Ndryshon shërbimi i pensioneve, informim e aplikim pranë ADISA

547
Sigal

 Gazeta Telegraf/

Të gjithë personat
që interesohen për të dalë në pension apo për shërbime të tjera që ofron
Instituti i Sigurimeve Shoqërore, nuk do të informohen dhe aplikojnë më, pranë
agjencive aktuale, por pranë zyrës së Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve
Publike të Integruara (ADISA). Projektligji i cili synon centralizim të ofrimit
të shërbimeve është diskutuar në Komisionin parlamentar të Çështjeve Sociale
dhe ka ngjallur debate për shkak se vetë iniciuesit nuk e kanë të qartë, se ku
do të ngrihen sportelet që do të presin qytetarët. Projekti fillimisht do të
aplikohet në Kavajë, ku një zyrë e vetme ofron disa shërbime, ndërsa modeli
është huazuar nga Gjeorgjia dhe Azerbajxhani. Aktualisht ADISA funksionon në
Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku sipas deputetëve demokratë,
qytetarët nuk marrin shërbimin e duhur.

Sipas të dhënave të
ISSH aktualisht 60 për qind e qytetarëve shkojnë në zyrat e pensioneve vetëm
për të marrë informacion dhe kjo është hallka që synohet të shmanget. Zëvendësministrja
e Mirëqenies Sociale, Vjollca Braho bën me dije se dosjet do të përpunohen
sërish në ISSH. Aktualisht midis Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe ADISA,
po diskutohet nëse kjo agjenci do të marrë sportele të veçanta apo do të
operojë në zyrat aktuale të ISSH, ndërsa ende nuk ka punonjës të dedikuar për këtë
qëllim, pasi ata do të rekrutohen nga vetë ADISA.