Nesër nis shkolla, nxënësit janë në stres të madh por do firmosin: Unë deklaroj se…

56

Të hënën e 14 shtatorit, rreth 480 mijë nxënës do të nisin shkollën pa përqafime dhe larg njëri-tjetrit. Emocionet dhe buqetat e luleve, do të zëvendësohen nga termometri, maskat dhe dezinfektantët. Mësimi me rregulla të reja, me disa turne, me orë të reduktuara dhe me rrezikun e infektimit ka shtuar ankthin tek prindërit, fëmijët dhe mësuesit. Specialistët e Shëndetit Publik këtë periudhë kanë konstatuar rritje të nivelit të stresit, veçanërisht për mënyrën e përshtatjes me rregullat reja.

Pavarësisht parashikimeve për rritje të rasteve edhe për specialistët kjo është një situatë e re dhe e panjohur. Ata kërkojnë respektimin e rregullave dhe raportimin për çdo shqetësim shëndetësor në formularin e shpërndarë tashme tek prindërit. Më i vështirë normaliteti i ri do të jetë për 31 mijë nxënësit e klasave të para. Për ata mësues dhe fëmijë që janë të infektuar me koronavirus, ky fillim viti i gjen në izolim, deri në shërimin e plotë nga infeksioni.

Do të jenë nxënësit, ata që do të raportojnë të parët sapo të hasin me një rast të infektuar nga pandemia, madje do të mbajnë edhe përgjegjësi ligjore. Në shkolla ka nisur të shpërndahet një dokument, të cilin çdo nxënës, duke nisur nga klasa e parë deri në vitin e fundit të gjimnazit do të duhet që ta plotësojë dhe të mbajë përgjegjësi.

“Unë nxënësi/ja…klasa…deklaroj në përgjegjësinë time personale se kam/nuk kam pjesëtar të familjes time të prekur nga Covid-19. Unë personalisht nuk jam i prekur nga pandemia. Unë….prindi i nxënësit/es…. klasa…. deklaroj në përgjegjësinë time personale se fëmija im dhe familja ime nuk jemi të prekur nga covid-19. Nëse keni ndonjë pjesëtar të prekur, ju lutem specifikoni cilin”-shkruhet në dokument.

Një i mitur do të mbajë përgjegjësi nëse ka pasur kontakte me të infektuar nga pandemia. Si mund ti jepet një përgjegjësi e tillë një fëmije që ndoshta ende nuk e kuptuar mirë se çfarë do të thotë pandemi, Covid-19 apo dhe infektim? Po emrin dhe firmën si do t’i shkruajë kur ende nuk i ka mësuar dhe po shkon në klasë të parë? Një i mitur nuk mund të mbajë përgjegjësi ligjore/penale deri në moshën 14 vjeç, ndërsa më herët për përgjegjës ligjor për të është prindi apo kujdestari.