Nëpër rrugët e Atdheut (Humor/Satirë)

590
Sigal

Nëpër rrugët e Atdheut

Poezi Nga Ismail H Xhaferi

Nëpër rrugët e Atdheut

S’merret vesh nga hyn nga del

Mund të nisesh me makinë

Dhe të kthehesh me barelë.

Nëpër rrugët e Atdheut

Diku gropa, diku gurë

Mund të nisesh me makinë

Edhe të mos kthehesh kurrë!

Nëpër rrugët e Atdheut

Jo me mjet, por dhe me hapa

Mund të ecësh siç thotë kodi

Po ta fut tjetri nga mbrapa.

Nëpër rrugët e Atdheut

Lapidar çdo cep të tokës

S’janë dëshmorë të atdheut

Por të vrarë nga mendje kokës.

Nëpër rrugët e Atdheut

Rrugë pa rrugë e kthesa-kthesa

Shumë djem të rinj në moshë

Ecin me shpejt se urgjenca.

Nëpër rrugët e Atdheut

Ligjet duket që janë kot

Polici që bën kontroll

Mund të përfundojë nën rrotë.

Nëpër rrugët e atdheut

Shumë zhurmë e shumë bujë

Gjëmon motori makinës

Me pak naftë e me shumë ujë.

Nëpër rrugët e Atdheut

Plumb dyfeku mjaft shoferë

Në mos në një kthesë tek tjetra

Zbret makina në humnerë.

Nëpër rrugët e Atdheut

Të vete shpirti në dhëmbë

Në ca rrugë ku shkojnë makinat

Nuk kalon dot as në këmbë.

Nëpër rrugët e Atdheut

Brenda në makinë kallashi

Ca të dehur nga rakia

Ca të dehur nga hashashi

Nëpër rrugët e Atdheut

Çdo shofer e një kobure

Dhe libri i kodit rrugor

Është thjesht një paçavure.

Nëpër rrugët e Atdheut

Paguaj taksën dhe ik

Po gjëkund nuk sheh tabela

Nuk sheh as sinjalistikë.

Nëpër rrugët e Atdheut

Qofsh i vetëm a me shokë

Të nisesh për udhëtim

Duhet që të kesh dy kokë!

Nëpër rrugët e Atdheut

Një urim na del përditë

Të rrojnë tenderat që bëhen

Bashkë me ta dhe tenderxhinjtë!