Myzafer Korkuti: “Ndërhyrje brutale në monument. Instancat shtetërore të papërgjegjshme”

397
Sigal

Skandali me dhunimin e Apolonisë. Flet për “Telegraf” Myzafer Korkuti, kreu i Akademisë së Shkencave

Kreu i Akademisë së Shkencave, Muzafer Korkuti denoncon ashpër dhunimin e monumenteve të kulturës. Në një prononcim për “Telegraf” ai theksoi se në Apoloni po bëhet një masakër e vërtetë. “Kam parë struktura metalike, të cilat janë ngritur në lartësinë e tempullit. Mbi teatrin e Odeonit janë ngritur struktura metalike në të njëjtën madhësi me të. Monumenti është mbuluar nga këto skela të rënda metalike dhe nuk duket fare. Ishte transformuar komplet! Shkelje janë denoncuar dhe bëhen vazhdimisht në monumentet tona të kulturës, por kjo shkelje është jashtëzakonisht e pashoqe”, -shprehet i shqetësuar Korkuti. Denoncimet dhe reagimet, për këtë akt të shëmtuar, janë bërë nga profesionistë të tjerë të fushës, që kanë pasur gjithmonë vëmendje ndaj monumenteve, por nuk ka ndodhur ndonjëherë që katrahura në monumentet e kulturës, të shkonte deri në këtë gradë. Përgjegjësi kryesor për këtë është Ministria e Kulturës.
“Për këtë e jep lejen Ministria e Kulturës, përveçse drejtorisë përkatëse. Porse duket qartë që nuk janë përcaktuar saktësisht vendet, ku do mund të vendosen struktura, materialet, peshat e lejuara, mënyrat e montimit, detajet e sigurisë si dhe numri maksimal i njerëzve që mund të gjenden brenda monumentit dhe ku. Dhe të gjitha këto me përparësi mbrojtjen e monumentit të kulturës”- vazhdon Korkuti. Kreu i Akademisë ka shprehur habinë e ndërhyrjeve të tilla në monument, ndërkohë që “ka shumë hapësira të tjera në Apolon. Pse gjithë kjo skelë metalike mbi monument!? Të bësh një skenë mbi Odeon?! E pafalshme, e patolerueshme!”. Korkuti tregon se kur jepet një leje për ndërhyrje të tilla në monument detajet përcaktohen në vend nga specialistët e fushës. “Është ndërhyrë në mënyrë brutale. Cili është funksioni i kësaj feste, kur i gjithë monumenti është i mbuluar!?”, -pyet Korkuti. Nga inspektimi në vend, kreu i Akademisë ka vërejtur se në krahë të djathtë të qendrës, atje ku është, e quajtura “Biblioteka e Qytetit” janë vënë 10 fuçi nafte. “Çfarë funksioni kanë këto fucoi, përveç dëmit, që në këtë rast është kryesori? Më vjen trishtim të afrohem në Apoloni, është jashtë normales!”, thotë Korkuti. Më tej kreu i Akademisë shkon më larg. “Por, e gjithë kjo problematikë është në kompleks. Në afërsi të Apolonisë kalon bypass-i i Fierit. Dhe duhet vepruar me kujdes dhe vëmendje maksimale”. Korkuti shpreh shqetësimin e një rreziku imediat përsa i përket monumenteve të kulturës, ku shpesh e çdo ditë denoncohen skandale të llojeve të ndryshme. “Jemi në rrezik imediat. Janë monumente që vijnë nga 2500-2000 vjet më parë. Jam shumë i dëshpëruar për gjithë ato instanca shtetërore që kanë dhënë leje për një koncert, pa marrë parasysh pasojat e këtyre veprimeve mbi trashëgiminë tonë monumentale”, -përfundon ai.

Ngjarja
Në Parkun e Apolonisë po bëhen përgatitjet për festën e 13 korrikut të Bankers Petroleum. Skela të rënda metalike janë vendosur në eminentet e Parkut dhe që do të jenë përgjatë kësaj feste. Ky veprim është konsideruar nga specialistët e fushës një ngjarje e pazakontë. Për ta ngulitja e skelave në këtë hapësirë, është e dëmshme dhe shkatërruese për Parkun e Apolonisë, sepse aty gjendet një pasuri e madhe e trashëgimisë sonë kulturore. Përgjegjësja e gjithë kësaj katrahure është Ministria e Kulturës, e cila po vepron me vetëdije të plotë në shkatërrim dhe vetëmohim të vlerave tona arkeologjike. Firma kanadeze e ka gjetur rrugën e shtruar nga instancat tona shtetërore në katrahurën që po i bën Parkut të Apolonisë. Kjo firmë e di fare mirë që nuk mund të veprojë kështu në Kanada, për më tepër një firmë shqiptare atje. Gjithsesi, ata janë fajtorë të pafajshëm. Fajtorët jemi ne, është shteti, që nuk mbron identitetin tonë.

Parku i Apolonisë

Ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Është themeluar në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti. Të dhënat e para të pranisë së tyre janë të dokumentuara rreth vitit 588 para Krishtit. Emrin qyteti e mori për nder të perëndisë Apollon. Parku i Apolonisë është ndër më monumentalët e të gjitha periudhave të antikitetit në Shqipëri. Prej nëntokës së lashtë të Apolonisë janë zbuluar rreth 50 statuja, pranë teatrit antik, që është nga objektet më të rëndësishëm të qyteti antik krahas mozaikëve, tempujve. Apolonia funksionon si Park Arkeologjik Kombëtar qysh prej vitit 2005 dhe është ndër destinacionet e pashmangshme turistike. Arkeologët e quajnë Pompei i Shqipërisë, pasi vetëm 10 për qind e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot

Deklarata e Ministrisë së Kulturës

Aktiviteti kulturor i kompanisë Bankers Petroleum Albania Ltd. i parashikuar për datën 13 korrik 2014 po zhvillohet në mbikëqyrjen e plotë dhe profesionale të Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parkut. Ministria e Kulturës garanton dhe siguron se spektakli i organizuar në Parkun Arkeologjik të Apolonisë do të zhvillohet konform Kartës së Veronës “Kartës për përdorimin e vendeve antike për spektaklin”. Sipas këtij dokumenti bazë, mbi të cilin mbështetet organizimi i spektakleve në vendet antike dhe parqet arkeologjike në gjithë Evropën, konservimi i këtyre strukturave ka kuptim vetëm nëse ato vihen në dispozicion të publikut. Natyrisht me kusht që të respektohet brishtësia e monumenteve dhe parimi i reversibilitetit të strukturave ndihmëse që mund të ndërtohen provizorisht. Me përgjegjësi të plotë profesionale sqarojmë se të gjitha strukturat e ngritura deri tani në territorin e parkut arkeologjik Apolonia në kuadër të eventit të “Bankers Petroleum Albania Ltd” janë me karakter reversibël dhe çka është më kryesorja, në asnjë rast të vetëm nuk përbëjnë rrezik për dëmtimin e monumenteve. Gjatë kontrollit të detajuar, ushtruar dje nga Ministria e Kulturës u ritheksua edhe njëherë zbatimi me rigorozitet i Kartës së Veronës. Si rrjedhojë u reduktuan disa struktura skelerie. Ministria e Kulturës garanton se nuk do të ketë asnjë strukturë metalike të mbështetur në monument. Të drejtat dhe detyrimet e palëve janë të sanksionuara mbi një kontratë ligjore të firmosur nga palët. MK gjen rastin të bëjë me dije bashkëpunimin afatgjatë me kompaninë Bankers Petroleum, në kuadër të mbrojtjes, konservimit dhe restaurimit të siteve arkeologjike, i cili nis me këtë aktivitet.