Ndërron jetë nga COVID kreu i Anti-Drogës, i infektuar edhe Ardi Veliu

495
Sigal

Situata e krijuar prej COVID ka patur impakte edhe në policinë e shtetit. Burimet bëjnë me dije se 16 efektivë policie janë konfirmuar pozitiv më COVID-19 në 24 orët e fundit.

Pesë efektivë janë të shtruar në spital, ndërsa në total të infektuar për momentin janë 317 efektivë. Që nga fillimi i pandemisë janë 699 efektivë të infektuar, ndërsa që nga fillimi deri tani janë 10 të vdekur.

Ditën e sotme ka ndërruar jetë nga COVID-19 Kryekomisari Florian Pema, shefi i Anti-drogës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Punonjësi i lartë i Policisë së Shtetit, 44-vjeçari Florian Pema ka ndërruar jetë në banesën e tij disa ditë pasi ishte prekur nga koronavirusi.

Gjithashtu drejtori i përgjithshëm i policisë, Ardi Veliu është infektuar nga koronavirusi. Mësohet se ai ka rezultuar pozitiv dy ditë më parë. Aktualisht ai ndodhet i vetëkarantinuar në banesën e tij. Veliu ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore me simptoma të lehta teksa po merr trajtim mjekësor në shtëpi. Në vendin e tij është komanduar zëvendës drejtori i Policisë, Albert Dervishaj.