Ndihma ekonomike, KLSH: Përfituesve iu ikin paratë për vërtetime, problem edhe verifikimet

633
Sigal

Një auditim pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nxjerrë në pah se përfituesit e ndihmës ekonomike që është në varësi të këtij institucioni paguajnë tarifa vërtetimesh që në disa raste janë aq sa masa e përfitimit. Referuar auditimit Kontrolli i Lartë i Shtetit nënvizon se këto vërtetime lidhen me fëmijët që familjet përfituese kanë nëpër shkolla apo vaksina të realizuara kanë kosto që imponohen nga institucionet që i lëshojnë ato. “Nga auditimi i disa dosjeve të përfituesve, rezultoi se përfituesit e ndihmës ekonomike të cilët marrin vërtetim në shkollë për fëmijët e tyre (2 herë në vit) për ndjekjen e arsimit bazë dhe vërtetim për çdo vaksinë të realizuar për fëmijët e tyre, në zbatim të neneve 8 dhe 9 të vendimit nr.955, datë 7.12.2016, të ndryshuar, paguajnë tarifat që kanë vendosur vetë institucionet për kryerjen e këtyre shërbimeve (lëshimin e vërtetimeve), të cilat janë shpesh  herë të barabarta me përfitimin e përcaktuar” thuhet në raportin e KLSH. Duke e konsideruar korrigjimin e kësaj pjese sit ë një prioriteti të lartë ky institucion ka rekomanduar që Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të nënshkruajë një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në mënyrë që për institucionet në varësi të tyre për familjet në ndihmë ekonomike vërtetimet të lëshohen pa pagesë. Një tjetër pikë që KLSH nënvizon në raportin e auditit lidhet me administratorët shoqërore të cilët duhet të bëjnë plotësimin e formularit të vërtetimit social ekonomik në familje. Në disa raste ky formular I cili duhet të plotësohet dy herë në vit edhe nga familjet rezulton i konfirmuar vetëm nga njëra palë dhe nga ana tjetër administratorët vetë kanë shfaqur vështirësi në plotësimin e tij. Kjo është argumentuar me mungesën e trajnimeve të mjaftueshme për këtë aspekt. “Nga MSHMS, deri në konsolidimin e procesit të përfitimit të NE nëpërmjet sistemit dhe aplikimit të formulës së pikëzimit, i cili tashmë po zbatohet në gjithë qarqet e vendit, të gjejë hapësira dhe rrugë të mundshme (tej aktiviteteve të planifikuara dhe realizuara të projektit të “Modernizimit të Asistencës sociale”) për vazhdimin e trajnimit të Administratorëve Shoqërorë, që janë pjesë shumë e rëndësishme e procesit dhe vlerësimit social ekonomik të shtresave në nevojë, me qëllim përfitimin prej tyre të NE. Gjithashtu me qëllim bërjen sa më efektiv të sistemit. të analizohen me prioritet problematikat e konstatuara nga administratorët shoqërore të Njësive të Qeverisjes Vendore për ti dhënë zgjidhjen e duhur fenomeneve të rezultuara” vlerëson KLSH. Ndihma ekonomike është futur në një fazë reformimi nën projektin e mbështetur nga Banka Botërore ndërkohë që nga sistemi falë një formule të re pikëzimi dolën një numër i madh familjesh. Vetë Banka nënvizoi se nga qeveria duhet të rishihet edhe një herë mundësia për të zgjeruar numrin e përfituesve me familje që mund të jenë nxjerrë nga skema autormatikisht prej sistemit.