Nënkryetari Mazniku: Vitin tjetër përfundon sheshi “Skënderbej” dhe “Pazari i Ri”

514
Sigal

Bashkia e Tiranës ka vijuar prezantimin dhe konsultimin e projektbuxhetit
të vitit 2017 me qytetarët. Takimi i radhës ishte me banorët e Njësisë
Administrative Nr. 1, gjatë të cilit nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian
Mazniku, paraqiti projektet që do të prekin këtë zonë, si dhe projektet
strategjike që mbështeten nga Buxheti 2017. Ai theksoi se pavarësisht borxheve
dhe punëve të lëna përgjysmë nga administrata e kaluar, u bë e mundur hapja e
100 kantiereve të punës, një pjesë e mirë të cilave hyjnë te projektet e mëdha
dhe që kanë impakt te të gjithë qytetarët e Tiranës. “Një vit më parë miratuam buxhetin
më ambicioz që ka pasur ndonjëherë Tirana, prej 15.5 miliardë lekësh; 2.5 herë
më shumë se sa buxheti i vitit 2014 dhe 2 herë më i madh se sa buxheti i vitit
2015. Kemi forcuar administratën tatimore, kemi zgjeruar bazën e taksapaguesve
dhe pa rritur taksat kemi arritur një performancë prej 160% më të lartë vetëm
në 9-mujorin e parë. Për t’u dhënë sërish një shifër, vetëm në 9-mujorin e parë
të vitit 2016 kemi arritur të ardhura rekord për dhjetë vitet e fundit, në të
gjithë vitin”, tha nënkryetari Mazniku. Ai theksoi se edhe për vitin e ardhshëm
buxheti vjen me rritje të konsiderueshme, i cili në krahasim me buxhetin e
vitit 2014 është 3 herë më i madh dhe gati 30% më i madh se ai i vitit 2016.
Ndërkohë, ai bëri të ditur se ky buxhet në rritje do të bëjë të mundur rritjen
e investimeve për vitin që vjen, duke prekur direkt edhe Njësinë 1. Ai theksoi
se rritja e buxhetit të vitit të ardhshëm nuk do të shoqërohet me rritje të
barrës fiskale për qytetarët dhe bizneset, duke konfirmuar se taksat dhe tarifat
nuk do të ndryshojnë për 2017. Duke u ndalur te projektet madhore që do të
mbështeten nga buxheti i ardhshëm, Mazniku tha se sheshi “Skëndërbej”
parashikohet të përfundojë brenda 6 muajve të parë të vitit të ardhshëm. Ai
shtoi se do të vijojnë investimet edhe në Parkun e Madh të Tiranës, për ta bërë
atë më funksional dhe të frekuentuar nga qytetarët. “Jemi në fazën e fundit,
përpara se të fillojnë punimet për projektin e dytë të masterplanit. Janë dy
projekte të kërkuara nga qytetarët që frekuentojnë parkun kanë kërkuar: një
pistë e posaçme biçikletash, për rreth 10 km, si dhe një pistë vrapimi prej 5
km, e cila do të jetë për ata që shkojnë posaçërisht në park për të vrapuar”, u
shpreh Mazniku. Ai theksoi se do të vijojnë projektet e “Pazarit të Ri”, Bulevardit
apo Parkut Qendror të Tiranës.