Në prag të Ministerialit të Ekonomisë/ Ministri Ervin Mete takon Ambasadoren e Francës, mbështetje për Shqipërinë  

48
Sigal

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, priti në një takim zyrtar Ambasadoren e Francës në Tiranë, znj. Catherine Suard, në pararendje të Ministerialit të Ministrave të Ekonomisë, pjesë e Procesit të Berlinit.

Në këtë takim u vlerësua niveli i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve dhe u theksua potenciali për forcimin e mëtejshëm të tyre në të ardhmen.

Ministri z.Mete falënderoi Ambasadoren znj. Suard për mbështetjen e vazhdueshme që Franca ka dhënë për Shqipërinë dhe për reformat që Qeveria shqiptare ka ndërmarrë në rrugën e saj të transformimit dhe zhvillimit ekonomik.

Në mënyrë të veçantë, Ministri z. Mete vlerësoi rolin që Franca ka dhënë në Procesin e Berlinit dhe në forcimin e bashkëpunimit ekonomik të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë takimit u diskutua në lidhje me Ministerialin e Ministrave të Ekonomisë që do të mbahet në Tiranë më 26 shtator, ecurinë e zhvillimit të projekteve të ndryshme ekonomike dhe promovimin e interesit të kompanive franceze për të investuar në Shqipëri.

Ambasadorja znj. Catherine Suard uroi z. Mete për detyrën si Ministër i Financave dhe Ekonomisë dhe shprehu angazhimin për vijimin e mbështetjes për vendin tonë, në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian dhe Procesit të Berlinit.

Takimi me Ambasadoren e Francës i paraprin atij që Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Mete pritet të zhvillojë së afërmi me Ministrin e Deleguar përgjegjës për Tregtinë e Jashtme, Atraktivitetin dhe Francezët jashtë vendit, Olivier Becht.