Ndeshja Roma-Feyenoord/ Policia shpalos planin e masave të sotme, nga lëvizja e urbanëve te rrugët ku do kufizohet qarkullimi i automjeteve në Tiranë

123
Sigal

 

Policia e Shtetit informoi se ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes mes ekipeve të futbollit të Romës dhe Feyenoord-it, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, sot më datë 25 maj. Përmes një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit publikoi hartën në shqip e në anglisht, që tregon zonën pa trafik, të dedikuar për këmbësorët e tifozët, si dhe zonat ku mund të qarkullohet me mjete, në këtë datë. “Policia e Shtetit vlerëson shumë mirëkuptimin e qytetarëve dhe u kërkon drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjen në zonat përreth ku zhvillohet aktiviteti sportiv, si një ndihmë e çmuar në mbarëvajtjen dhe garantimin e masave të sigurisë”,- thuhet në njoftim. Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato foli për masat e marra për finalen e Conference League që do të zhvillohet nesër në Tiranë. Qato u shpreh se do të ketë një fluks shumë të madh të mjeteve, teksa theksoi se zona brenda Unazës së Vogël do të jetë pedonale. Ai kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve, teksa shpjegoi se si do të bëhet hyrja në Tiranë e mjeteve nga Veriu dhe Jugu. Qato theksoi gjithashtu se zona brenda Unazës së Vogël, do jetë pedonale vetëm për këmbësorët. “Do të kemi disa kufizime shumë të ndjeshme të lëvizjes në qytetin e Tiranës, kryesisht në ditën e nesërme, për t’iu krijuar lehtësi sa më të mëdha tifozëve, të cilët e njohin pak qytetin tonë, por janë dhe në numër të konsiderueshëm”, tha Qato. Prandaj, shtoi ai, “ne kemi shpallur bashkëpunim me entet pronare të rrugëve për të bërë një sërë kufizimesh që do na mundësojnë lehtësirat për tifozët”, tha ai. Qato u shpreh se, “ka një numër shumë të madh të tifozëve që po vijnë nga Rinasi dhe Durrësi dhe do i drejtohen Tiranës. Duke u nisur nga ky fluks shumë i madh, policia rrugore ka marrë masa kufizimi të qarkullimit”. “Kufizimi është ndarë në disa nivele. Kufizimi i parë ka të bëjë me rrugët interurbane kryesore që furnizojnë Tiranën dhe kanë të bëjnë më tepër nga krahu që vijnë tifozët, Rinas-Tiranë, Durrës-Tiranë dhe aksi rrugor Fushë-Krujë-Tiranë, sepse ka një numër tifozësh sipas njoftimeve, të cilët do të zbresin në aeroportin e Prishtinës dhe Podgoricës dhe do të drejtohen me autobusë dhe mjete private të marra me qira në këto shtete në drejtim të Tiranës. Shtojmë edhe krahun e Elbasanit”, -tha Qato. “Në mënyrë kategorike nuk do lejojmë asnjë mjet të tonazhit të rëndë të qarkullojë në këtë interval kohe duke filluar nga mëngjesi i nesërm deri në mëngjesin e datës 26. Nuk do lejohet asnjë mjet i tonazhit të rëndë të qarkullojë në këto akse rrugore interurbane kryesore, sepse krijojnë gati 50% të trafikut”, theksoi ai. “Rrugën Tiranë-Durrës, Durrës-Tiranë, Rinas-Tiranë, pjesën e TEG-ut në drejtim të Tiranës, Fushë-Krujë, krahu i Vorës që çon në rrugën Durrës-Tiranë do jenë rrugë të dedikuara vetëm për mjete që transportojnë tifozë që do marrin pjesë brenda stadiumit për të parë ndeshjen, ose që janë të organizuar për të ardhur në Tiranë për të parë ndeshjen në fan-zonat e përcaktuara. Do jetë një kufizim i plotë. Kemi marrë masat, kemi njoftuar shërbimet përkatëse. Janë rrugë totalisht të dedikuara për mjetet që transportojnë tifozë”, theksoi Qato. Ai shtoi se, “pjesa e dytë e kufizimeve ka të bëjë me Unazën e Mesme, e cila do i dedikohet transportit të mjeteve të tifozëve, të cilët kanë disa stacione të përcaktuara. Janë përcaktuar dhe parkimet. Janë përcaktuar Rruga e Kosovarëve dhe parkimet rreth kësaj rruge janë të dedikuar për tifozët italianë. Pjesa që ka të bëjë me dy krahët e Bulevardit “Bajram Curri” dhe “Zhan D’ark” janë të dedikuar për autobusë që transportojnë tifozët e Feynoord”. “Kufizimi i tretë do jetë Unaza e Vogël. Nuk do ketë asnjë lidhje hyrëse nga Unaza e Mesme në Unazën e Vogël. Të gjitha rrugët lidhëse do të jenë të bllokuara dhe nuk do të lejohet asnjë mjet për të hyrë. Këtu lejohen vetëm 3 kategori mjetesh që do të lejohen, kategoria e mjeteve që shoqërohet nga policia, ekipet, personalitet VIP të përcaktuara nga UEFA që do të shoqërohen me eskortë të policisë, janë media, e cila hyn nga rruga Dervish Hima. Pjesa tjetër e tifozëve që kanë bileta do hyjnë nga sheshi Shopen. Brenda Unazës së Vogël nuk do ketë qarkullim, do jetë një zonë pedonale, përveç një harku kohor të përcaktuar 2 orë para ndeshjesh që do qarkullojnë këto mjete të dedikuara”,- tha Qato.