për projektin e zgjerimit e këtij të fundit por deri më tani palët kanë heshtur.

Banorëve të Sharrës u është grabitur toka që në vitin 2018 dhe nuk janë shpronësuar. Landfilli rrezikon varrezat 500 vjeçare dhe xhaminë e fshatit.