Ndihma ligjore falas: Çfarë përfitojnë personat me aftësi të kufizuar?

306
Sigal

Nga Dorentina Hysa

Në vitin 2017 në vendin tonë është miratuar ligji “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, i cili ndër të tjera, ka për qëllim të ofrojë ndihmë juridike pa pagesë për të siguruar akses të njejtë në sistemin e drejtësisë për të gjithë individët. Ky ligj është i një rëndësie madhore, pasi iu garanton akses në institucionet e drejtësisë të gjithë personave pa dallim, veçanërisht atyre që e kanë të pamundur këtë gjë, për shkaqe që lidhen me mungesën e aksesit në informacion apo shërbime, mungesën e strukturave mbështetëse dhe pamundësinë ekonomike.

Personat me aftësi të kufizuar janë një ndër kategoritë përfituese të këtij shërbimi. Të parashikuar në ligj tek kategoritë e veçanta të përfituesve, ata mund ta marrin shërbimin ligjor, që iu nevojitet pa qenë e nevojshme që të përmbushin kushtin e të ardhurave dhe pasurisë, të cilët aplikohen për individët e tjerë. Në këtë kategori përfshihen personat me aftësi të kufizuar fizike, shqisore (të shikimit dhe dëgjimit), të shëndetit mendor, si edhe persona vulnerable, që janë përfitues të skemave të mbrojtjes sociale apo që kanë qenë subjekte të diskriminimit. Personat me aftësi të kufizuar, gjenden shpesh përballë shkeljes së të drejtave për arsim, punësim, shërbime të aksesueshme, si edhe cënohen apo diskriminohen për shkak të situatës në të cilën ndodhen. Përjashtimi nga kriteri i të ardhurave dhe pasurisë është një lehtësim për ta, pasi një pjesë e konsiderueshme e tyre janë jashtë tregut të punës dhe për rrjedhojë e kanë të vështirë, në mos të pamundur për të përballuar kostot e shërbimeve ligjore të ndryshme.

Por çfarë parashikon konkretisht ky ligj? Ligji parashikon ofrimin e ndihmës ligjore parësore, dytësore dhe përjashtimin nga pagesat. Ndihma ligjore parësore ka të bëjë më ofrimin e informacionit për legjislacionin që është në fuqi, këshillimin për të zgjidhur mosmarrëveshjet me mirëkuptim kur është e mundur, si edhe përgatitjen për të kërkuar ndihmën dytësore. Kjo e fundit, përfshin shërbimet që ndihmojnë individin për ta ndjekur çështjen civile apo penale në institucionet e drejtësisë, si gjykata apo prokurori. Ndërsa, përjashtimi nga pagesat e liron marrësin e shërbimit nga çdo detyrim financiar që lidhet me tarifat dhe shpenzimet gjyqësore, si edhe nga pagesat për ekzekutimin e vendimit.

Zbatimi i këtij ligji është përgjegjësi primare e Ministrisë së Drejtësisë, Dhomës së Avokatisë dhe Gjykatave kompetente. Secili prej tyre ka një rol specifik të parashikuar në ligj dhe të gjithë së bashku mundësojnë marrjen e shërbimeve ligjore falas. Megjithatë, në varësi të llojit të ndihmës që nevojitet, ndryshojnë hapat që ndiqen dhe institucionet që kontaktohen. Për shembull, për ndihmë ligjore parësore shërbejnë Qendrat e Ofrimit të Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore, që gjenden në Tiranë, Durrës, Lushnje, Pogradec, Gjirokastër, Lezhë, Shkodër, Fier, Dibër dhe Vlorë; organizatat jofitimprurëse të autorizuara, ose “klinikat e ligjit” që gjenden në disa njësi të arsimit të lartë si Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë apo Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, etj.

Megjithatë, ajo që vlen për t’u theksuar është se ndonëse individi nuk e di se ç’lloj ndihme ligjore i duhet, për ta përfituar atë mjafton që të paraqitet në një prej strukturave përgjegjëse dhe aty informohet për hapat e mëtejshëm dhe dokumentacionin që duhet të plotësojë për të përfituar shërbimin ligjor falas.