Ndërroi jetë inxhinieri i suksesshëm i NASA-s, shqiptaro-amerikani Wilson Kokalari

1663
Sigal

Ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të ditës së Dielë, 23 mars 2014, inxhinieri i shquar shqiptaro-amerikan, Vvilson Kokalari. Wilsoni ishte biri i prindërve vatranë të përkushtuar për çështjen kombëtare. Babi i tij Miko Kokalari, pati ardhur për të parën herë në SHBA në vitin 1916. Ka një fotografi historike të Nolit me Miko Kokalarin të veshur me kostumin Kombëtar të Jugut, çka tregon dhe afërsinë e tij me Imzot Nolin. Nga viti 1916 deri në vitin 1939, kohë e pushtimit fashist të Shqipërisë, Miko Kokalari, e bënte shpesh rrugëtimin ShBA –Shqipëri për nevoja të biznesit. Babai i Wilsonit ishte nga tregtarët e shquar të Nju Jorkut dhe një nga kolonat e Vatrës, veçanërisht të degës nr. 29 në Nju Jork, ku ai kontribuoi në mënyrë të veçantë. Në takimet e Vatrës, në festat kombëtare, që organizonte Vatra, i ati i merrte të dy djemtë, Wilsonin dhe Albertin, duke u përcjellë atyre dashurinë për Kombin, që i përkisnin. Është kjo arsyeja që Wilsoni, deri në momentet e fundit të jetës, i ruajti lidhjet me Vatrën. Madje ai ishte i pranishëm edhe në festimet e 28 Nëntorit të vitit 2013. Emrin e Ëilson Kokalarit e gjejmë në kronikat Diellit, veçanërisht në festimeve e Vatrës, së bashku me të atin. Madje në një botim special të Vatrës “Aniversary Album of Pan-Albanian Federation of America” 1953-54, Wilsoni djalosh i ri qëndron në krah të të atit së bashku me vëllanë më të vogël, Albertin. Wilson Kokalari përbën shembullin e një shqiptaro-amerikani të shquar, që la gjurmë në jetën dhe shoqërinë amerikane. Ai ishte një inxhinier suksesshëm i NASA-s. Emri i inxhinierit Vvilson Kokalari lidhet me udhëtimin e njeriut në Hënë. Roli i inxhinierit shqiptaro-amerikan ishte i rëndësishëm në përgatitjet e programit Apollo. Ai ishte përgjegjës për kontrollin final të Apollo-s gjatë testimeve. Emri i tij u gdhend në një pllakë që la në Hënë, siç pati pohuar ai në një intervistë dhënë gazetarit Ruben Avxhiu për gazetën Illyria. I ndjeri Wilson Kokalari ndërroi jetë në spitalin “Sloane Kettering” në Manhattan, në moshën 78 -vjeçare, duke pasur tek koka vajzën e tij të dashur, Renna dhe të afërmit. I ndjeri ishte i diagnostikuar me sëmundje të pashërueshme. Shpirti në Paqe Wilson Kokalari!