Në Shkodër vajzat dhe djemtë bashkohen kundër dhunës ndaj grave

641

Viktimat e fundit të dhunës gjinore në Shkodër nxitën aktivistët të bashkojnë zërin kundër dhunimit të grave, ndërsa një zë i ri feminist duket se po lind në qytetin veriperëndimor të Shqipërisë.
Me thirrjet “Gratë nuk janë pronë private” një grup të rinjsh aktivistë dhe qytetarë të Shkodrës marshuan të shtunën në rrugët kryesore të qytetit për të dënuar dhunën ndaj grave.
Pankartat e tyre “Nuk heshtim më!”, “Dhuna dënohet, nuk justifikohet” dhe “Gratë nuk ju detyrohen asgjë” tërhoqën vëmendjen e kalimtarëve, të cilët e shoqëruan marshimin herë me duartrokitje dhe herë me habi e kritika kundër kauzës.
Ndoi dhe Gjini, dy shkodranë 49 dhe 60 vjeç, po e ndjekin protestën nga larg me një nënqeshje mosbesimi dhe thonë se kjo lloj dhune nuk është e pranishme në qytetin e tyre apo se ndodh në ato pak raste nga situata e keqe ekonomike.
Por Brigela Demaj, një aktiviste 23 vjeçe nga Shkodra, e lodhur nga justifikimet që çojnë në pranimin e dhunës dhe e alarmuar nga përhapja e këtij fenomeni në qytetin e saj, vendosi të mos heshtte më kur dëgjoi për rastin e vrasjes së Lumturie Xhilajt nga bashkëshorti i saj dhe iu drejtua rrjeteve sociale për të organizuar protestën e saj të parë.
“Dhuna ndaj grave ende konsiderohet si çështje brenda familjes dhe shpesh organet shtetërore e shohin atë si një ndëshkim të justifikuar ndaj veprimeve të vajzave apo grave,” tha për BIRN Demaj.
“Lajmet për dhunën dhe vrasjet e grave janë bërë normale dhe disave mund t’u duket si mision i pamundur ndryshimi i këtij mentaliteti” shtoi ajo.
Lumturie Xhilaj, 47-vjeçe nga fshati Guci e Re në Shkodër u vra me një armë gjahu nga bashkëshorti i saj, Beqir Xhilaj, 74 vjeç pas një debati më 8 maj të këtij viti. Detajet e bëra publike në media tronditën opinionin publik pasi bashkëshorti fillimisht e raportoi ngjarjen si një vetëvrasje, ndërsa u kap në flagrancë nga policia duke konsumuar i qetë një gotë me raki përpara kufomës.
Vepra penale e vrasjes në rrethana cilësuese, dënohet sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë me 20 vjet deri në burgim të përjetshëm.
Duke përçuar mesazhet e tyre përmes poezive për të drejta të barabarta dhe historive personale, dhjetëra aktivistë pjesëmarrës nga Shkodra dhe Tirana i bënë thirrje grave të luftojnë për barazi në familje dhe për një jetë të lirë.
I ndërgjegjshëm për përhapjen e fenomenit të dhunës në shoqëri, Armando Lohja, 49-vjeç nga Shkodra i është bashkuar protestës me gruan dhe djalin e tij sepse mendon se është koha që meshkujt të pranojnë përgjegjësinë e tyre për dhunën dhe të heqin dorë prej saj.
“Duhet të ishim më shumë [të pranishëm]. Problemin e kanë meshkujt dhe ne duhet ta pranojmë këtë si hap të parë drejt ndërgjegjësimit”, tha ai duke iu drejtuar protestuesve.
Të njëjtin mendim ndan edhe i riu Gëzim Germaj, i cili marshoi në rrugët e Shkodrës patriarkale me pankartën “Të gjithë duhet të jemi feministë!” Ai tha për BIRN se mënyra më e mirë për të zgjidhur mosmarrëveshjet në familje duhet të jetë përmes komunikimit.
Sipas statistikave zyrtare rezulton se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për periudhën Janar- Dhjetor 2016, ka lëshuar 177 Urdhra të Menjëhershëm të Mbrojtjes dhe Urdhra të Mbrojtjes, si dhe 60 vendime të lëshuara për veprën penale të dhunës në familje.
“Zgjidhja gjendet te ndërgjegjësimi i vajzave se ato nuk janë pronë e burrave,” tha aktivistja Brigela Demaj.
“Gratë duhet të fuqizohen për të dalë nga ky rreth vicioz, ndërsa institucionet e rendit dhe drejtësisë duhet të dënojnë ashpër krimet brenda familjes dhe të mos jenë pjesë e këtij mentaliteti diskriminues ndaj grave,” përfundoi ajo.
Sigal

Aktivistët protestojnë kundër dhunës ndaj grave në qytetin e Shkodrës. 20 maj 2017 Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Qytetarët protestojnë kundër dhunës ndaj grave në qytetin e Shkodrës. 20 maj 2017 Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Aktivistja dhe organizatorja e protestës, Brigela Demaj. Foto: Ivana Dervishi/BIRN