Presidenti i Republikës së Shqipërisë Prof. Dr. Bajram Begaj, zhvilloi një takim me Presidentin e Konfederatës Zvicerane dhe Kreun e Departamentit Federal për Punët e Brendshme z. Alain Berset. Në këtë takim u vlerësua niveli shumë i mirë i bashkëpunimit dhe i marrëdhënieve midis dy vendeve dhe u shpreh vendosmëria për forcimin e mëtejshëm të tyre, si dhe thellimin e bashkëpunimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Presidenti Begaj tha se komuniteti shqiptar në Zvicër është njē urë lidhëse e fortë mes dy shteteve tona. Presidenti i Republikës falenderoi homologun zviceran për ndihmën e vazhdueshme dhe mbështetjen thelbësore të Zvicrës në zhvillimin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë në vendin tonë, në sektorin e energjisë, turizmit, shëndetësisë, në të cilën Zvicra renditet si donatori kryesor, duke ndihmuar në përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe në hartimin e strategjisë kombëtarë për kujdesin parësor shëndetësor, ndërsa i shprehu falenderime për nënshkrimin mes dy vendeve të Marrëveshjes për Sigurimet Sociale.