Nëna u mbyt në lumin Buna së bashku me tre fëmijët e mitur, Apeli lë në fuqi arrestin me burg për Erdgys Arrazin

56
Sigal

Gjykata e Apelit ka lënë në burg Erdgys Arrazin, i cili akuzohet se ka shkaktuar vetëvrasjen dhe gruas dhe tre fëmijëve të tij.

Policia arrestoi  Arrazin pasi dyshohet se ka shkaktuar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Çifti kishte probleme prej kohësh, ndërkohë që familjarët e Almës akuzojnë dhëndrin se kishte dhe një lidhje paralele.

39-vjeçarja dyshohet se hodhi fëmijët dhe më pas veten në lumë pas problemeve me bashkëshortin dhe depresionin.

Njoftimi:

Referuar interesimit të medias, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, mbi bazën e materialit kallëzues të referuar nga Komisariati i Policisë Shkodër, ka regjistruar kallëzimin penal, ndaj  shtetasit me iniciale E. A, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të ndalimit me inciativë dhe caktimit e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj personit nën hetim shtetasit me iniciale E. A, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ““Shkaktimi i vetëvrasjes”” , parashikuar nga neni 99 të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin nr. 351 , datë 07.05.2024, ka vendosur:

1.  Pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

2.  Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit të të dyshuarit E. A të bërë nga ana e Policisë Gjyqësore në datë 05.05.2024, ora 02.30 minuta.

3.  Caktimin e masës së sigurimit personal ndaj të dyshuarit E. A atë të “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

4.  Në aplikim të nenit 21/3 të ligjit “Mbi ekzekutimin e vendimeve penale” dhe nenit 417 të K.Pr.Penale ngarkohet Policia Gjyqësore dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për ekzekutimin e këtij vendimi.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale E. A, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit caktimin e masës së sigurimit atë të “detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore’ ose “garanci pasurore”

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 30.05.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Elona Mihali , vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 351, datë 07.05.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.