“Na thanë s’do të paguani, por na mashtruan”, shtatzëna e karantinuar në hotel kërkon ta dërgojnë në shtëpi

296
Sigal

Në pikën kufitare të Kapshticës kanë hyrë të paktën 85 persona që janë karantinuar në tre hotele.

Vetëm grupit të parë, tarifa do ti paguhet nga Këshilli i Diasporës, ndërsa të tjerët mësohet se do ta paguajnë vetë.

Një grua nga grupi që do të paguajnë vetë telefonoi në Ora News dhe apeloi autoritetet që ta dërgojnë në shtëpinën e saj.

Gruaja, e cila është dhe shtatzënë, thotë se janë 13 veta që duan të lënë hotelin pasi nuk kanë mundësi të paguajnë.

Sipas saj, kur ata ishin akomoduar në një prej hoteleve të Korçës, pronari u kishte thënë se nuk do të paguanin asgjë as për dhomën dhe as për ushqimin, ndërsa sot u kishte kërkuar shuma të ndryshme në varësi të personave.

“Nuk dua të rri në hotel, jam dhe shtatzënë. Më kanë bërë analizat dhe kam dalë shumë mirë.Për shpenzimet na kanë gënjyer. Kur erdhëm në hotel na thanë se nuk do të paguani as dhomën dhe as ushqimin.Na tha pronari i hotelit, ndërsa sot njërit i kishte thënë do të paguash 25, njërit 30, njërit 18. Nuk e dimë se çfarë po bëhet këtu. Jemi 13 veta që duam të largohemi. Ishim të informuar se do të qëndronim për 14 ditë në karantinë por jo me shpenzimet tona.Nuk kam lekë që të paguaj”.